Rrugëtimin për në trevën e Plavës dhe Gucisë e karakterizon trajektorja rrugore që përshkon mespërmes Malësinë e Madhe. Në të dyja anët e rrugës të përcjellin male e bjeshkë, të cilat sikur bëjnë garë se cila t’ia kalojë me lartësitë e tyre njëra-tjetrës. Lartësitë e bjeshkëve me majat e thepisura shfaqen jo vetëm anash rrugëve, por ato dalin edhe përballë si barrierë natyrore. Emocione të veçanta krijon lumi që të përcjell në një pjesë të rrugës, i cili me gurgullimën e vet i jep jetë, bukuri, freski dhe hijeshi thatësirës që përshkon malet. Në midis të këtyre maleve, e herë rrëzë tyre, shfaqen ndërtime të ndryshme banimi, që shpërfaqin vlera interesante të tipologjisë ndërtimore, që përcaktohen si shtëpi guri, kulla, mullinj, ahure, gardhe oborresh me gurë, me thupra, me degë, me shkopinjë, me hunj, të thurura, të ndërthurura, herë të shfaqura veçmas, e herë të përziera më njëra-tjetrën.
***
Padyshim kulla më e njohur, më përfaqësuese, me elemente të veçanta identitare dhe të pakrahasueshme, me vjetërsi dhe me tipologji të ndërtimit, në këtë anë është Kulla e Rexhepagajve. Kjo kullë dominon arkitektonikisht dhe estetikisht ndaj kullave tjera.
Ndërtimet e tilla të rrethuara me ndërtimet përcjellëse, ndihmëse dhe ekonomike, që rrethohen me natyrën përcjellëse, përbëjnë larminë e peizazhit ndërtimor dhe peizazhit natyror. Vlerat e tilla, të veçanta në vete, por që e plotësojnë njëra-tjetrën, përbëjnë peizazhin kulturor i cili shfaq karakteristikat e veçanta të trashëgimisë kulturore të kësaj krahine.
Vlerat e tilla kulturore të trashëguara dhe të ndara në vlera historike, shpirtërore, estetike dhe natyrore, përbëjnë hapësirën kulturore të ngulitur në peizazhin e arealit të Plavës e Gucisë. Nëse trashëgimia ndërtimore kulmon me Kullën e Rexhepagajve në Plavë, atëherë trashëgimia natyrore, mund të thuhet, se kulmon me “Krojet e Ali Pashë Gucisë” në Vuthaj.
Asete të tilla të trashëgimisë kulturore plotësojnë monumentalizmin e vlerave të veçanta të trashëgimisë kulturore, ku më së miri shfaqen vlerat e qarta ndërtimore e historike, estetike e funksionale, natyrore e shpirtërore, që ndërthurën, plotësohen e bashkëjetojnë me legjendat.
Përmes fshatrave të Plavës dhe Gucisë, konkretisht përmes Vuthajve, Martinajve, Vishnjevës e Dolit, Shoqata “OJQ Labeatët” të përbërë nga gjeografi Luigj Camaj, arkeologu Anton Lulgjuraj dhe unë, si i propozuar i shoqatës, arkitekt Korab Kraja, të mbështetur nga Organizata e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore pa Kufijë – CHwB Kosova, e në bashkëpunim me organizatën tjetër nga Shqipëria GO2 Albania, si pjesë e programit ILUCIDARE të projektit të “Innovation meets Kullas” (“Risia takon kullat”), bëmë identifikimin e vendndodhjes së kullave në veçanti, dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të këtyre trevave në përgjithësi. Miqësia, mikpritja dhe tradita nëpër Plavë e Guci ishte e kudogjendur.
Korab Kraja, arkitekt
Udhëtim nëpër Malësi, përshkrim në bregdet.
Ulqin, më 9 Maj 2021
(Fotografitë: Kulla e Rexhepagajve në Plavë, Derë karakteristike me simbole kultike në Guci, Derë karakteristike me simbole kultike në Plavë, Hollësi e qoshnikut me simbole kultike në Vuthaj, Krojet e “Ali Pashë Gucisë” në Vuthaj, Shtëpi tradicionale me çardak në tërë katin në Guci, Kullë karakteristike malore në Dol, Kullë karakterstike në Vuthaj, Hollësi e dyshekllëkut të drurit në Plavë dhe dyshekllëkut të gurit në Vishnjevë, Hollësi dritaresh në Vuthaj, Hollësi e koshit me thurje dhe peizazh kulturor në Martinaj)