Connect with us

Infrastrukturë

Eksportet e Kosovës drejt Gjermanisë arrijnë vlerën mbi 50 milionë euro

Published

on

Në 7-mujorin e parë të këtij viti, eksporti i produkteve nga Kosova në Gjermani ka arritur vlerën 52 milionë euro, derisa importi nga ky shtet evropian në vendin tonë arrin vlerën e mallrave në 414 milionë euro.

Ndërkaq, sipas statistikave mes dy vendeve, Investimet e Huaja Direkte nga janari deri në qershor të këtij viti kapin vlerën 92 milionë euro.

Kështu është bërë e ditur nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare gjatë një takimi me një delegacion i lartë gjerman, të cilët janë informuar për ekonominë e Kosovës.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani ishte pjesë e pritjes së delegacionit të lartë gjerman, të organizuar nga Zyra e Fondacionit Politik gjerman Konrad Adenauer Stiftung (KAS).“Ajo që u vu në pah, ishte se Kosova ka partner kryesor Gjermaninë në të bërit biznes që nga paslufta. Këtë e thojnë statistikat mes dy vendeve, ku Investimet e Huaja Direkte nga janari deri në qershor të këtij viti kapin vlerën 92 milionë euro. Në anën tjetër eksporti i produkteve kosovare në Gjermani në 7-mujorin e parë të këtij viti ka mbërritur 52 milionë euro, përballë importit nga Gjermania në Kosovë me 414 milionë euro”, thuhet në komunikatën e OEGJK-së.

Me një përbërje prej udhëheqësish të organizatave, odave dhe zyrave ekonomike gjermane, interesimi i këtij delegacioni ishte i fokusuar në aspektin ekonomik./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

Ndryshojnë rregullat për lejet e ndërtimit në Shqipëri

Published

on

Qeveria ka vendosur që të ndryshojë rregullat për regjistrimin e lejeve dhe kontratave të porosive që firmosen paraprakisht mes palëve.

Janë jo të pakta apartamentet që shiten pa përfunduar përmes kontratave të porosisë, apo rastet kur zhvilluesi i pronës (investitori) hyn në një marrëveshje paraprake me pronarët e truallit, ndaj Qeveria ka vendosur që të ndryshojë edhe rregullat për regjistrimin e këtyre lejeve dhe kontratave që firmosen paraprakisht mes palëve.

Në udhëzimin e botuar në fletoren zyrtare përcaktohet qartë, që regjistrimi i lejes do të bëhet nga Kadastra, kur akti notarial ndërmjet zhvilluesit dhe pronarit të tokës përmban të dhëna të plota, ç’ka nënkupton numër pasurie, zonë kadastrale, sipërfaqe, kufij, pozicion gjeografik për evidentimin e pasurisë, të cilat përputhen me të dhënat e pasqyruara në regjistrin kadastral.

Po ashtu, duhet që të dhënat në përmbajtje të aktit për njësitë të jenë të individualizuara sipas planimetrive, të miratuara me lejen e ndërtimit.

Kur gjatë shqyrtimit të kërkesës për regjistrim rezulton, se aktet noteriale të lidhura ndërmjet investitorit dhe pronarit të truallit apo porositësve kanë mangësi, bëhet njoftimi i tyre duke iu lënë 30 ditë afat për plotësimin e dosjes, shkruan SCAN tv.

“Nëse pas kalimit të afatit këto të meta nuk plotësohen, nga ASHK-ja refuzohet regjistrimi i aktit”, theksohet në dokument.

Regjistrimi refuzohet po ashtu edhe kur në kontratën e porosisë ka devijime nga planimetria.

“Kur në regjistrin kadastral, në kartelën e pasurisë “truall”, rezultojnë të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi akte noteriale ndërmjet pronarit të truallit dhe zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, në të cilët nuk është individualizuar pasuria që do të përfitojë pronari i truallit,

ASHK-ja në momentin e paraqitjes për regjistrim në regjistrin e lejes të kontratave të sipërmarrjes/porosisë apo premtimshitjes ndërmjet investitorit me pronarin e truallit apo me të tretë, verifikon nëse të dhënat mbi njësitë në këto akte janë të individualizuara sipas planimetrive, që i bashkëlidhen lejes së ndërtimit.

Në rast mospërmbushjeje të këtij detyrimi, regjistrimi i tyre refuzohet.”, përcaktohet në udhëzim./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Aliu: Në vjeshtë nisin ndërtimet e objekteve banesore për banim social

Published

on

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se gurthemeli për ndërtimin e katër objekteve banesore për banim social dhe të përballueshëm do të vihet në vjeshtë.

Pas miratimit të projektligjit për banim social dhe të përballueshëm, ministri Aliu ka thënë se deri tash kanë aplikuar 13 komuna për identifikimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve banesore, ku në katër sosh do të hapet tenderi në shtator, kurse në nëntë komuna të tjera janë ende në fazën e dizajnimit të projektit.

Duke arsyetuar realizimin e këtij projekti në fundin e mandatit të qeverisë, Aliu ka theksuar se s’kanë mundur të hyjnë në fazën e realizimit të projektit pa pasur studime dhe fazë përgatitore.

Aliu ka theksuar se banesat për banim social do të mbeten në pronësi të shtetit dhe do të menaxhohen nga komunat, kurse te banimi i përballueshëm mund të aplikojnë çiftet e reja dhe punëtorët e administratës nga komunat përkatëse./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Pronat e sekuestruara të Radoiçiqit i kalojnë Policisë së Kosovës

Published

on

Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiq, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Radoiçiqin, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.

Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.

Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.

Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.

Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending