Para tre muajsh FMN parashikonte për 2020 një rritje të të ardhurave për frymë në më shumë se 160 vende, ndërsa aktualisht parashikohet tkurrje ekonomike në më shumë se 170 shtete të botës.

Pasiguri e madhe

Nëse jeta publike e paralizuar aktualisht në gjysmën e dytë të vitit bashkë me ekonominë do të përjetojnë një hop, atëherë mund të parashikohet një ripërtëritje e pjesshme në vitin 2021. Por ky parashikim është i “lidhur me shumë pasiguri”, vuri në dukje Georgieva. “Mund të ndodhë edhe më keq.” Kjo varet nga kohëzgjatja e pandemisë.

Kriza prek sipas FMN-së shtetet më të varfra dhe vendet në zhvillim, që nuk mund të reagojnë si duhet ndaj saj. Këto vende kanë sisteme më të dobëta shëndetësore, më pak depozita në buxhet dhe ndodhen më fort nën presionin e investitorëve. “Gjatë dy muajve të fundit nga portofolat e vendeve në zhvillim janë tërhequr rreth  100 miliardë dollarë – mbi tri herë më shumë se në një krizë ekonomike botërore.”

Georgieva shtoi, se së fundi mbi 90 shtete kanë parashtruar kërkesë për financime emergjence dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

FMN mund të japë kredi gjithsej një bilionë dollarë, ndërkohë që për financimet e emergjencës llogaritet që kërkesa të jetë rreth 100 miliardë dollarë. FMN ndërkohë po verifikon instrumentet që ka në dispozicion për të mbështetur vendet në nevojë, vuri në dukje shefja e këtij institucioni financiar. Synohet që të hapen linja kredish profilaktike si dhe në disa shtete të varfra të lehtësohen borxhet, në mënyrë që paratë të mund të derdhen në sistemin shëndetësor. /DW/