Eksperti i ndërtimtarisë, Lulzim Dema në seancën përgatitore në rastin ku paditësit N.M., Xh.M dhe F.M., kanë paditur “Durante Group” për mospërmbushje të kontratës së ndërtimit, tha se objekti për të cilin palët janë në kontest, teknikisht nuk plotëson kushtet për banim.
“Kam vlerësuar dhe konstatuar se teknikisht sipas standardeve, objekti ndërtimor nuk është në kushtet teknike për banim”, tha eksperti Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, me pajtimin e palëve në procedurë, ku për palën paditëse e pranishme ishte Xh.M., dhe për të paditurin “Durante Group”- avokati Ibrahim Dobruna, u konsideruan të lexuara të gjitha veprimet e ndërmarra nga gjykatësi paraprak.
Paraprakisht, gjykatësi i rastit Shaban Prekalla ka aprovuar propozimin e avokatit Dobruna dhe përfaqësuesit të palës paditëse, avokatit Musa Damati për nxjerrë ekspertizë financiare që të llogaritet fitimi i humbur prej 1 nëntorit të vitit 2006 e deri në datën e përpilimit të ekspertizë.
Më pastaj, seanca vazhdoi me dëgjimin e ekspertit Dema, ku gjykatësi Prekalla njoftoi se eksperti Dema ka përpiluar dy ekspertiza, një për palën paditëse dhe një për palë të paditur.
Eksperti tha se investimet janë bërë nga vetë pala paditëse në objekt, përveç ndërtimit të vrazhdë që e ka bërë pala e paditur “Durante Group”.
“Po, deklaroj se pala paditëse objektet të cilat sipas kontratës dhe marrëveshjes janë dakorduar palët, investimet i kanë bërë të gjitha vetë, përveç punës së vrazhdë ndërtimore…”, tha eksperti Dema.
I pyetur nga avokati Dobruna, eksperti Dema tha se ka poseduar dokumentacione të mjaftueshme për të dhënë përgjigje në detyrat që gjykata ia ka caktuar për të përpiluar ekspertizë.
Po ashtu, ai deklaroi se dokumentacioni i ofruar na pala e paditur ka qenë në kopje dhe nuk kanë qenë të noterizuara si dokumente.
Sipas padisë së ushtruar më 30 gusht 2007, N.M, S.M dhe F.M kanë ushtruar aktpadi për moskryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet tyre dhe B.G pronarit të “Durante Group Real Estate Development”.
Përmes padisë, është kërkuar nga B.G., që të kryejë objektin e ndërtimit sa më shpejtë dhe t’ua paguajë paditësve të gjitha obligimet financiare deri në dorëzim të çelësave të banesave dhe lokaleve.
Po ashtu, paditësit më 19 shkurt 2021 kanë bërë precizim të padisë duke qenë pjesë e palës paditëse edhe Xh.M. Ata kërkuan që të aprovohet në tërësi padia, ashtu që B.G., të obligohet që për shkak të mospërmbushjes së kontratë të paguajë shumën prej 300 mijë euro.
Ndërkaq, më 26 gusht 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin është lejuar ndryshimi i padisë në kuptimin subjektiv për palën paditëse, ashtu që në vend të paditësit S.M i cili ka vdekur, si paditës do të jenë trashëgimtarët e tij- bashkëshortja XH.M dhe fëmijët M.M, E.M dhe E.M.
Mirëpo, i padituri G., më 29 tetor 2021 paraqiti kundërpadi, duke kërkuar nga gjykata që padia e palës paditëse të hudhet poshtë ose të refuzohet në tërësi, duke kërkuar që tani paditësit t’i njihet fitimi i humbur në vlerën prej 49 mijë e 300 euro dhe dënim jomaterial e dëmtimin e imazhit në vlerën prej 8 mijë e 500 euro./Media Ndërtimi