Ministria e Punëve të Brendshme, muaj më parë kishte hapur konkurs për pozitën “Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës”. Pozitë kjo, e cila është në kuadër të ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Procesi tashmë ka arritur tek lista e ngushtë, e cila u bë publike me 7 shtator. Por edhe kësaj pozite, ia kanë mësyrë goxha njerëz të afërt me pushtetin, Lëvizjen Vetëvendosje.
Nga gjithsej 6 kandidatë, të cilët kanë arritur të hyjnë në garë të ngushtë, 3 nga ta, kanë lidhje me partinë në pushtet.
Madje kandidati i parë, Blerim Jashari i cili me profesion është gjeodet, Nacionale merr vesh se është baxhanaku i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zybës.
Gazeta ka provuar të kontaktojë me Jasharin, për të kuptuar, nëse në këtë pikë që ka arritur në konkurs, ka ndikuar pushteti i baxhankut të tij, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
I dyti në këtë listë është Edon Maliqi, me të cilin deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka postuar foto me të muaj më parë.
Por përveç kësaj, Maliqi është edhe ligjërues në universitetin privat, UBT, të cilin e drejton Edmond Hajrizi, një mik goxha i mirë i ministrit të Mjedisit, ku edhe është hapur konkursi, Liburn Aliu.
Edhe ish këshilltarja e Kurtit në garë për këtë pozitë
Nora Kelmendi, e cila është e pesta në këtë listë, është një tjetër kandidate potenciale për të marrë këtë pozitë.
Nacionale javë më parë, kishte raportuar se Kelmendi, është kandidate e rrethit të ngushtë, me më së shumti gjasa për të marrë këtë pozitë, të lartë drejtuese.
Nora Kelmendi kishte qenë ish këshilltare e Kryeministrit Kurti, gjatë Qeverisë Kurti I.
Ajo gjithashtu ishte edhe ish shefe e kabinetit, të ish ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
E njejta kishte dhënë dorëheqje ditën kur u emërua ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Po kam dhënë dorëheqje dje. Nuk kam ndonjë arsye tjetër, përveç angazhimeve pasi tani jam zgjedhur edhe asambliste. Kam qëndruar në kabinet pas dorëheqjes së ministrit Vitia, për të mos ngecur projektet. Tani është ministri i ri, por dorëheqja ime nuk ka të bëj me të”,kishte deklaruar Kelmendi.
Po ashtu, ajo është edhe anëtare e Vetëvendosjes dhe madje edhe asambleiste e kësaj partie në komunën e Prishtinës.
Në garën e saj për asambleiste, znj. Kelmendi kishte marrë një numër befasues të madh votash, plot 1782 ose gati sa duheshin për të fituar garën edhe si deputete e Kuvendit të Kosovës.
Ajo më herët ka qenë edhe drejtoresë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës./Media Ndërtimi.