Qytetit të Ferizajt i shtohet edhe një mural tjetër që le hapësirë të gjerë diskutimi rreth transformimit dixhital të shoqërisë.
Artisti Britanez, Gabriel Pitcher, me mjeshtëri të madhe iu bashkua edicionit të VII të Festivalit të Muraleve duke pikturuar një ndër veprat më të dalluara të këtij edicioni.
“Për edicionin e VII të Festivalit të Muraleve të organizuar nga MuralFest Kosova, na u prezantua tema On(OFF)Line e cila shqyrton dhe krahason realitetin në të cilin jetojmë, me botën joreale që krijojmë në hapësira dixhitale.
Për kontributin tim, isha i interesuar të kapja boshllëkun midis botës dixhitale dhe asaj fizike. Një vend ku ne banojmë dhe jetojmë jetë paralele, ku mund të mendojmë se cilin verzion të vetes sonë të parashtrojmë, ose ta përjashtojmë nga ky ndërveprim.
Këtu shohim një mural të madh të një vajze të re që shihet nga afër. Një roletë fletë-fletë errëson dritaren që ajo qëndron pas. Nga përtej pengesës së saj, ajo vështron me vojeurizëm drejt botës së jashtme. Duke lëvizur poshtë portretit, një defekt dixhital në imazhe shton një spërkatje ngjyrash për të ripërqendruar vëmendjen tonë – çfarë po shikojmë? A është avatari që shikon nga prapa roletës i krijuar nga përvoja në internet e personit real, apo është vërtet një përfaqësim i personit në botën reale?.
Edhe artisti nga Spanja, Theo Magma, pikturoi një mural i cili paraqet denjësisht një ndër temat e trajtuara përgjatë edicionit të VII të Festivalit të Muraleve- ndikimin e rrjeteve dhe platformave sociale në personalitetin e njeriut. I titulluar “Creation of the Virtual-Like” ky mural pasuron mëtutje koleksionin e edicionit On(OFF)Line.
Ky mural titullohet “Creation of the Virtual-Like” dhe shërben për të paraqitur ekzistencën moderne të dyfishtë të njerëzve – jetën reale dhe rrjetet sociale. Është një përpjekje për të nxjerrë në pah imazhin e rremë që njerëzit kanë krijuar mbi veten e tyre, dhe mjerimin që lihet jashtë këtyre kornizavr.
Në njërën anë kam paraqitur një imazh që shfaqet qetësues, që i ngjan perfeksionit të jetës dhe estetikës idilike të asaj që shfaqet në rrjetet sociale. Duke kaluar në anën e kundërt, ne përballemi me realitetin po kësaj jete që tregohet krejtësisht ndryshe nga ajo që shohim në fillim. Është një paraqitje e asaj që shtrihet nën fasadën e rrjeteve socisle, dhe kaosit të jetës reale që fshihet për të mbështetur imazhin e rremë e të përsosur të jetës virtuale.
Krejt kjo për një “Like” të thjeshtë që shërben si mekanizëm vlerësues dhe ushqen egon njerëzore. Një mjet që ka transformuar ndërveprimin dhe perspektivën njerëzore.”./Media Ndërtimi.