Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka vizituar objektin i ish Gjimnazit të vjetër “Ismail Qemaili” në Ferizaj, i cili në orët e para të mëngjesit të së martës, u përfshi nga zjarri masiv, duke shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, objekt ky që përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore
“Monumenti do të funksionalizohet si hapësirë kulturore e qytetit.”, tha Çeku teksa po inspektonte objektin që më 13.03.2023, nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, nisën ndërhyrjet e para për renovimin e tërësishëm të objektit.
“Sot mbasdite isha në Ferizaj për të parë nga afër pasojat e krimit. Ishim bashkë me kryeprokurorin e Ferizajit, drejtorin e policisë në Ferizaj dhe krerët e autoriteteve të trashëgimisë kulturore.
Punimet e restaurimit patën filluar dje, pak kohë para zjarrvënies së orëve të para të mëngjesit të sotëm. Në momentin që zjarrfikësit na lejojnë të kemi qasje në ndërtesë, do të vlerësojmë dëmet dhe menjëherë do t’i vazhdojmë punimet.
Ferizaji shumë shpejt do të fitojë një hapësirë të re kulturore. Beteja jonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalet. Piromanët e monumenteve duhet të përballen me forcën e ligjit.”, deklaroi ministri Çeku./Media Ndërtimi.