Antonela Saliaj është një arkitekte me mbi 15 vjet formim profesional, me njohuri gjithëpërfshirëse të industrisë së ndërtimit, si në projektim ashtu edhe në fushën manaxheriale.
E diplomuar në UPT-FIN, Departamenti i Arkitekturës në vitin 2008, i vazhdoi studimet e saj pasuniversitare duke u diplomuar në vitin 2012 në Politeknikun e Milanos, në Masterin “Ndërtesa dhe Infrastruktura të Qëndrueshme ” e më tej, kreu me sukses në vitin 2020 Kursin Ndërkombëtar pranë Cornell University, New York, USA, me temën “Hotel Planning and Design”.
E pasionuar me fushën e projektimit dhe ndërtimit, dhe pas një përvoje shumëvjeçare në Europë dhe Lindjen e Mesme, Antonela së bashku me Ani Tola Panariti dhe Albert Leka, në Janar 2017 themeluan ASArchitect në TIRANË, e më pas në Tetor të 2018, ASArchitect hapi dyert dhe në DUBAI, UAE ku vazhdon ende të jetë pjesë e mega-projekteve si EXPO 2020, SHEIK Zayed Museum etj. ku ofron ekspertizën në BIM dhe më tej.
Gjatë jetës së saj profesionale, Antonela ka marrë pjesë në një gamë të gjerë tipologjish projekti, ku përfshihen projekte si hotele, rezidenca, muze dhe ekspozicione, ndërtesa shumëfunksionale, e deri tek planifikimi urban.
Cila ka qenë shkëndija që ju drejtoi drejt këtij profesioni?
DËSHIRA PËR TË KRIJUAR TË BUKURËN E FUNKSIONALEN.
“Akti primitiv” i hedhjes së një ideje në letër, e më pas zhvillimi i asaj ideje në dicka të realizueshme e mbi të gjitha të jetueshme, ka qenë dhe mbetet flaka që mban të ndezur pasionin për krijim.
Ky pasion u shndërrua në pasion për të projektuar, për të realizuar ndërtesa e hapësira që kanë në thelb emocionet që ato përcjellin. Ndryshe nga artet e tjera, arkitektura të jep mundësinë të krijosh vepra që do jetohen, vepra që do kenë impakt jo vetëm tek “përdoruesit” e tyre, por dhe me gjerë tek mjedisi ku do behën pjesë e tek shoqëria.
Cili ka qenë projekti më sfidues për ju? Pse?
Do të veçoja dy projekte, si me sfiduesit. I pari, ka qënë projektimi i St.Cloud Hotel, Florida, USA, që shënoi dhe hapjen e ASArchitects. Sfida e këtij projekti ishte përballja me një ambient të ri ndërkombëtar me kërkesa specifike, e mbi të gjitha, projektimi/adaptimi i një ndërtese me vlera historike që shënonte krijimin e qytetit të St.Cloud. Ndjeshmëria e komunitetit të qytetit ndaj ndërtesës, e vuri grupin e projektimit përballë detyrimit moral e profesional, për ti risjelle ndërtesës vlerat e dikurshme.
Projekti i dytë më sfidues ka qënë detajimi i 7 stacioneve të linjës së re të metrosë, në Dubai, UAE. Përballja e parë me këtë tipologji si dhe me përdorimin e BIM si platforma e realizimit të projektit, ishin sfida që kerkuan angazhimin maksimal të grupit të projektimit për të zhvilluar projektet sipas standardeve ndërkombetare e në kohën e kërkuar.
Si e mendoni ju arkitekturën dhe cili është projekti që mendoni se ju përfaqëson më së miri?
Arkitektura është arti i krijimit të hapësirave të jetueshme dhe gjithçka ky proces përfshin. Jo pa arsye, slogani i ASArchitects është “Bringing space to life”, pasi ne i japim rëndësi madhore vëmendjes ndaj perceptimit njerëzor kundrejt hapësirës, harmonisë midis volumeve dhe dritës, proporcioneve midis formave dhe detajeve, përzgjedhjes së materialeve dhe ngjyrave.
Arkitektura duhet të jetë kontekstuale, e përjetueshme dhe funksionale, jo vetëm të përqëndrohet në vizualitet apo e të jetë e kufizuar tek krijimi i “formave të bukura”. Krijimi i hapësirave të jetueshme, është lajtmotivi i cdo projekti që realizojmë.
Projekti që jemi duke realizuar aktualisht e që do e veçoja si një nga projektet më përfaqësues, është resorti në jug të Shqipërisë, që përfshin kompleks hoteli me 5 yje e fshat turistik. Projektimi i strukturavë të hotelerisë me gjith kompleksitetin që ato përmbajnë, është një nga pasionet profesionale e personale që vazhdimisht tërheq vëmëndjen time. Projekti i një hoteli përfshin banimin e përkohshëm, argëtimin, biznesin, ceremonitë etj, pra lëvizjen e përhershme, të pandalur, duke i kthyer në objekte me gjallëri unike.
Çfarë këshille do i jepje vetes tënde në fillim të karrierës, i vlefshëm edhe për arkitektet e reja ose ato vajza/gra që duan të bëhen arkitekte?
GUXO SA ME SHUMË!
Siç thotë shprehja e famshme “Sky is the Limit”, besoj se pengesat më të larta e më të vështira për tu kaluar janë ato që i vendosim vetes. Ndaj cdo arkitekti/e të ri i them të mos hezitojë të guxojë, të eksplorojë sa më shumë në profesion. Të jenë në kërkim të vazhdueshëm të eksperiencave profesionale gjithpërfshirëse, duke filluar nga projektimi e mos u daluar aty.
Mendoj se cdo arkitekt/e duhet të marri pjesë dhe në fazën e zbatimit të projekteve, në mënyrë që formimi profesinal të mos ndalet në “zyrat e projektimit” por të shtrihet dhe në zbatim e deri në dorëzim të projekteve, për të kuptuar më mirë natyren multi-dimensionale të fushës së projektim/ndërtimit.
Duhet të kenë parasysh që realizimi i një projekti fillon me konceptimin e tij, por nuk përfundon me dorëzimin e projektit, përkundrazi. Ndaj do i sugjeroja çdo profesionisti të ri, të “dali në terren”, të shohi nga afër realizimin e një projekti hap pas hapi.
TË JETË KURIOZ/E PAFUND. TË MOS RESHTI SË QËNI ” I/E ETUR” PËR PROFESIONIN, E TË MOS NDALI SË MËSUARI.
Të qenit arkitekt është një privilegj, ndaj ky profesion meriton pasion, vendosshmëri e përkushtim të vazhdueshëm.
Çfarë ju frymëzon në punën tuaj? (artist/arkitekt)?
Vështirë të përkufizohet me fjalë. Frymëzimi është një moment kontakti me një botë që është ndryshe, më e bukur, më e përsosur në çdo aspekt, e ky moment duhet kërkuar vazhdimisht.
Por kur gjendem përballë një projekti të ri, mundohem të kanalizoj procesin e mendimit e të krijimit, fillimisht duke studiuar e duke bërë një punë paraprake kërkimore. Në varësi të natyrës së projektit, studioj mjedisin ku do pozicionohet projekti, shoh kërkesat e zhvilluesit, natyrën e projektit dhe specifikat e tij, kërkoj mbi projekte të tjera të ngjashme të realizuara më parë etj. Mundohem të spikas një veçori apo një element, që do bëhet motivi kyç i projektit, e që do i japi projektit veçanti duke e kthyer në unik. Pra i gjith procesi fillestar i projektimit dhe gjetja e frymëzit është prodhim i punës së vazhdueshme kërkimore por edhe i observimit të vazhdueshëm të asaj që na rrethon.(Intervista Pikark)/Media Ndërtimi.