BMW i Vision Dee është një koncept i makinës elektrike që do të përdorë Inteligjencën Artificiale dhe teknologjinë e njohjes së zërit për të folur me drejtuesin e makinës
BMW do të fokusohet te makinat elektrike, duke përfshirë edhe ato që flasin.
Brenda vitit 2030, të paktën gjysma e dërgesave të automjeteve të grupit BMW në botë do të përbëhet nga modele tërësisht elektrike.
Lajmi zbulohet nga shtëpia automobilistike gjermane në Consumer Electronics Show në Las Vegas, ku presidenti i BMW, Oliver Zipse, zbuloi vizionin e BMW për të ardhmen, i përqendruar në tre karakteristika kryesore: Elektrifikimi, Qëndrueshmëria dhe Personalizimi.
Lajmi kryesor në këtë panair ishte prezantimi i BMW i Vision Dee (ose Digital Emotional Experience), një koncept i makinës elektrike që do të përdorë Inteligjencën Artificiale dhe teknologjinë e njohjes së zërit për të folur me drejtuesit, në mënyrë të ngjashme siç bënte makina K.I.T.T në serinë e suksesshme televizive të viteve ’80, Knight Rider.
“E vetmja gjë që ka me të vërtetë rëndësi është ajo që perceptoni kur makina ju mirëpret” – tha Zipse, duke shtuar se koncepti i ri i makinës BMW do të jetë më shumë “një mik besnik” se sa thjesht “një ndihmës i dobishëm”, duke përdorur Inteligjencën Artificiale, për të ndihmuar drejtuesit në përmbushjen e nevojave të veçanta.
“Ajo do të mësojë t’ju njohë më mirë ditë pas dite”.
Inteligjenca Artificiale në bord e Dee është në gjendje të kuptojë zakonet dhe humorin e drejtuesit dhe si pasojë, të përshtatet – duke ndryshuar ngjyrë – deri në 32 ngjyra – te funksionet AR që i mundësojnë drejtuesit të bëhet pjesë e metaverse dhe të lidhen virtualisht me familjarë dhe miq nga makina.
Ndërkohë, shtëpia automobilistike konkurrente Mercedes-Benz njoftoi të enjten në CES se synon të ndërtojë 10 mijë stacione të rikarikimit të shpejtë për makinat elektrike në Amerikën e Veriut brenda vitit 2027 në bashkëpunim me ChargePoint.
Një nga problemet në blerjen e makinave elektrike është numri i vogël i stacioneve të rikarikimit të zonat rurale./Media Ndërtimi