Connect with us

Aktuale

Hidrocentralet dhe shpyllëzimi në Kosovë – shkruan Behare Bajraktari

Published

on

Kosova ka mungesë dhe ndërprerje të vazhdueshme të ujit të pijshëm. Në Kosovë nuk mungojnë të reshurat dhe lumenjtë, por mungon uji. Sepse, pjesa më e madhe e ujit dhe të reshurave të saj nuk mblidhet por shpërndahet përmes lumenjve jashtë kufijve të saj. Kosova është një vend i vogël dhe malor. Klima e saj është kontinentale. Pranverave dhe verave ka reshje të mjaftueshme, madje edhe përmbytje. Por, përsëri ujërat mungojnë, ndërsa përveç dëmeve nga vërshimet zakonisht ndodhin edhe avari në prodhimin e rrymës. Pra, në vend se nga uji i bollshëm të përfitojë e tërë shoqëria, ndodh e kundërta. Nga uji i bollshëm tek mungesa e konsiderueshme e ujit të pijshëm e deri te avaria me rrymë e ndoshta thatësira, pothuajse ekstreme, në disa raste.

Ajo që duhet bërë urgjentisht me ujërat, fillimisht, është, duke krijuar rezervuarët malore, në formën e liqeneve të vegjël, që krijojnë një rrjedhje të ngadalësuar të drenazhimit, dhe kanë formën e fontanave. Këto ujëra mund të menaxhohen për pije, për bujqësi e për blegtori, meqë Kosova është një vend malor, me perspektivë për zhvillimin e fermave dhe fermave malore. Gjithashtu, bota bimore dhe shtazore malore është e pranishme. Këto duhet ruajtur, dhe zhvilluar, pra.

  1. Pyjet janë reduktuar në masë të konsiderueshme nga ndërtimet, prerjet e paligjshme dhe erozioni si pasojë e tyre. Prerjet e paligjshme të drurëve malorë për fabrika dhe për ngrohje në stufa (90 përqind e familjeve përdorin fosilet për ngrohje), ka reduktuar hapësirat pyjore ndërsa drunjtë i ka sjellur në zgrip të mbijetesës. Pra, jo e tërë hapësira pyjore, edhe kështu e reduktuar siç e shohim në statistika ku theksohet se është 45 përqind e mbarë Kosovës – është e populluar më pemë dhe drunjë.

Pyjet duhet të mbrohen urgjentisht me ligj. Me ligj të cilin Kuvendi nuk e miraton që nga viti 2019. Ndërsa, që nga viti ‘99 e këndej nuk ka pasur pothuajse asnjë kujdes ndaj pyjeve. Ndërsa, para vitit ‘99, ka pasur një shfrytëzim të pakontrolluar të pyjeve përmes korrupsionit të organizuar kolonial – eksploatues.

  1. Mungesa enorme e ujit së bashku me prerjen e pakontrolluar dhe të çmendur të pyjeve ka ndikuar në zhdukjen e pashmangshme të fushave, arave dhe pyjeve. Ka ndikuar në rritjen e temperaturave dhe ndryshimin gradual të motit. Edhe në Kosovë, plastika, fosilet dhe bërllogjet janë bërë problem i pa-menaxhueshëm. Në qytete tashmë janë krijuar pamje të përditshme me mullarë bërllogjesh. Edhe, uji i ujësjellësit pothuajse është ndotur.

Në ndërkohë, e vetmja mënyrë për prodhimin e rrymës mbetet thëngjilli. Termocentralet dhe djegia e thëngjillit e ka radhitur Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, disa herë ndër qytetet më të ndotura, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.

Zhdukja e vazhdueshme e drunjëve dhe termocentralet nuk kanë degraduar vetëm pyjet dhe fushat, por mund të themi se e kanë helmuar tashmë ajrin e Kosovës, dhe kanë ndikuar pakthyeshëm në shëndetin e banorëve të tij. Ndryshimi i Klimës tashmë është një kapitull i shkruar, ku ne jemi edhe autorë por mbi të gjitha, protagonist. Ndryshimi klimatik nuk është vetëm mjedisor por edhe shëndetësor.

Pyetja, nuk është a duhet të ndërhyjmë. Pyetja është a mund të bëjmë diçka, dhe nëse po, çfarë mund të bëjmë, përpara se të behet e pamundshme për të intervenuar. Në pjesën e dytë të këtij shekulli mund të mos e kemi këtë shans.

*Analizë nga Behare Bajraktari – Asistent redaktore në Radio Televizionin e Kosovës, shkruar për https://europehouse-kosovo.com/

Aktuale

Dëshmon Haradinaj në rastin e njohur si 53-milionëshi

Published

on

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj do të dëshmojë në rastin e njohur si 53-milionëshi, në të cilin është i akuzuar bashkëpartiaku i tij, Pal Lekaj dhe të tjerë.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri. Haradinaj, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Inspektorati i Kryeqytetit gjobit për mosrespektim të urdhrit të ndërtimit në Lagjen Bregu i Diellit

Published

on

Inspektorati i Kryeqytetit njofton gjithë opinionin se ka zhvilluar procedurat inspektuese lidhur me rastin e publikuar nëpër disa medie dhe rrjete sociale që ndërlidhet me sanimin- rinovimin e një Pullazi – Kulmi në lagjen “Bregu I Diellit” i cili ishte i dëmtuar nga zjarri.

Inspektorati ka urdhëruar palën që të sanoj gjendjen përkatësisht pjesët e dëmtuar nga zjarri duke respektuar formën, lartësinë dhe gjitha pozicionet e mëparshme ndërkaq për mosrespektim të urdhrit të inspektoratit të ndërtimit i njëjti me dt.18.09.2023 me procesverbal ka urdhëruar palën që kulmin të kthej në gjendjen e mëparshme dhe ka shqiptuar gjobë mandatore për shkeljet e gjetura.

Në ditët në vijim inspektorati i ndërtimit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore duke eliminuar të gjitha shkeljet e bëra nga pala në këtë rast./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Tjetërsimi i pronës 10 milionëshe, i vazhdohet edhe për dy muaj arresti shtëpiak të dyshuarit

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak të dyshuarit Afrim Gashi, i cili u arrestua pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi“, nën dyshimin për tjetërsimin e pronës në Veternik, në vlerë rreth 10 milionë euro përmes dokumentit të falsifikuar.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, avokatja e palës së dëmtuar, Saranda Keqekolla-Sadiku.

Ndryshe, Policia e Kosovës më 25 gusht njoftoi për arrestimin e të dyshuarit, në bazë të urdhëresës së gjykatës.

“Policia e Kosovës, respektivisht Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), me datë 25.08.2023 ka zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente me ç ‘rast është realizuar kontroll në dy lokacione të ndryshme, në një shtëpi dhe në një lokal, nën dyshimin se janë shfrytëzuar për përpilimin e dokumenteve të falsifikuara”, thuhej në njoftim.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu e kishte konfirmuar se bëhet fjalë për pronën në Veternik, rast ky që është hulumtuar nga “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” kishte hulumtuar se si një pronë në Veternik  dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar te djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.

I dyshuari Gashi ishte ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Policisë, hetimi lidhur me këtë rast ka filluar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari Afrim Gashi në bashkëveprim me të dyshuarin Ylber Hyseni, i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10,000,000.00 euro (dhjetë milionë euro), me ç’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe më pas i kanë shitur ato tek personat e tretë duke i mashtruar.

“Lidhur me rastin gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 (një) pistoletë,  1 (një) karikator me 9 (nëntë) fishekë, 50 (pesëdhjetë) fishekë,  2 (dy) pistoleta me gas,  4 (katër) pushkë ajrore,  2 (dy) llaptopë, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) telefon celular, 5680 (pesëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) euro para të gatshme, 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) dollar amerikan,  100 (njëqind) franga zvicerane, si dhe rreth 500 (pesëqind) dosje të lëndëve të ndryshme në brendësi të të cilave kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhej më tej në njoftimin e Policisë.

 

Ndryshe, kjo pronë, dyshohet se iu është marrë familjes Sadiku përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuara, për çka tashmë janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i cili sipas burimeve brenda Prokurorisë gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhërarrest për të.

Continue Reading

Trending