Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Salih Kqiku, shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit, Izet Kurteshi, dhe ish-zyrtarja e Shërbimeve Publike, Ganimete Kastrati, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit.Bashkë me ta, në këtë rast po akuzohen edhe Muhadin Zuka, pronar i kompanisë “Zuka Commerce”, si dhe Fatlum Pireva e Suad Pireva, bashkëpronarë në kompaninë “El-Bau”. Ndaj tyre po rëndon vepra penale – mashtrimi.
Në seancën e së enjtes u dëgjua dëshmitari Arsim Ibrahimi, i cili tha se punon inspektor i komunikacionit. Tha gjithashtu se nga viti 2015 deri në vitin 2020, ka qenë dy herë anëtar i komisionit për pranimin teknik të punimeve në asfaltimin e rrugëve.
“Sipas meje, dokumentacioni lidhur me pranimin teknik në rastin ku po akuzohen të akuzuarit ka qenë gjithçka në rregull. Trashësia e asfaltit nuk shkruan askund në A-Testet të cilat i ka sjellë punëkryesi, do të thotë nuk ka shkruar se ka qenë e paraparë të shtrohet 11 cm, kurse është shtruar 9.7 cm. Unë qëndroj pranë pranimit teknik të cilin e kam bërë në atë kohë”, tha dëshmitari Ibrahimi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc”, për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin me vlerë të kontratës prej 245,825.89 euro, raporton Kallxo.com.
Prokuroria në aktakuzë pretendon se në projekt ka qenë paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm, që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07 cm.
Tutje, sipas Prokurorisë, të akuzuarit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të Ligjit mbi prokurimin, në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar të bëjnë mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që nga veprimet e tyre i është shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në shumën prej 10,702.23 euro.
Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës, akuzohen se kanë lidhur aneks-kontratë me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks-kontrata është mbështetur në paramasa dhe parallogari tjetër nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7,881.16 euro dhe objektin (urën) në vlerë prej 15,239.39 euro, gjithsej në shumë prej 23,120.55 euro.
Sipas Prokurorisë, për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, kështu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14,818.98 euro./Media Ndërtimi.