Connect with us

Aktuale

Gjendje alarmante në deponitë sanitare të Kosovës

Published

on

Gjendja në deponitë sanitare të Kosovës mbetet e palakmueshme, bazuar në vlerësimet e bëra dhe raportet e hartuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Sipas konstatimeve të kësaj Agjencie, ajo vjen duke u rënduar si pasojë e keqmenaxhimit, mos investimeve rehabilituese, por edhe nga tejkalimi i kapaciteteve të pranimit të masës së mbeturinave.

Një raport i AMMK-së i publikuar në qershor të këtij viti ka bërë të ditur se gjatë periudhës shkurt-qershor 2021, është bërë monitorimi dhe vlerësimi i gjendjes së deponisë sanitare të mbeturinave komunale për regjionin e Pejës, deponisë sanitare të mbeturinave komunale për regjionin e Prizrenit dhe stacionit për transferimin e mbeturinave komunale në Gjakovë. “Bazuar në vizitat e realizuara në këto deponi është konstatuar që gjendja e tyre nuk është e mirë dhe se ka probleme që ndërlidhen me menaxhimin e deponive”, thuhet në publikimin e AMMK-së, me ç’rast theksohet se ndër problemet kryesore të evidentuara janë ngjeshja dhe mbulimi jo i rregullt i mbeturinave, shpërndarja jo e rregullt e mbeturinave në deponi, mbeturinat jashtë rrethojave të deponisë, shkarkimi i ujërave të deponisë jashtë basenit të grumbullimit, prania e qenve endacak në zonën e deponisë si dhe prania e individëve të pa autorizuar në deponi që merren me grumbullimin e llojeve të caktuara të mbeturinave me qëllim shitjen e tyre.

Ndërkaq në Raportin e Menaxhimit të Mbeturinave Komunale në Kosovë për vitin raportues 2019, të publikuar gjatë këtij viti, AMMK duke u bazuar në të dhënat e siguruara, ku përfshihet i gjithë cikli i mbeturinave, duke filluar nga prodhimi e deri tek trajtimi përfundimtar i tyre, ka konstatuar se vërehet një lëvizje në përmirësim të treguesve. Por aty ceket se problematikë e madhe në nivel vendi ende vazhdon të mbetet deponimi i pjesës dërmuese të mbeturinave të gjeneruara në deponitë sanitare. Gjithashtu veçohet gjendja e rëndë në deponitë sanitare.

“Edhe këtë vit raportues është regjistruar një gjendje e rëndë e deponive sanitare në Kosovë, e cila vjen duke u rënduar si pasojë e keqmenaxhimit, mos investimeve rehabilituese, por edhe nga tejkalimi i kapaciteteve të pranimit të masës së mbeturinave”, thuhet në raport, ku pasqyrohet se sasia e deponuar e mbeturinave komunale në deponitë sanitare shkon në 449,881.81 ton/vit, pa i përfshirë sasitë e mbeturinave të deponuara në deponitë tjera josanitare, si ajo në Istog (Tuqep), apo në deponitë tjera në pjesën veriore të Kosovës, meqë nuk ka pas të dhëna të raportuara.

“Për dallim nga viti paraprak, në vitin 2019, sasia e mbeturinave të deponuara ka shënuar rritje për 24,292.55 ton më shumë apo shprehur në përqindje 5.7%”, shkruan në raport. Në të njëjtën kohë theksohet se ende nuk ka iniciativa të mirëfillta qoftë në nivel lokal apo në nivel vendi, që tregojnë veprime konkrete drejt një ekonomie qarkore, derisa edhe riciklimi mbetet ende një sfidë e vështirë që të realizohet. Në raportin e AMMK-së, sipas të dhënave të vitit 2019, diku 10.2 % e ekonomike familjare në nivel vendi kanë qasje në infrastrukturën për ndarje në burim, edhe pse kjo përqindje sipas autorëve të raportit duhet të merret me mëdyshje.

Strategjia kombëtare për menaxhimin e mbeturinave 2013-2022 ka synuar që deri në vitin 2022, 90% e popullatës në Republikën e Kosovës të përfshihet në mbledhjen e organizuar të mbeturinave, dhe gjithashtu përqindja e mbeturinave komunale të destinuara për trajtim të mëtutjeshëm dhe riciklim të rritet deri në 40 %.

Se deponitë nuk menaxhohen si duhet thuhet edhe në raportin e vitit 2020 të Komisionit Evropian për Kosovën, ku kërkohet që Ligji për mbeturinat të harmonizohet më tej me Direktivën Kornizë të Mbeturinave, pasi zbatimi është i mangët dhe shumica e mbeturinave përfundojnë në deponi që nuk menaxhohen si duhet, ose të paligjshme. “Kosova duhet të prezantojë masa ligjore dhe praktike për të zvogëluar mbeturinat dhe për të rritur riciklimin dhe rikuperimin në përputhje me parimet e ekonomisë rrethore”, thuhet në këtë raport, ku rekomandohet që liqeni i depozitës së hirit të qymyrit që operohet nga KEK-u dhe deponia e Mirashit në Obiliq urgjentisht dhe përgjithmonë të mbyllen dhe të rehabilitohen.

Strategjia kombëtare për menaxhimin e mbeturinave 2013-2022 si objektiv parasheh krijimin e një kornize masash brenda së cilës në Republikën e Kosovës do të duhej të zvogëloj sasinë e mbeturinave që krijohen dhe ngritjen e sistemit të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave. Fokusi i kësaj strategjie pos tjerash ka qenë edhe në zvogëlimin e krijimit të sasisë së mbeturinave në burim si dhe zvogëlimin e sasisë së mbeturinave që duhet të deponohen; zhvillimin e infrastrukturës për ngritjen e sistemit të integruar në menaxhimin e mbeturinave (Zvogëlim – Ripërdorim – Riciklim- Djegie – Deponim), duke krijuar kushtet për një funksionim efektiv të sistemit; zvogëlimin e rrezikut nga mbeturinat; etj.

Por gjendja aktuale tregon se ka ende punë për të bërë nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe vet shoqëria për të arritur standardet evropiane të menaxhimit të mbeturinave, ashtu që sasia e mbeturinave për deponim të zvogëlohet në minimum dhe deponimi të bëhet në mënyrë të sigurt, pastaj që mbeturinat të jenë sa më pak të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut, si dhe që mbeturinat të futen në treg për përfitim ekonomik, sidomos nga procesi i riciklimit, apo të kthehen në mjedis në formë të dobishme (p.sh. kompostim) ose që mbeturinat të jenë bërë të padëmshme. Prandaj rekomandimet e BE-së për vazhdimin e rritjes së mbulimit të grumbullimit të mbeturinave, veçanërisht me futjen e ndarjes së mbeturinave dhe riciklimin e tyre, futjen e masave të ekonomisë rrethore për të zvogëluar mbeturinat dhe adresimin e çështjes së deponive të paligjshme duhet të adresohen nga institucionet vendore me mobilizimin e komunitetit për arritjen e rezultateve pozitive në këtë drejtim./Media Ndërtimi.

Aktuale

Korporata hoteliere me renome botërore Hyatt synon të hap hotel në Prishtinë

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është takuar me Takuya Aoyama, zëvendëspresident për Zhvillim për Evropë, Afrikë dhe Lindje të Mesme nga korporata hoteliere me renome botërore Hyatt.

“Zëvendëspresidenti Aoyama më përcolli lajmin fantastik për interesimin e korporatës Hyatt për hapjen e një hoteli të zinxhirit të tyre në qendër të Kryeqytetit. Një prej opsioneve të përmendura për hapjen e Hyatt në Kryeqytet është transformimi i ikonës sonë, Hotelit Grand, duke ruajtur trashëgiminë dhe vlerat e këtij objekti.

Falënderova përzemërsisht z. Aoyama dhe shpreha gatishmërinë e organeve të Kryeqytetit për të ndihmuar korporatën hoteliere Hyatt në hapjen e hotelit në Kryeqytet.”, deklaroi kryetari Rama.

Hyatt ka më shumë se 1350 hotele dhe prona gjithëpërfshirëse në 69 vende në gjashtë kontinente./Media Ndërtimi

 

Continue Reading

Aktuale

KRPP konfirmon se Komuna e Prishtinës shkel ligjin kur autorizon Arkitektin e Kryeqytetit të hap konkurse në emër të saj

Published

on

Komuna e Prishtinës i ka deleguar kompetencat zyrtare tek një kompani private për të cilën ka pasur dyshime edhe gjatë procesit të tenderimit të saj. Bëhet fjalë për kompaninë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” – SHAK, shkruan Demokracia.com.

Kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, e cila një prej drejtuesve kryesorë e ka arkitektin Astrit Nixha është autorizuar nga Komuna e Prishtinës që të realizojë tenderë në emër të saj.

Komuna e Prishtinës para pak muajve ka lidhur kontratë trevjeçare me mbi 10 milionë euro, me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit.

SHAK kohë pas kohe po hap thirrje për koncept-dizajne të çerdhe-kopshteve në Prishtinë, por edhe për projekte të tjera.

Komisionet vlerësuese të projekteve po caktohen nga vetë kompania private, duke u shmangur procedurat e Prokurimit Publik, meqë bëhet fjalë për projekte të interesit publik që do të financohen nga Komuna e Prishtinës.

Demokracia.com ka qenë në pritje të një opinioni sqarues nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të mësuar nëse është ligjore apo jo që firmat private të organizojnë tenderë publikë në emër të komunës. Lidhur me këtë, Demokracia.com i ka parashtruar një varg pyetjesh KRPP-së, por ky institucion ka dhënë vetëm një përgjigje nga e cila rezulton se organizmi i konkurseve publike po bëhet kundërligjshëm.

“Konform nenit 87, paragrafit 2, nënparagrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në të dhënat e shkresës suaj, KRPP sqaron si në vijim: Në përputhje me paragrafin 2 të nenit 24 të LPP-së, Autoriteti Kontraktues (siç përkufizohet me nenin 4, paragrafin 1, nën paragrafin 1.13 të LPP-se) është përgjegjës për të siguruar që të gjitha aktivitetet e prokurimit të autoritetit të tillë kontraktues të ekzekutohen në përputhshmëri të plotë me këtë ligj. Në rast se Autoriteti Kontraktues nuk i ka kapacitetet profesionale për të hartuar një projekt, dizajn dhe/ose koncept dizajn, mund të angazhojë konsulent individual apo kompani konsulente përmes procedurave të prokurimit të përcaktuara me këtë ligj, ndërsa aktivitetet e prokurimit është përgjegjës t’i kryej vetë Autoriteti Kontraktues”, ka bërë të ditur për Demokracia.com, Departamenti i Rregullave të KRPP-së.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka kërkuar një sqarim nga Komuna e Prishtinës, por Zyra për Informim nuk është përgjigjur në këto pyetje: “Ju lutem a mund të sqaroni procesin për konkurset e projektimit që organizohen nga firma “SHAK” shpk dhe OJQ KAF? Si mund të ankohen kompanitë ofertuese në rast të pakënaqësive? Në cilën bazë ligjore jeni bazuar që firma private dhe QJQ-të të organizojnë konkurse projektimi për Komunën?”.

“Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit SH.P.K.” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës më 27 qershor 2023, si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara. Pronarë të saj janë ANARCH SH.P.K. dhe Ardi CC L.L.C. E para është në pronësi të Astrit Nixhës, ndërsa e dyta në emër të Albi Shita. Kjo kompani në vitin e kaluar ka dalë fituese e tenderit që quhet “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Pas Danimarkës, edhe Belgjika propozon ta ndërtojë një burg në Kosovë

Published

on

Pas Danimarkës, edhe në Belgjikë është hedhur ideja për ndërtimin e një burgu në Kosovë ku shteti belg do t’i sillte të burgosurit pa dokumente për të vuajtur dënimin. Këtë ide e ka thënë deputeti belg Theo Francken nga partia “N-VA” në një intervistë për gazetën “Het Nieuwsblad”.

Sipas deputetit Francken, kjo ide përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit, gjë që partia e tij e ka kërkuar prej kohësh.

Propozimi i deputetit Francken është përfshirë në manifestin zgjedhor të N-VA. Ai e sheh edhe si zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve.

Mediat belge shkruajnë se stafi i burgjeve belge do të jetë i lumtur për një ide të tillë, megjithatë sa është e realizueshme?

An-Sofie Vanhouche, profesoreshë e kriminologjisë në VUB, ka zbutur pritshmëritë lidhur me këtë ide. Sidomos nëse krahasimi bëhet me Danimarkën, sepse marrëveshja Danimarkë-Kosovë nuk është zhvilluar plotësisht.

“Burgu në vetvete është ndërtuar tashmë. Megjithatë shumë gjëra duhet të rregullohen dhe shumë mbeten të paqarta,” tregon Vanhouche nga bisedat që ajo pati me kolegët e saj danezë në shkurt.

Ndërtimi i një objekti është mjaft i thjeshtë, transferimi i njerëzve në Kosovë nuk është, thotë ajo.

“Të arrestuarit nuk duan thjesht të transferohen në një vend tjetër. Vetëm për shkak se janë dënuar nuk do të thotë se ata nuk i ruajnë të drejtat e tyre.”, ka thënë ajo.

Vanhouche ka ngritur edhe pikëpyetje nëse mund të garantohen të drejtat e njeriut në burgjet në Kosovë.

“Ky është problemi i parë për Danimarkën. Shumë avokatë nuk e konsiderojnë këtë të realizueshme.”, ka shtuar ajo./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending