Connect with us

Trashëgimia

Historia në gurët e Kullës së Rexhepagajve në trevën e Plavës

Published

on

Rrugëtimin për në trevën e Plavës dhe Gucisë e karakterizon trajektorja rrugore që përshkon mespërmes Malësinë e Madhe. Në të dyja anët e rrugës të përcjellin male e bjeshkë, të cilat sikur bëjnë garë se cila t’ia kalojë me lartësitë e tyre njëra-tjetrës. Lartësitë e bjeshkëve me majat e thepisura shfaqen jo vetëm anash rrugëve, por ato dalin edhe përballë si barrierë natyrore. Emocione të veçanta krijon lumi që të përcjell në një pjesë të rrugës, i cili me gurgullimën e vet i jep jetë, bukuri, freski dhe hijeshi thatësirës që përshkon malet. Në midis të këtyre maleve, e herë rrëzë tyre, shfaqen ndërtime të ndryshme banimi, që shpërfaqin vlera interesante të tipologjisë ndërtimore, që përcaktohen si shtëpi guri, kulla, mullinj, ahure, gardhe oborresh me gurë, me thupra, me degë, me shkopinjë, me hunj, të thurura, të ndërthurura, herë të shfaqura veçmas, e herë të përziera më njëra-tjetrën.

***

Padyshim kulla më e njohur, më përfaqësuese, me elemente të veçanta identitare dhe të pakrahasueshme, me vjetërsi dhe me tipologji të ndërtimit, në këtë anë është Kulla e Rexhepagajve. Kjo kullë dominon arkitektonikisht dhe estetikisht ndaj kullave tjera.

Ndërtimet e tilla të rrethuara me ndërtimet përcjellëse, ndihmëse dhe ekonomike, që rrethohen me natyrën përcjellëse, përbëjnë larminë e peizazhit ndërtimor dhe peizazhit natyror. Vlerat e tilla, të veçanta në vete, por që e plotësojnë njëra-tjetrën, përbëjnë peizazhin kulturor i cili shfaq karakteristikat e veçanta të trashëgimisë kulturore të kësaj krahine.

Vlerat e tilla kulturore të trashëguara dhe të ndara në vlera historike, shpirtërore, estetike dhe natyrore, përbëjnë hapësirën kulturore të ngulitur në peizazhin e arealit të Plavës e Gucisë. Nëse trashëgimia ndërtimore kulmon me Kullën e Rexhepagajve në Plavë, atëherë trashëgimia natyrore, mund të thuhet, se kulmon me “Krojet e Ali Pashë Gucisë” në Vuthaj.

Asete të tilla të trashëgimisë kulturore plotësojnë monumentalizmin e vlerave të veçanta të trashëgimisë kulturore, ku më së miri shfaqen vlerat e qarta ndërtimore e historike, estetike e funksionale, natyrore e shpirtërore, që ndërthurën, plotësohen e bashkëjetojnë me legjendat.

Përmes fshatrave të Plavës dhe Gucisë, konkretisht përmes Vuthajve, Martinajve, Vishnjevës e Dolit, Shoqata “OJQ Labeatët” të përbërë nga gjeografi Luigj Camaj, arkeologu Anton Lulgjuraj dhe unë, si i propozuar i shoqatës, arkitekt Korab Kraja, të mbështetur nga Organizata e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore pa Kufijë – CHwB Kosova, e në bashkëpunim me organizatën tjetër nga Shqipëria GO2 Albania, si pjesë e programit ILUCIDARE të projektit të “Innovation meets Kullas” (“Risia takon kullat”), bëmë identifikimin e vendndodhjes së kullave në veçanti, dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të këtyre trevave në përgjithësi. Miqësia, mikpritja dhe tradita nëpër Plavë e Guci ishte e kudogjendur.

Korab Kraja, arkitekt

Udhëtim nëpër Malësi, përshkrim në bregdet.
Ulqin, më 9 Maj 2021

(Fotografitë: Kulla e Rexhepagajve në Plavë, Derë karakteristike me simbole kultike në Guci, Derë karakteristike me simbole kultike në Plavë, Hollësi e qoshnikut me simbole kultike në Vuthaj, Krojet e “Ali Pashë Gucisë” në Vuthaj, Shtëpi tradicionale me çardak në tërë katin në Guci, Kullë karakteristike malore në Dol, Kullë karakterstike në Vuthaj, Hollësi e dyshekllëkut të drurit në Plavë dhe dyshekllëkut të gurit në Vishnjevë, Hollësi dritaresh në Vuthaj, Hollësi e koshit me thurje dhe peizazh kulturor në Martinaj)

Trashëgimia

“Këndi i kurajos” me punime nga duart e viktimave të dhunës gjatë luftës së Kosovës

Published

on

Në Komunën e Skenderajt, të martën është përuruar “Këndi i kurajos”. Kënd, i cili përmban punime të punuara nga viktimat e dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në njoftimin thuhet se, këto punime do të dhurohen për mysafirë të veçantë të kryetarit të komunës.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë pjesë kryetari Fadil Nura, kryesuesja e Kuvendit, Adelina Spahiu, drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, drejtoreshat e Ekzekutivit, zyrtare të Komunës dhe aktiviste.

Këtë nismë e ka ndërmarrë Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, e cila merret me identifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, thuhet në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trashëgimia

Restaurohet shtëpia tradicionale ‘Ryshyt Këpuska’ në Gjakovë

Published

on

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ka publikuar disa pamja pas restaurimit e shtëpisë tradicionale ‘Ryshyt Këpuska’ në Gjakovë.

“Jemi krenarë për punën që po bëhet nga profesionistët, për restaurimet e aseteve të trashëgimisë kulturore.”, tha ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, teksa shtoi se kështu duhet ta ruajmë kujtesën historike të vendit dhe e formësojmë të ardhmen.

Continue Reading

Trashëgimia

Arkeologët nisin punën për zbulimin e plotë të amfiteatrit në Durrës

Published

on

Zbatimi i projektit që synon të nxjerr në pah të gjithë amfiteatrin e Durrësit filloi dy vjet pas bërjes publike të planeve me sondazhet arkeologjike në shpatin e kodrës ku monumenti mbështetet.

Në amfiteatrin e Durrësit kanë filluar të martën sondazhet, që synojnë zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar, si dhe lidhjen me kodrën ku është mbështetur një pjesë e monumentit.

Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito tha për BIRN se sondazhet po realizohen nga firma “Altea & Geostudio 2000”. Leja e ministrisë së Kulturës ka mundësuar punimet e firmës së licensuar për ndërhyrje të këtij lloji – tha për BIRN Ramohito.

Specialistë dhe arkeologë po ndjekin nga afër punën që po kryhet në pjesën qendrore të amfiteatrit.

Ky është hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit të ndërtuar në shek II pas Krishtit. Projekti për hapjen e plotë të amfiteatrit si dhe për rehabilitimin e plotë e zonës qendrore të Durrësit u bë i njohur dy vjet më parë.

Bashkia e Durrësit, ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim AADF po bashkëpunojnë për zbulimin e plotë të monumentit më të madh që është gjetur deri tani në vendin tonë.

Amfiteatri i Durrësit u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Gjatë ekspeditave verore 1966-1970 u zbulua rreth 2/3 e monumentit, që ishte ndërtuar në periudhën e perandorit Trajan. Për hapjen e shkallareve dhe galerive autoritetet e kohës urdhëruan në pak javë prishjen e 33 shtëpive dhe transferimin e 50 familjeve, të cilat, pa e ditur, kishin banuar mbi një vepër monumentale 1900-vjeçare.

Megjithë kërkimet arkeologjike në hapësirën e amfiteatrit, në më shumë se 50 vjet nuk ka patur asnjë ndërhyrje me synim zbulimin e elementeve të tjerë të rëndësishëm. Projekti që pritet të zbatohet ka nisur me shpronësimet dhe kompensimet e familjeve që banojnë në pjesën veri-lindore të amfiteatrit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending