Connect with us

Ambienti

Fabrika e Bllokave në Skenderaj akuzohet nga banorët për ndotje të ambientit

Published

on

Dikur konsiderohej si arritja më e madhe ekonomike në Drenicë. Por tash, fabrika e bllokave që punëson afërsisht 50 punëtorë, po akuzohet nga banorët e Skënderajt për ndotjen e ambientit. Pronarët, që janë vëllezërit e njohur Geci nga Llausha, thonë se asnjëherë nuk kanë pranuar ankesa nga banorët.

Ndërsa, komuna e Skënderajt, deklaroi se për shkak të kompetencave të kufizuara, ankesat e banorëve i kanë adresuar në Ministrinë e Ambientit, e cila, përkundër interesimit të Nacionales, nuk ka kthyer përgjigje.

E funksionalizuar në vitet e 80-ta, fabrika e bllokave e ndërpreu punën gjatë kohës së luftës, për t’ia rifilluar në vitin 2005, kur Agjencia e Privatizimit ia shiti kompaninë vëllezërve Geci, shkruan Nacionale.com.

Tani kjo fabrikë ka afërsisht 50 punëtorë, varësisht nga kërkesa e tregut.

Pavarësisht përfitimeve ekonomike që i sjell komunës së Skënderajt, qytetarët ankohen se po ua pamundëson jetën banorëve që jetojnë në afërsi të kësaj fabrike.

“Si të çohem duhet me ndejtë me një leckë n’dorë me e fshi tavolinën e oborrit, tani me hi mrena me bo kafen, se s’ki çka sheh nga mbetjet që vijnë prej fabrikës”, fillon rrëfimin një banore e lagjes 2-3 në Skënderaj, e cila insistoi të mbetet anonime për arsye personale.

As bahçet e mbjella me perime nuk po i shpëtojnë pluhurit që vjen nga kjo fabrikë.

“Këtu kam mbjellë kepë, kastraveca, patlixhana… qysh po e sheh edhe ti vetë, krejt janë me hi që vjen prej fabrikës. Krejt gjethet e mbuluara, po edhe fryti, përveç kepëve që janë ndër dhe, se përndryshe asnja nuk hahet këtu”, tha banorja, që ankohet pa ndalur për problemin e ndotjes nga fabrika e vëllezërve Geci.

Por, e njëjta nuk qëndron për pronarët e kësaj fabrike. Vëllezërit Geci insistojnë se pluhuri që lëshon fabrika është një ndotje e vogël që nuk i bën dëm askujt.

“Më pasë kanë e damshme unë më së pari nuk i kisha lënë femijët e mi këtu me jetu, e as veten. Nëse del najkush prej komunës a prej qeverisë që na thotë se jemi tu shkaktu ndotje të ajrit, atëherë ne e ndalim prodhimin. Mund të ketë pak ndotje, ama nuk është e dëmshme”, tha njëri nga vëllezërit e shumtë Geci.

Ata pohojnë se asnjëherë nuk kanë marrë ankesa nga ndonjë banor, por disa individë po tentojnë t’ua prishin imazhin.

Një banor tjetër i rrethinës, rrëfeu për Nacionalen problemet që po ua shkakton ndotja e ajrit nga fabrika e bllokave.

“Ata atje as që dojnë me ni për këtë punë, e as që dojnë me ditë që na çdo ditë përballemi me problemet e njëjta. S’kem çka dalim në oborr, s’mundemi me i vendosë teshat në tel, as verë e as dimër. Fasadat e shpijave krejt janë nxi, këqyre anej bahçen që kemi mbjellë, krejt të hinta. Mos me mujtë njeri me dalë në oborr të vetin, se s’dojnë me harxhu për filtera”, i tha Nacionales D.H. në kushte anonimiteti.

Por, informacione të tjera ka nga Komuna e Skënderajt. Institucionet komunale, që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, i treguan gazetës Nocionale se në adresë të tyre kanë pranuar ankesa nga banorët. Megjithatë, për shkak të kompetencave të kufizuara, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë. Por, të njëjtat, thonë t’i kenë adresuar në nivelin qendror.

“Edhe në të kaluarën kemi pranuar ankesa nga banorët e zonës në afërsi me fabrikën. Në mungesë të inspektorit të mjedisit, ne ankesat e tyre i kemi adresuar në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, meqë është në kompetencën e kësaj ministrie që përmes aparaturës përkatëse të bëhet matja e nivelit të emetimit të gazrave nga tymtarët e objekteve industriale. Si Drejtori Komunale e Inspekcionit, nuk kemi ndonjë raport inspektimi”, tha Valon Halili nga Drejtoria e Inspektoriatit të komunës së Skënderajt.

Pronarët e fabrikës çuditen se pse banorët po i adresojnë ankesat e tyre përmes mediave, e jo direkt në adresë të tyre.

“Qëllimin s’e di ku e kanë, ata duhet me ardhë drejt e tek ne, jo me shku përmes mediave, pasi që mediat e drejtojnë ketë temë siç dojnë ato, dhe ne mundemi me u dëmtu”, shton njëri nga vëllezërit Geci.

Vëllezërit Geci, me gjithë këmbënguljen tonë për një sqarim më të gjerë se si kanë planifikuar vendosjen e filtrave, nuk kanë ofruar një përgjigje më të qartë.

As Inspektorati Komunal nuk tregoi nëse ata kanë inspektuar ndonjëherë fabrikën, pavarësisht ankesave të mëdha nga banorët.

Kosova kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket vdekjeve nga ndotja e ajrit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, Kosova ka mbi 3000 vdekje në vit si pasojë e ajrit të ndotur.

Për çështjen e ndotjes së ajrit nga fabrika e bllokave në Skënderaj, Nacionale ka kërkuar sqarime nga Ministra e Ambientit e udhëhequr nga ministri Liburn Aliu. Ata, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Ambienti

Raportimi në media për ndryshimet klimatike duhet të kthehet në prioritet

Published

on

Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën dhe shkencëtarët, por edhe për të prodhuar konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.

Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.

Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun.

Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.

Takimi është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i rolit të medias në adresimin e emergjencës klimatike,” të mbështetur nga Smart Balkans, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, dhe koordinuar në nivel rajonal nga Shkolla e Gazetarisë Novi Sad./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ambienti

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës!

Published

on

Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës dhe sistemet e saj ujore janë nën stres në rritje. Mungesa e ujit prek 30% të evropianëve dhe 20% të tokës çdo vit. Në fakt, 70% e qytetarëve evropianë kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ujit dhe mungesën e ujit, e megjithatë pothuajse gjysma e tyre nuk ndihen mirë të informuar për problemet që lidhen me ujin në vendin e tyre.

Kjo është arsyeja pse fushata #WaterWiseEU u prezantua së fundmi, një nismë që do të kontribuojë drejt një Evrope elastike ndaj ujit deri në vitin 2050.

Cikli ynë i ujit, procesi me të cilin uji lëviz nëpër tokën, detet dhe atmosferën e Tokës, është i ndërprerë dhe duhet të rregullohet. Aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike po dëmtojnë ekosistemet dhe po çojnë në më shumë avullim, më shumë përmbytje, më shumë thatësirë ​​– dhe më pak ujë për ne dhe gjithë jetën tjetër që varet prej tij.

Fushata e komunikimit #WaterWiseEU, e cila do të zgjasë deri në vjeshtë, synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth kësaj dhe të ndriçojë në qendër të vëmendjes zgjidhjet e shumta të disponueshme. Zgjidhje të tilla si rritja e ruajtjes natyrore të ujit, rimbushja e ujit nëntokësor dhe rindërtimi i shëndetit të tokës, por edhe menaxhimi i zgjuar i ujit, efikasiteti i ujit dhe ripërdorimi.

Duke punuar së bashku, ne mund të ndryshojmë perceptimet ekzistuese për ujin dhe ‘Shiko ujin ndryshe’, siç thuhet në sloganin zyrtar të fushatës.

Fushata ka zhvilluar një sërë asetesh, duke përfshirë pamje të gatshme dhe mesazhe, të cilat po i vë në dispozicion të partnerëve të fushatës për t’i përdorur. Partnerët inkurajohen t’i përdorin këto mjete për të ndezur një bisedë, për të organizuar ngjarje dhe për t’u lidhur me veprimet e tyre të komunikimit./Media Ndërtim

Continue Reading

Ambienti

Zgjerohen shtigjet në Parkun e Gërmisë drejt Gollakut

Published

on

Projekti i zgjerimit të shtigjeve në Parkun e Gërmisë është një iniciativë e rëndësishme që ka mundësuar ndërlidhjen e zonave të banimeve përreth Parkut të Gërmisë me rrjetin qendror të shtigjeve. Ky projekt përfshiu katër shtigje të reja të cilat u inkorporuan në hartën e përgjithshme turistike të Parkut të Gërmisë, të plotësuar me:

Harta të Detajuara: Sigurimi i hartave të reja dhe të azhurnuara për vizitorët.

Digjitalizim: Përfshirja e shtigjeve në platforma digjitale për lehtësimin e aksesit dhe navigimit.

Shenjëzim: Vendosja e shenjave orientuese dhe informative për të drejtuar vizitorët në shtigje të ndryshme.

Kioska Informative Malore: Krijimi i kioskeve që ofrojnë informacione të nevojshme për vizitorët.

Kryeqyteti Prishtina vazhdon të avancojë drejt konceptit shëndetësor, rekreativ dhe turistik të shtigjeve. Ky projekt ka vendosur këtë zonë në hartën turistike dhe kulturore të rajonit, duke promovuar:

Turizmi i Qëndrueshëm: Përqendrimi në aktivitete që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që mbështesin ruajtjen e tij.

Ambientalizmi: Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.

Gjithëpërfshirja: Përfshirja e banorëve të Prishtinës në proceset vendimmarrëse dhe aktivitete mjedisore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending