Një padi voluminoze e Telekomit e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ngre pretendime për fryrje të borxhit në rastin “Z-Mobile”. Shuma e kontestuar është 6.3 milionë euro.
Buletini Ekonomik sjell dosjen që mund ta kthejë rastin “Z-Mobile” në pikën zero.
Rasti “Z-Mobile” mund të kthehet në pikën zero. Një padi voluminoze e Telekomit e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ngre pretendime për fryrje të borxhit nga ana e kompanisë Dardafon.
Shuma e kontestuar është 6.3 milionë euro, prej 26 milionëve sa është borxhi në total.
Mirëpo, Telekomi po e vazhdon betejën në Kushtetuese vetëm për 3.1 milionë euro, pasi gjysma tjetër nuk është përfshirë si borxh në marrëveshjen ‘Telekom-Dardafon’ të datës 17 nëntor 2020.
Padia përfshin edhe një ekspertizë financiare të ekspertëve në Telekomit, një kopje të së cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik.
Shqetësimi i zyrtarëve të Telekomit se ndërmarrja është duke pranuar një borxh të paqenë, vërehet në një letërkëmbim të brendshëm të asaj kohe, që është pjesë e dosjes së dorëzuar në Kushtetuese.
“Nga tabela mund të shihni që ekziston një diferencë prej rreth 6.3 milionë euro ndërmjet kalkulimeve tona dhe atyre të Dardafon”, thuhet në letrën që Feim Kelmendi, zyrtar i lartë financiar në Telekom ia kishte drejtuar Bordit më 13 gusht 2020.
Një muaj pas kësaj letre, Bordi urdhëroi nisjen e hetimeve ku u përfshinë ekspertë të Telekomit nga departamenti financiar dhe ai ligjor.
“Lidhur me shumën e borxhit ndaj Dardafon.net, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve TK sh.a. i rekomandon Departamentit Ligjor dhe Departamentit Financiar që të konstatohet me saktësi gjendja e borxheve mes palëve në raportin kontraktual, përfundimisht me dt.01.08.2020”, thuhet në letrën e Bordit që mban datën 31.08.2020.
Rezultatet e ekspertizës finanaciare vërtetuan dyshimet e ngritura nga zyrtari i lartë financiar, Feim Kelmendi. Aty thuhet se ekziston një diferencë prej 6.3 milionë euro ndërmjet kalkulimeve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it.
Një seri e takimeve mes zyrtarëve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it kishte pasuar në ditët në vijim. Letërkëmbimi i asaj kohe zbulon negociatat e vështira mes palëve për borxhin e kontestuar prej 6.3 milionë euro.
Në fund “Dardafon” hoqi dorë nga pretendimet për gjysmën e këtij borxhi, mirëpo pjesa tjetër e kontestuar prej 3.1 milionë eurove u fut në borxhin e përgjithshëm si pjesë e marrëveshjes për ekzekutimin e borxhit të datës 17 nëntor 2020. Kështu, nga totali prej 26 milionë euro, borxhi i mbetur që doli nga kjo marrëveshje është 17.281.141.98 euro. Kjo sepse rreth 6 milionë euro, Dardafon-i tashmë i kishte tërhequr përmes përmbaruesit privat.
Letërkëmbimet shpërfaqin mospajtimet e ekspertëve të Telekomit, për pjesën e kontestuar prej 3.1 milionë eurove.
“Në borxhin e përgjithshëm prej 17,281,141.98 euro është përfshirë edhe shuma e aneksit të marrëveshjes në vlerë 3.172, 635.96 euro. Për këtë pjesë të borxhit nuk ka pasur pajtim që është borxh real nga ekipi i ekspertëve të Telekomit”, thuhet në një letër tjetër të ekspertit financiar Feim Kelmendit, të datës 24 nëntor.
Në letër thuhet se Telekomi këtë pjesë të kontestuar të borxhit është detyruar ta pranojë si borxh të vërtetë pas kushtëzimit të Dardafon-it se në të kundërtën nuk do të ketë marrëveshje.
“Telekom është detyruar të pranoj por në të njëjtën kohë në pikën 6 të marrëveshjes ruan të drejtën që këtë pjesë ta kontestoj në gjykatë. Varësisht sesi vendoset nga gjykata për këtë cështje, shumat e paraqitura në këtë tabel duhet të korrigjohen së bashku me efektet e tyre”.
Për të gjitha këto pretendime, Buletini Ekonomik ka kërkuar që ta ketë edhe verzionin e Z-Mobile, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit./Media Ndërtimi.