I dëmtuari në cilësinë e dëshmitari, Zymer Elshani ka thënë se inspektorit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Gazmend Jasharit ia kishte dhënë 50 euro dhe se këtë e kishte bërë me qëllim që i njëjti të ndalohej nga policia.
Këtë deklaratë Elshani e ka bërë në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku për “Marrje ryshfeti” po akuzohet inspektori e ATK-së, Gazmend Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, bashkë më të akuzuarin Jashari akuzohej edhe inspektori Adnan Jupolli por që me 21 dhjetor 2020, ai ishte i shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e i cili vendim ishte vërtetuar edhe nga Apeli.
Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, dëshmitari Elshani ka deklaruar se i ka pas parasysh pasojat kur i kishte dhënë ato para inspektorit, por që sipas tij, këtë e kishte bërë me qëllim që inspektorët të kapeshin atë ditë nga policia.
“Po e kam ditë edhe pse nuk me ka paralajmëruar polici por e kam bërë me qellim që t’i zej polica dhe t’i shofin çfarë bëjnë”, tha dëshmitari.
Ai ka deklaruar se sikur të ju kishte dhënë 200 euro të cilat i kishin kërkuar inspektorët atë ditë, ata nuk do ta dënonin asnjëherë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 dhjetor 2020, kishte shpallur aktgjykim dënues, për të akuzuarin Gazmend Jashari për marrje të ryshfetit dhe të njëjtin e kishte shpallur fajtor dhe me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh me mundësi zëvendësimi në dënim me gjobë në vlerë prej 3600 euro, si dhe me dënim me gjobë në shumë prej 1500 euro.
Kurse, i akuzuari Adnan Jupolli është liruar pasi sipas kryetarit të trupit gjykues, Isuf Makolli, nuk është provuar se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.
Ndërsa për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, respektivisht për pikën dy të aktakuzës, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues.
“Ndërsa, për piken dy të dispozitivit të aktakuzës refuzohet aktakuza për shkak se ekzistojnë rrethana tjera që e përjashtojnë ndjekjen penale ndaj të akuzuarve”, ka thënë Isuf Makolli.
Por, Gjykata e Apelit me 19 mars 2021, e kishte kthyer këtë rast në rigjykim vetëm për të akuzuarin Jashari, ndërsa ka vërtetuar pjesën liruese për të akuzuarin Jupolli.
Sipas aktakuzës, Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli akuzoheshin se më 13 shkurt 2020, rreth orës 12:30, në cilësinë e personave zyrtarë-inspektorë tatimorë në Administratën Tatimore të Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare-kontrollit të lokalit “Froni” në Bresje të Fushë Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në bashkëveprim kanë kërkuar dhe kanë pranuar ryshfet kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, nga pronari i lokalit Zymer Elshani, i cili nuk ka pasur arkë fiskale.
Gjithnjë sipas akuzës, të pandehurit e lartcekur fillimisht i kanë thënë pronarit se mund ta dënojnë deri në një mijë euro (1000 euro), mirëpo nëse i njëjti u ofron ryshfet shumën fillimisht prej 200 euro, mund të mos i shqiptojnë gjobën dhe të largohen./Media Ndërtimi.