Connect with us

Ambienti

Fabrika e Bllokave në Skenderaj akuzohet nga banorët për ndotje të ambientit

Published

on

Dikur konsiderohej si arritja më e madhe ekonomike në Drenicë. Por tash, fabrika e bllokave që punëson afërsisht 50 punëtorë, po akuzohet nga banorët e Skënderajt për ndotjen e ambientit. Pronarët, që janë vëllezërit e njohur Geci nga Llausha, thonë se asnjëherë nuk kanë pranuar ankesa nga banorët.

Ndërsa, komuna e Skënderajt, deklaroi se për shkak të kompetencave të kufizuara, ankesat e banorëve i kanë adresuar në Ministrinë e Ambientit, e cila, përkundër interesimit të Nacionales, nuk ka kthyer përgjigje.

E funksionalizuar në vitet e 80-ta, fabrika e bllokave e ndërpreu punën gjatë kohës së luftës, për t’ia rifilluar në vitin 2005, kur Agjencia e Privatizimit ia shiti kompaninë vëllezërve Geci, shkruan Nacionale.com.

Tani kjo fabrikë ka afërsisht 50 punëtorë, varësisht nga kërkesa e tregut.

Pavarësisht përfitimeve ekonomike që i sjell komunës së Skënderajt, qytetarët ankohen se po ua pamundëson jetën banorëve që jetojnë në afërsi të kësaj fabrike.

“Si të çohem duhet me ndejtë me një leckë n’dorë me e fshi tavolinën e oborrit, tani me hi mrena me bo kafen, se s’ki çka sheh nga mbetjet që vijnë prej fabrikës”, fillon rrëfimin një banore e lagjes 2-3 në Skënderaj, e cila insistoi të mbetet anonime për arsye personale.

As bahçet e mbjella me perime nuk po i shpëtojnë pluhurit që vjen nga kjo fabrikë.

“Këtu kam mbjellë kepë, kastraveca, patlixhana… qysh po e sheh edhe ti vetë, krejt janë me hi që vjen prej fabrikës. Krejt gjethet e mbuluara, po edhe fryti, përveç kepëve që janë ndër dhe, se përndryshe asnja nuk hahet këtu”, tha banorja, që ankohet pa ndalur për problemin e ndotjes nga fabrika e vëllezërve Geci.

Por, e njëjta nuk qëndron për pronarët e kësaj fabrike. Vëllezërit Geci insistojnë se pluhuri që lëshon fabrika është një ndotje e vogël që nuk i bën dëm askujt.

“Më pasë kanë e damshme unë më së pari nuk i kisha lënë femijët e mi këtu me jetu, e as veten. Nëse del najkush prej komunës a prej qeverisë që na thotë se jemi tu shkaktu ndotje të ajrit, atëherë ne e ndalim prodhimin. Mund të ketë pak ndotje, ama nuk është e dëmshme”, tha njëri nga vëllezërit e shumtë Geci.

Ata pohojnë se asnjëherë nuk kanë marrë ankesa nga ndonjë banor, por disa individë po tentojnë t’ua prishin imazhin.

Një banor tjetër i rrethinës, rrëfeu për Nacionalen problemet që po ua shkakton ndotja e ajrit nga fabrika e bllokave.

“Ata atje as që dojnë me ni për këtë punë, e as që dojnë me ditë që na çdo ditë përballemi me problemet e njëjta. S’kem çka dalim në oborr, s’mundemi me i vendosë teshat në tel, as verë e as dimër. Fasadat e shpijave krejt janë nxi, këqyre anej bahçen që kemi mbjellë, krejt të hinta. Mos me mujtë njeri me dalë në oborr të vetin, se s’dojnë me harxhu për filtera”, i tha Nacionales D.H. në kushte anonimiteti.

Por, informacione të tjera ka nga Komuna e Skënderajt. Institucionet komunale, që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, i treguan gazetës Nocionale se në adresë të tyre kanë pranuar ankesa nga banorët. Megjithatë, për shkak të kompetencave të kufizuara, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë. Por, të njëjtat, thonë t’i kenë adresuar në nivelin qendror.

“Edhe në të kaluarën kemi pranuar ankesa nga banorët e zonës në afërsi me fabrikën. Në mungesë të inspektorit të mjedisit, ne ankesat e tyre i kemi adresuar në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, meqë është në kompetencën e kësaj ministrie që përmes aparaturës përkatëse të bëhet matja e nivelit të emetimit të gazrave nga tymtarët e objekteve industriale. Si Drejtori Komunale e Inspekcionit, nuk kemi ndonjë raport inspektimi”, tha Valon Halili nga Drejtoria e Inspektoriatit të komunës së Skënderajt.

Pronarët e fabrikës çuditen se pse banorët po i adresojnë ankesat e tyre përmes mediave, e jo direkt në adresë të tyre.

“Qëllimin s’e di ku e kanë, ata duhet me ardhë drejt e tek ne, jo me shku përmes mediave, pasi që mediat e drejtojnë ketë temë siç dojnë ato, dhe ne mundemi me u dëmtu”, shton njëri nga vëllezërit Geci.

Vëllezërit Geci, me gjithë këmbënguljen tonë për një sqarim më të gjerë se si kanë planifikuar vendosjen e filtrave, nuk kanë ofruar një përgjigje më të qartë.

As Inspektorati Komunal nuk tregoi nëse ata kanë inspektuar ndonjëherë fabrikën, pavarësisht ankesave të mëdha nga banorët.

Kosova kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket vdekjeve nga ndotja e ajrit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, Kosova ka mbi 3000 vdekje në vit si pasojë e ajrit të ndotur.

Për çështjen e ndotjes së ajrit nga fabrika e bllokave në Skënderaj, Nacionale ka kërkuar sqarime nga Ministra e Ambientit e udhëhequr nga ministri Liburn Aliu. Ata, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Ambienti

Lumenj apo kanalizime! Mungesa e rrjetit të ujërave të zeza ndot ambientin në qytetet e Kosovës

Published

on

Lumenjtë e Kosovës vazhdojnë të ndoten nga ujërat e zeza, qytetarët shprehen të dëshpëruar për mungesën e rrjetit të kanalizimit, derisa raportet ndërkombëtare shohin progres të kufizuar në përkujdesjen ndaj mjedisit në Kosovë.

Në afërsi të rrjedhave të lumenjve që kalojnë nëpër qytetet e Kosovës, aroma e pakëndshme është tregues i ndotjes së ujërave. Si pasojë e mungesës së kanalizimit, ujërat e ndotura janë një nga të këqijat me të cilat vazhdojnë të përballen qytetarët e vendit.

Qendrat e qyteteve të vendit zakonisht lidhen me nga një urë nën të cilën kalojnë rrjedha lumore. Uji i tyre që do duhej të ishte i pastër si pika e shiut, shpesh i ngjan ujit të pusetave. Ndotja më e madhe e lumenjve shkaktohet nga derdhja e ujërave të zeza nga shtëpitë dhe bizneset.

Uji i zi e ngjyrë kafe, mbetje amvisërie e industriale, ia kanë tjetërsuar pamjen pasurive ujore, sa të japin përshtypjen e një shëmtie të madhe.

Shumica e komunave ende nuk kanë impiante për trajtimin e ujërave të zeza. Rrjedha e qetë e lumenjve gradualisht po mbytet nga jehona ogurzezë e ndotjes. Shkatërrimi mjedisor i lumenjve të Kosovës paraqet një kërcënim të madh për ekuilibrin ekologjik të vendit, shëndetin e njerëzve dhe mirëqenien e përgjithshme.

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ujërave të zeza rezulton me 35.49%, ku 60.10% shprehet në treguesin për realizimin e planit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimit, ndërsa 73.23% e ekonomive familjare, institucioneve publike dhe njësive biznesore të 27 komunave janë të kyçura në sistemin e kanalizimit.

Edhe pse Raporti i Progresit për vitin 2022 tregon se Kosova ka bërë disa përparime në harmonizimin e legjislacionit për ujërat me Acquis communautaire të BE-së, megjithatë është vlerësuar si progres i kufizuar. Aty shkruan që ujërat e zeza dhe shkarkimet e patrajtuara mbeten burimet kryesore të ndotjes së ujit, veçanërisht në lumenj.

Rrjedha e lumit Tërstena, që kalon nëpër qytetin e Vushtrrisë, nuk dallohet nëse është ujë lumi, apo llavë kanalizimi. Aroma e padurueshme i shqetëson qytetarët e asaj ane, më së shumti ata që jetojnë skaj lumit. Ata nuk fajësojnë banorët e fshatrave, por pushtetin lokal që nuk po shtrin rrjetin e kanalizimit në gjithë territorin e komunës.

Shtëpia e Leonora Xhakolit gjendet përskaj urës. Shpeshherë aroma është aq e keqe sa që duhet t’i mbyllësh hundët kur kalon rrugën andej.

“Lumi Tërstena në shumicën e kohës është i ndotur, pavarësisht që komuna mundohet herë pas here ta pastrojë.  Kjo vjen si pasojë e mungesës së kanalizimit, por edhe për shkak të banorëve përreth.  Ata nuk janë aspak të ndërgjegjshëm duke hedhur kështu mbeturinat e tyre personale në lumë”- tha Xhakoli.24.34% është shtrirja e kanalizimit në Vushtrri në vitin 2021.Raporti i performancës për vitin 2021 vë në pah që rreth 53.44% të ekonomive familjare, institucioneve publike dhe bizneseve janë deklaruar të përfshira në sistemin e kanalizimit. Në vitin 2020 ishte 74.19%.  Në anën tjetër, zbatimi i aktiviteteve nga plani për ndërtim dhe mirëmbajtje të sistemit të kanalizimit është raportuar të jetë 60.10% për dallim nga 86.54% sa ishte në vitin 2020.

Në Graçanicë, shitësit e blerësit tregun e së martës e bëjnë në afësi të rrjedhës së lumit Graqanka. Lumi kishte marrë ngjyrë kafe, ndërsa aroma ishte e pakëndshme për të shitur fruta të freskëta matanë tij.

Në Graçanicë rreth 38.46%  është i shtrirë rrjeti i kanalizimit, sipas të dhënave të vitit 2021.Jo shumë larg Graçanicës, për banorët e kryeqytetit ujërat e ndotura janë problem i kahmotshëm. Rrjedha e lumit Prishtina i përngjan një kolektori të ujërave të zeza të mbledhura në një vend. Shumica e fshatrave në komunën e Prishtinës nuk kanë trajtim të duhur të ujërave të zeza.

Shumë prej ujërave të ndotura derdhen në liqenin e Badovcit apo ka edhe raste kur kanë depërtuar në ujërat e puseve. Përpos fshatrave, ujërat e zeza dalin në sipërfaqe edhe në zonën urbane, sidomos gjatë kohës kur ka reshje.Në fillim të këtij viti, ishin ndarë 900 mijë euro për  ndërtim, rikonstruktim e sanim të kanalizimeve në fshatrat e kryeqytetit: Bardhosh, Barilevë, Besi, Bërnicë, Busi, Grashticë, Hajvali, Lebane, Llukar, Makoc, Matiqan, Mramor, Prugoc, Rimanishtë, Sinidoll, Siqevë, Slivovë, Sharban, Shkabaj, Tenezhdoll, Trudë, Vranidoll dhe Çagllavicë.

Në Prishtinë 49.64% e territorit është e mbuluar me kanalizim, në bazë të raportit të performancës.

Sipas një raporti të vitit 2020 nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, 90% e ujërave të zeza në Kosovë në mënyrë direkte ose jo shkarkohen në lumenj pa filtrimin e duhur. Në tre vitet para qershorit 2020, 32 milionë euro ishin parashikuar për filtrim të ujërave të zeza por vetëm 2.2 milionë euro u shpenzuan në të vërtetë.

Në jug të Kosovës, në komunën me shumicë serbe, Ranillug, pak pa hyrë në fshat gjendet një urë me ngjyra të flamurit serb, nën të cilën rrjedh uji i Moravës së Binçës. Ndërkaq, brenda fshatit, në pjesën e betonuar për rrjedhën e lumit nuk shihej ujë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Ndotja e ajrit ishte “përgjegjëse për më shumë se 250.000 vdekje” në Evropë

Published

on

Grimcat e ndotura të imta të ajrit kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 250.000 personave në Bashkimin Evropian më 2021, u tha në një raport të Agjencisë Evropiane për Mjedis (EEA), të publikuar më 24 nëntor.

Grimcat e imta apo PM2.5, iu referohen grimcave që kryesisht krijohen nga tymi që lirohet nga makinat dhe termocentralet me qymyr.

Këto grimca të imta mund të hyjnë thellë në traktin respirator, duke shkaktuar rrezik që njerëzit të preken nga bronkiti, astma dhe sëmundje të mushkërive.

“Sipas vlerësimeve të fundit të EEA-së, të paktën 253.000 vdekje në BE më 2021 u janë atribuuar ekspozimit ndaj grimcave PM2.5, që ishin të ndotura përtej nivelit të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, u tha në raportin e kësaj agjencie të BE-së.

Agjencia tha se këto vdekje “ka qenë e mundur që të shmangen… nëse përqendrimet e grimcave të imta do të ishin në nivelin e rekomandimeve të OBSH-së”.

Raporti paraqet shifra më të larta të vdekjeve krahasuar me vitin 2020, kur për shkak të ndotjes së ajri ishte vlerësuar se kishin vdekur 238.000 persona.

Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis rritja e numrit të vdekjeve mund të shpjegohet me rritjen e ekspozimit ndaj ndotësve dhe me rritjen e mortalitetit në Evropë, kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Sarajeva është qyteti i tretë më i ndotur në botë, pas Nju Delhit dhe Lahores

Published

on

Sot në mëngjes, Sarajeva është qyteti i tretë më i ndotur në botë, pas Nju Delhit dhe Lahores. Siç raporton portali i Sarajevës Klix, banorët e Sarajevës janë mësuar, gjatë muajve të dimrit, që qyteti mban një pozitë famëkeqe të lartë në shkallën e qyteteve më të ndotura në botë.

Me ardhjen e motit të ftohtë, ajri i nëntorit, dhjetorit dhe janarit mund të etiketohet si “shumë i pashëndetshëm”, që është rasti edhe sot në mëngjes.

Për këtë arsye janë dhënë paralajmërime, të cilat duhet të merren parasysh kur cilësia e ajrit vlerësohet si më e keqja.

Ndotja e ajrit është veçanërisht e dëmshme për personat me sëmundje të frymëmarrjes si astma, sëmundjet e mushkërive dhe zemrës, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit, por edhe për njerëzit e shëndetshëm, ndaj rekomandohet shmangia e aktiviteteve në natyrë.

Zonat më të ndotura në Sarajevë janë afër stacioneve matëse pranë Ambasadës Amerikane dhe Otokës, ndërsa ajri pranë Vijećnicës, Bjalavit dhe Ilidžës është shënuar si “i pashëndetshëm”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending