Connect with us

Aktuale

Grekët do të bojkotojnë mallrat turke pas shndërrimit të Shën Sofias në xhami

Published

on

Vendimi i Turqisë për të kthyer përsëri në xhami monumentin e lashtë të Hagia Sofias, është bërë shkak për kritika të ashpra midis Athinës dhe Ankarasë.

Sidoqoftë, ndërsa Greqia intensifikon përpjekjet e saj diplomatike për sanksione ndaj Turqisë, bizneset greke kanë filluar tashmë një fushatë bojkotimi për mallrat dhe shërbimet nga vendi fqinj.

Vassilis Korkidis, një ndër përfaqësuesit kryesorë të tregtisë në Greqi, shprehet hapur për nevojën, siç e quan ai, për t’iu kundërpërgjigjur Turqisë me masa konkrete.

“Ne jemi në dijeni të përpjekjeve që po bën qeveria (greke) në kundërpërgjigje të konvertimit të Hagia Sofias. Por, derisa kjo të finalizohet në diçka konkrete, bizneset greke nuk duhet të humbin kohë për të bojkotuar tregtinë me partnerët e tyre turq. Edhe në nivel personal, konsumatorët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Ata mund ta bëjnë këtë menjëherë, duke bojkotuar mallrat turke që mbajnë numrat 868 dhe 869 në barkodin e produkteve të importuara”, tha Korkidis.

Me gjithë armiqësinë e vjetër midis dy vendeve, marrëdhëniet tregtare janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Eksportet vjetore të Greqisë në Turqi arrijnë në rreth 1.6 miliard dollarë, shumë më tepër sesa 1.2 miliard dollarët importe nga Turqia.

Nëse grekët do t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për bojkot tregtar, kjo mbetet e paqartë, veçanërisht në kushtet kur ekonomia e Greqisë është në kaos për shkak të pandemisë COVID-19.

Sidoqoftë, zemërimi, trishtimi dhe pakënaqësia ndaj shndërrimit në xhami të Hagia Sofia po ndihen mjaft në këtë vend kryesisht ortodoks dhe ekspertët thonë se çdo përfitim afatshkurtër tregtar është i pakrahasueshëm me humbjet që priten të jenë akoma më të mëdha.

Korkidis shpjegon se, “ne vërtet mund t’i gëzohemi një suficiti të madh tregtar, por kur llogarit fondet që i duhet të përdorë Greqia për të penguar flukset e vazhdueshme të migracionit të paligjshëm nga Turqia dhe kostot e mëdha ushtarake për t’u mbrojtur nga provokimet turke, e gjithë kjo e bën pa kuptim suficitin”.

Çështja e Hagia Sofia i shtohet një serie krizash me të cilat Greqia po përballet dhe që i vijnë nga partneri i saj i NATO-së, Turqia. Marrëdhëniet janë rënduar prej vitesh me radhë për të drejtat territoriale dhe detare në Egje, si dhe për shkak të mijëra emigrantëve të paligjshëm që vazhdojnë të shkojnë në Greqi nga Turqia.

Gjithashtu, javët e fundit tensionet janë rritur pas deklaratave të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të filluar shpimet për naftë dhe gaz në ujërat që Greqia i konsideron të vetat.

Shoqatat greke të biznesit thonë se ato po u drejtohen organizatave partnere në të gjithë Evropën për një bojkot edhe më të gjerë kundër Turqisë.

“Është e qartë se Perëndimi po nervozohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e Turqisë. Është koha që qeveria e zotit Erdogan të ndalë përdorimin e çështjeve kulturore për të avancuar axhendën e saj politike”, tha Korkidis.

Bojkoti tregtar është vetëm një nga shumë prej protestave që po zgjerohen në Greqi.

Të dielën, kambanat e kishave ranë përsëri në të gjithë vendin ndërsa dhjetëra mijëra njerëz kënduan himne për nder të Hagia Sofias, selisë së Krishterimit Lindor për një mijë vjet me radhë, para se turqit osmanë të pushtonin qytetin e njohur atëherë si Kostandinopojë.

Një tjetër shenjë shqetësuese ishin lëvizjet e grupeve nacionaliste të ekstremit të djathtë, të cilat dogjën një flamur turk. Qeveria Greke e dënoi veprimin. Prapëseprapë, qeveria inkurajoi pasionet nacionaliste me një kritikë të ashpër ndaj Turqisë nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Ai tha se Turqia është një problem që kërcënon paqen dhe sigurinë në rajon, por shtoi se Greqia ka treguar se mund t’i mbrojë kufijtë e saj, kufijtë e Bashkimit Evropian.

Greqia beson se konvertimi Hagia Sofias në xhami është pjesë e një plani më të madh të Turqisë për të riafirmuar veten si një superfuqi rajonale dhe energjetike.

Turqia thotë se Greqia po reagon shumë më tepër se sa është e nevojshme. Megjithatë, Greqia këmbëngul se nuk do t’ia lërë asgjë rastësisë, por po i mban forcat e saj ushtarake në gatishmëri të lartë, e gatshme për të bërë luftë nëse provokohet më tej në ndonjë front. /VOA.

Aktuale

Eurostat: Shqiptarët më punëtorët në Evropë, por me paga me të ulëta

Published

on

Shqiptarët punojnë me orë më të gjata pune krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse paguhen më pak.

Sipas të dhënave nga Eurostat, një javë e zakonshme pune për personat e moshës 20-64 vjeç në BE është mesatarisht 37.5 orë, ndërsa për shqiptarët rreth 43.7 orë në javë.

Konkretisht, shqiptarët punojnë një ditë më shumë se vendet e BE-së ose 6 orë më tepër në javë.

Pavarësisht këtij fakti, orët e zgjatura të punës në Shqipëri nuk përkthehen me paga më të larta, pasi aktualisht vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon dhe Europë, gati dyfish më pak se Serbia e Mali i Zi dhe ndjeshëm më pak se Bashkimi Europian.

Kjo tregon një mospërputhje të qartë midis orëve, pagës apo edhe produktivitetit të punëtorëve.

Direkt pas vendit tonë renditet Serbia, ndërsa sa i takon vendeve të BE-së, Greqia ka përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur, rreth 11.6%, e ndjekur nga Qiproja 10.4% dhe Franca 10.1%.

Orët e zgjatura të punës në Greqi lidhen edhe me normën më të lartë të papunësisë, e si rrjedhojë orët shtesë të punonjësve aktivë i referohen zëvendësimit të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

Holanda ka javën më të shkurtër të punës me rreth 33.2 orë, e ndjekur nga Gjermania me 35.3 dhe Danimarka me 35.4 orë.

Duke qenë se Shqipëria ka rekordin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon me një normë prej 36%, orët e gjata të punës lidhen kryesisht me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punën e fundjavës.

E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, ku 29.3% e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata krahasuar me të punësuarit, të cilët përbënin 3.6% e totalit.

Në Shqipëri administrata publike është ajo që punon më pak, me rreth 38.8 orë në javë, ndërsa punëtorët e sektorëve të prodhimit dhe ndërtimit punojnë më tepër.

Ndërsa në BE, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit me 27.5% dhe menaxherëve me 21.9%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

BE do të jap 1 miliard euro ndihmë financiare për mbrojtjen sociale në Liban

Published

on

Gjatë vizitës së saj në Bejrut, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e shoqëruar nga Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, diskutuan sfidat e rëndësishme të brendshme dhe rajonale me të cilat përballet Libani dhe se si BE-ja mund ta mbështesë më mirë vendin dhe njerëzit.

Ajo njoftoi se BE-ja do të ofrojë një paketë ndihme financiare për Libanin me vlerë 1 miliard euro për 2024-2027.

Kjo mbështetje e vazhdueshme e BE-së do të forcojë shërbimet bazë si arsimi, mbrojtja sociale dhe shëndeti për njerëzit në Liban. Ajo do të shoqërojë reformat urgjente ekonomike, financiare dhe bankare. Për më tepër, Forcat e Armatosura libaneze dhe forcat e tjera të sigurisë do t’i ofrohet mbështetje me pajisje dhe trajnime për menaxhimin e kufirit dhe për të luftuar kundër kontrabandës.

Vizita e Presidentes von der Leyen në Liban vjen pas takimit të posaçëm të Këshillit Evropian më 17-18 prill, ku Këshilli konfirmoi vendosmërinë e BE-së për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në Liban, duke përfshirë refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe komunitetet pritëse, si si dhe forcimin e mbështetjes për Forcat e Armatosura libaneze, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës. Këshilli Evropian ripohoi gjithashtu nevojën për të arritur kushte për kthime të sigurta, vullnetare dhe dinjitoze të refugjatëve sirianë, siç përcaktohet nga UNHCR./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Zyra e Kryeministrit Kurti furnizohet me mobile luksoze në vlerë prej 54 mijë euro

Published

on

Karrige lëkure, tepisona, vitrina e mobile të ndryshme luksoze. Të gjitha këto janë porositur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Orenditë e reja po kapin shifrën e 54 mijë eurove.

Zyra e Kryeministrit të Albin Kurti, ka hapur disa tenderë për blerjen e disa orendive të reja.

Zyra e kryeministrit dhe disa ministri tjera janë në pritje të furnizimit me karrige të lëkurës, me tepsiona, me pajisje të reja për byfe, e vitrina, të cilat i kanë kushtuar hiç më pak se 53 mijë e 977 euro, shkruan Insajderi.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Zyra e Kryeministrit kishte hapur tender për “furnizim me karrige lëkure”, 50 copë.

Vlera e parashikuar është 9,999.00 euro.

Poashtu në muajin e kaluar nga ZKM’ja është hapur tenderi për “Furnizim me lloje të ndryshme vitrinash”, ku ceken mobile druri për zyre. Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender është 40.000 euro.

Me 1 maj, Zyra e Kryeministrit ka hap tender për “Furnizim me pajisje byfeje”. Ku theksohet për “frigoriferë dhe ngrirësit”.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 990 euro.

Bëhet fjalë për tri karrige statike nga materiali krom, të veshura me lëkurë artificiale, kualitet i lartë i ngjyrës së zezë.

Po ashtu edhe për një karrige rrotative nga rrjeta me mekanizëm lëvizës. Ku vetëm këto kanë kushtuar hiç më pak se 999 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending