Connect with us

Trashëgimia Kulturore

Dokumentimi i nevojshëm për turizmin rural dhe trashëgiminë shpirtërore

Published

on

Konferenca e organizuar nga EC Ma Ndryshe me temën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore – Një e ardhme e domosdoshme?” është mbajtur të mërkurën  në Kino Lumbardhi në Prizren. Në këtë aktivitet janë prezantuar edhe rezultatet e projekteve “Hartëzimi i Turizmit Rural në Jug të Kosovës” si dhe “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës”, si kontribut i radhës në dokumentimin, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore të rajonit jug, duke përfshirë komunat: Prizren, Rahovec, Mamushë, Dragash, Suharekë dhe Malishevë.

Dy projektet e EC-it janë ideuar në atë mënyrë që të rrisin ndërgjegjësimin e institucioneve vendore dhe qendrore për konceptin ende të pazhvilluar dhe të pa eksploruar tërësisht të turizmit rural në njërën anë, dhe atë të promovimit të trashëgimisë shpirtërore në anën tjetër, si faktor të qëndrueshëm që ofrojnë edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.

Projekti “Hartëzimi i Turizmit Rural në Jug të Kosovës” ka synuar dokumentimin dhe hartëzimin e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore me potencial turistik rural, që janë të përfshira në platformën e turizmit rural “Kosova Rural Tourism”. Ndërsa, projekti “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës” është vazhdimësi e përpjekjeve të EC në mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, duke synuar më saktësisht ruajtjen e zanatit të punimit të dollamave dhe promovimit e transferimit të njohurive përmes trajnimeve të grave dhe vajzave të komuniteteve me prejardhje të ndryshme etnike nga rajoni jugor i Kosovës.

Në këtë konferencë janë diskutuar mundësitë, potencialet dhe nevoja e promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me përfaqësues të institucioneve, profesionistët nga fusha e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, përfaqësuesit e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, bizneseve e mediave.

Drejtori ekzekutiv i EC-it, Valon Xhabali ka bërë të ditur se Platforma që synon promovimin e turizmit rural prezanton pasuritë kulturore, natyrore e shërbimet. Po ashtu ka deklaruar se me synimin për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë shpirtërore, janë aftësuar 24 gra për punimin e dollamave.

Në panelin e parë të konferencës, është trajtuar rëndësia e njohjes, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si potenciale të zhvillimit të turizmit rural.

Lumturije Geci nga Departamenti i Turizmit në MINT ka thënë se lansimi i kësaj platforme do të ndikojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit, jo vetëm në rajonin jugor por edhe më gjerë.

Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se këso platforma duhet të krijohen edhe prej nivelit qendror, për informimin më të mirë të turistëve dhe vizitorëve.

Adem Morina, drejtor i DKRS-së në Komunën e Prizrenit ka shpjeguar se si qeveria komunale me investime në infrastrukturë përpiqet që të nxisë zhvillimin e turizmit rural.

Halim Gjergjizi nga Shoqata për Promovimin e Turizmit Malor të Kosovës ka tërhequr vëmendjen për nevojën e zbatimit të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, që deri më tani ka munguar, dhe si rrjedhojë ka pasur edhe degradim të aseteve natyrore të Kosovës.

Ndërkaq në panelin e dytë është diskutuar lidhur me ruajtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku ka thënë se trajnimi për artizanatin e “dollamave” është një formë konkrete e mbrojtjes së pasurisë shpirtërore. Sipas tij institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, sikurse edhe sektorët tjerë.

Lumnije Kadriu, etnologe nga Instituti Albanologjik ka vënë në pah nevojën për dijen e shkathtësitë për krijimin e dollamave përkatësisht rikrijimin e trashëgimisë shpirtërore, derisa antropologia Arbnora Kolgjeraj ka thënë se trashëgimia shpirtërore rrezikon zhdukjen në mungesë të dokumentimit.

Sociologu dhe gazetari, Artan Krasniqi ka propozuar bashkëpunim më të ngushtë mes gazetarëve e ekspertëve në mënyrë që me ndërveprimin e tyre produktet e trashëgimisë shpirtërore të konservohen dhe të promovohen.

Arta Bytyqi, përfaqësuese nga bizneset lokale të veshjeve tradicionale ka pohuar se me qasjen e duhur mund të jetësohet edhe aktiviteti ekonomik, që sjellë dobi të shumanshme për komunitetin

Trashëgimia Kulturore

Trashëgimia kulturore në luftë me zjarret

Published

on

Muret, shkallët dhe disa dyer e dritare i kanë rezistuar zjarrit të madh, ndoshta për të mbetur dëshmia e vetme për vjetërsinë qindravjeçare të objektit.

Kulmi, i cili dikur ishte i mbuluar me tjegulla tradicionale, nuk shihet më. Aty kanë mbetur vetëm drunjtë që shpërfaqin vjetërsinë dhe veçantinë e objektit. Struktura nuk ka humbur, vërehet stili osman i ndërtimit mbi themelin me gurë.

Kjo është shtëpia e familjes Koroglu, e cila besohet të jetë ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIX.

Shtëpia konsiderohet prej më të vjetrave në jug të Mitrovicës dhe karakterizohet si tip i çardakut të mbyllur. Ajo nuk ka pësuar shumë ndryshime gjatë historisë, veçse sot është e rrethuar me ndërtesa shumëkatëshe.

E ndërtuar 300 vjet më parë, shtëpia ndodhet jo larg nga qendra e vjetër e qytetit dhe ende e ruan karakterin e destinuar për banim, edhe pse nuk shfrytëzohet si e tillë tash e një kohë.

Objekti, i cili është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojte të përkohshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), u përfshi nga zjarri mbrëmjen e 31 tetorit – deri tani në rrethana të panjohura.

Deri tani janë të regjistruara tri raste të përpjekjeve për ta dëmtuar shtëpinë në Mitrovicë të Jugut, e cila gjithashtu ka pësuar nga moti me shi.

Sipas Fondit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosovo), problemet do të evitoheshin me hartimin e planit të konservimit dhe me mbajtjen nën kontroll të ndërtimeve që ndodhin, në veçanti në zonat historike.

Sali Shoshi, nga CHwB Kosovo, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi qëndron në faktin se mbrojtja e trashëgimisë kulturore ose shpallja e tyre monumente, “nuk është treguar efektive, për shkak se nuk merret parasysh i gjithë konteksti ku ato ndërtesa janë ndërtuar”.

Trashëgimia kulturore në Kosovë mbrohet me ligj dhe dëmtimi është i dënueshëm me Kodin Penal.

Shtëpia e familjes Koroglu është objekti i tretë i trashëgimisë kulturore i djegur vetëm gjatë këtij viti.

Në muajin mars, nga zjarri është përfshirë objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj, ndërsa në gusht është djegur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Shkolla e parë shqipe, apo siç njihet gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj, tashmë është restauruar. Monumenti pritet të funksionalizohet si hapësirë kulturore e qytetit.

MKRS-ja ka njoftuar se kanë filluar punimet edhe në monumentin e Taphanës – Muzeun e Muzikës në Gjakovë – i cili është përfshirë nga zjarri muaj më parë.

Fillimisht parashihen punime në masa të sigurisë, për të vazhduar pastaj me projektin e restaurimit që synohet ta kthejë objektin në gjendjen e mëparshme.

Kosova numëron më shume se 1.500 asete që konsiderohen të rëndësishme për trashëgiminë kulturore.

Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme ka kryesisht asete arkitekturore dhe arkeologjike.

Dhjetëra objekte, të cilat përfaqësojnë vlera të rëndësishme, janë përballur me vështirësi si dhe rrezik për shkatërrim.

Policia e Kosovës, ndërkaq, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me hetimin e rasteve të djegies së tri objekteve të trashëgimisë kulturore sivjet.

Kosova ka në mbrojtje të përhershme edhe disa objekte të trashëgimisë kulturore, në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patriarkana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia Kulturore

Lista e trashëgimisë kulturore pasurohet edhe me tre asete nga rajoni i Prizrenit

Published

on

Në këtë vit, lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme pasurohet edhe me tre asete të rëndësishme nga rajoni i Prizrenit.

Shtëpia e familjes Muniku, Shtëpia familjes Tupeci dhe shkolla e vjetër në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës i janë shtuar listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme.

Kujdesi institucional për këto vlera të trashëgimisë kulturore është një investim në identitetin tonë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia Kulturore

Vazhdon inventarizimi dhe dokumentimi i trashëgimisë kulturore në Rahovec

Published

on

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prizrenit ka njoftuar se po vazhdon procesi i inventarizimit dhe dokumentimit të trashëgimisë kulturore në Komunën e Rahovecit.

“Ky projekt është një detyrë periodike që synon të na ofrojë një pasqyrë të plotë të pasurisë sonë të trashëgimisë kulturore nëpërmjet vizitave në terren”, thuhet në njoftimin e Qendrës.

Sipas këtij njoftimi, qëllimi i projektit është evidentimi i gjendjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore në regjionin e Prizrenit.

“Trashëgimia jonë është pasuri që duhet të ruhet dhe promovohet, dhe kjo është një hap tjetër drejt këtij qëllimi”, njofton QRTKP./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending