Nëse vitin e kaluar, mund të gjeje një apartament në qendër të Vlorës për 40 euro për natë, këtë vit, kjo është e pamundur. Në një kërkim të thjeshtë në platforma të njohura si Booking apo Airbnb për një natë korrik 2024 në qendër të Vlorës, çmimi i akomodimit më të lirë dhe më i përshtatshëm është rreth 60 euro për natë.
Gjithashtu, nëse kërkohet të qëndrohet në zona të tjera të Vlorës si Radhimë apo Orikum, të njohura për plazhet e tyre familjare dhe për çmime më të përballueshme, një apartament me qira ditore mund të kushtojë rreth 60 euro në natë.
Çmimet në hotelet e kategorive të ndryshme në zonën e Vlorës fillojnë nga 90 euro në natë për opsione më të lira, duke arritur deri në 200 euro për natë për hotele më luksoze.
Për shkak të numrit të madh të hoteleve dhe apartamenteve në qendër të Vlorës, oferta është e lartë dhe ka mundësi të shumta për të qëndruar larg bregut për 55 euro në hotel dhe deri në 250 euro për një hotel të mirë buzë detit.
Kjo tregon se Vlora mbetet një destinacion i preferuar për pushime në Shqipëri, megjithëse me një kosto tashmë më të lartë krahasuar me vitet e kaluara.
Nga Dhërmiu në Qeparo nuk ka më akomodime ekonomike, arrijnë deri në 600 euro
Akomodimet më të shtrenjta ndodhen në në Dhërmi, Jal, Himarë, Borsh dhe Qeparo. Në këto zona është pothuajse e pamundur të gjesh akomodime ekonomike si me apartamente me qira ditore por edhe me hotele.
Për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe plazheve të mrekullueshme, këto zona janë destinacione të preferuara për pushuesit gjatë sezonit turistik. Megjithatë, gjetja e akomodimeve me çmime të arsyeshme bëhet një sfidë për shumë vizitorë.
Gjatë pikut të sezonit turistik, një apartament me qira ditore në këto zona fillon në minimum 60 euro për natë nëse ndodhet larg bregdetit. Çmimet për apartamentet pranë bregdetit mund të shkojnë deri në 80 -100 euro për natë, ndërsa për opsionet më luksoze mund të arrijnë deri në 250 euro për natë.
Një detaj thelbësor që duhet të theksohet është se, edhe pse mund të gjenden akomodime në këto çmime, ato shpeshherë janë shumë të pakta në numër. Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë akomodime specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.
Për vendasit, hotelet në këto zona janë të paarritshme për shkak të kostove të larta të akomodimit. Çmimet për një natë fillojnë nga 250 euro dhe mund të shkojë deri në 600 euro për opsionet më luksoze. Megjithatë, për këtë kategori të akomodimeve, numri i strukturave akomoduese është i kufizuar./Media Ndërtimi