Si pjesë e Programit EU4Culture, ekspertë të Institutit të Konservimit të Universitetit të Arteve nga Vjena, erdhën në Shqipëri për të ndarë ekspertizën e tyre me zejtarët shqiptarë që punojnë në Kalanë e Bashtovës që po restaurohet.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e kalasë.
“Ekspertët po punojnë së bashku për të siguruar që kjo perlë kulturore të restaurohet, duke marrë parasysh punimet tradicionale, materialet origjinale të vendit dhe teknologjitë e konservimit për të arritur rezultatet më të mira të mundshme”, ka shkruar Margariti.
Margariti bëri të ditur se ekspertët nga Vjena bashkë me studentët e Universitetit të Tiranës studiuan dëmtimet e gurëve dhe mësuan teknika shekullore të përzierjes së llaçit dhe punimit të fugave, duke siguruar përcjelljen e mjeshtërive për të mundësuar restaurimin e saktë të pjesëve të dëmtuara të muraturës.
Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave
Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash./Media Ndërtimi