Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i dëmtuari në cilësi të dëshmitari A.R., ka deklaruar se në mënyrë të kundërligjshme i është uzurpuar prona e paluajtshme nga i akuzuari Sh.I., dhe se sipas tij i gjithë ky problem filloi me rastin e zgjerimit të rrugës për Mitrovicë.
Një deklarim të tillë rreth uzurpimit të pronës, dëshmitari A.R., e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatëses, Naime Krasniqi- Jashanica.
Sh.I po akuzohet se kundërligjshëm ka uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit A.R., dhe se në vitin 2014, ka shkuar në zyrën e inspektorit Komunal në Obiliq, lidhur me pronën, e cila është objekt i aktakuzës, duke e kanosur seriozisht me fjalët “nëse vazhdon me këtë punë, do të keni pasoja ju dhe inspektorët e tjerë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Blerim Igrishta, dëshmitari A.R ka thënë se pronën e cila është objekt i aktakuzës e kishte blerë vitin 2008 dhe pagesa ishte bërë përmes bankës.
Tutje, i njëjti ka deklaruar se të gjitha faktet lidhur me këtë proces gjenden në Kadastër dhe se prona është bartur në emrin e tij, konkretisht të kompanisë “Reforma” Sh.p.k.
Sipas dëshmitarit A.R., problemi kishte filluar me rastin e zgjerimit të rrugës për Mitrovicë, ku kishte vërejtur se në pronën e tij ishte vendosur një sasi e dheut. Për këtë, thotë se ishte ankuar në Komunën e Obiliqit.
Gjatë konstatimit të gjendjes faktike nga ana e gjeodetëve të Komunës ku kishte qenë edhe vetë prezent, tha se ishte ofenduar nga i akuzuari Sh.I., dhe për të mos shkaktuar probleme ishte larguar nga vendi.
Por, të njëjtin sipas tij e kishin kontaktuar ish-avokati dhe fëmijët e tij, të cilët i kishin kërkuar një afat për t’i larguar në mënyrë vullnetare gjërat të cilat ndodheshin në pronë. Megjithatë, dëshmitari thotë se edhe pas kalimit të afatit, nuk i ishte liruar prona.
Pas kësaj, sipas tij në vend të ngjarjes kishin shkuar gjeodetët e Komunës së Obiliqit dhe ishte bërë shenjëzimi, ku përveç tyre ishin prezent inspektorët, policia, vetë ai, si dhe i akuzuari, të cilit i ishte kërkuar lirimi i menjëhershëm i pronës.
Me këtë rast, ai thotë se i akuzuari kishte kundërshtuar dhe për pasojë ishte arrestuar.
Në pyetjen e prokurorit Igrishta se a ka pasur ndonjë pengesë nga dikush gjatë periudhës së bartjes së pronës në emrin e tij, i njëjti tha se nuk kishte pasur pengesë.
Dëshmitari A.R theksoi se uzurpimi i pronës nga i akuzuari Sh.I ., e kishte penguar në realizimin e projekteve të pretenduara.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Driton Muharremi, ndër të tjera ka pohuar se procesverbali për kontrollin inspektues mban datën 23 dhjetor 2014 dhe se më 30 tetor 2014, e kishte paraqitur rastin në polici.
Në anën tjetër, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Sh.I, avokatit Fatbardh Makolli, deklaroi se nuk i di arsyet se pse ka kundërshtuar i akuzuari Sh.I., ta lirojë pronën.
Më pas, me propozim të prokurorit Igrishta dhe me pëlqim të palëve në procedurë, u lexuan dëshmitë e dëshmitarëve Nazmi Gashi, Adem Ademaj dhe Xhavit Hoxhaj, të dhëna më parë.
Më pas, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale.
Seanca e radhës në këtë çështje penale, pritet të mbahet më 28 mars 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 prill 2015 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sh.I po akuzohet se më 19 nëntor 2014, në mënyrë të kundërligjshëm ka uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit A.R.
Në aktakuzë thuhet se pa autorizim ka ndërtuar një mini-fabrikë për ndërtimin e kubave, duke hyrë në posedim faktik të paluajtshmërisë – tokës, e cila gjendet në fshatin Llazarevë në Komunën e Obiliqit, e cila evidentohet me emrin e të dëmtuarit A.R, me sipërfaqe 6530m2.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sh.I., refuzon ta lirojë patundshmërinë në fjalë, duke penguar të dëmtuarin ta shfrytëzojë atë.
Me këtë, ai po akuzohet e ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Ndërkaq, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Sh.I po akuzohet se më 19 nëntor 2014, ka shkuar në zyrën e inspektorit Komunal në Obiliq në lidhje me pronën e cekur si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të njëjtin e ka kanosur seriozisht me fjalët “nëse vazhdon me këtë punë do të keni pasoja ju dhe inspektorët e tjerë”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.
Me këtë, ai po akuzohet e ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 185, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./Media Ndërtimi.