Connect with us

Aktuale

Bjeshkët e Deçanit, terren i vështirë për turistë në mungesë të investimeve

Published

on

Bjeshkët e Deçanit janë të mjaft të njohura në Kosovë, por jo të gjithë e kanë mundësinë për t’u ngjitur në majat e tyre. Kjo, për shkak të vështirësive që krijohen në stinën e dimrit.

Turistët që e duan skijimin, mund ta shijojnë këtë sport për më shumë se 3 muaj në mbi 10 bjeshkët e Deçanit të cilat kufizohen me Shqipërinë dhe Malin e Zi, raporton emisioni SOT në KTV.

Për të shkuar në Bjeshkën e Belegut gjatë kësaj periudhe, nevojiten motor-skitë, e disa prej banorëve të kësaj ane, tashmë janë pajisur me këto mjete dhe çdo fundjavë marrin rrugën për të shijuar pamjen e këtyre bjeshkëve.

Besnik Hulaj është banor i Deçanit, i cili kohën e lirë e kalon në bjeshkët e kësaj ane. Ai tregon vështirësitë për të shkuar në pjesën turistike të Belegut.

“Turistët verës e frekuentojnë shumë, ndërsa dimrit jo sepse ende nuk iu kemi ofruar kushte. Mirëpo, për një kohë të shkurtë llogaritet me hy ne funksion edhe kjo pistë”, tha ai.

Në periudhën e dimrit ka më pak vizitorë. E gjatë verës, pos banorëve të kësaj ane, shtohet numri i turistëve edhe nga vendet e huaja.

Besniku nuk vjen i vetëm në bjeshkë. Shoqëruesi i tij i përhershëm është Tarzan Qufaj, i cili thotë se investimet në këtë pjesë duhet të shtohen, pasi që sipas tij, nuk ka bjeshkë më të bukura se këto të Deçanit.

“Mungojnë investime këtu. Me pas mundësi me bë investime, nuk ka vend më të mirë. Pista është e gjatë diku 4 kilometra dhe nuk ka vend më të mirë për skijim sesa këtu”, tha ai

Bashkë me ta është edhe Fetah Jashari nga Kumanova, i cili tregon se bukuritë natyrore të kësaj ane e kanë shtyrë atë të vijë më shpesh nga Maqedonia për në Deçan.

Komuna e Deçanit, bjeshkët i konsideron si pasuri natyrore, e për këtë, komuna ka nisur punën për një projekt për të cilin shpreson që ta realizojë së shpejti, e që synim ka rritjen e numrit të turistëve për në këtë pjesë.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë se potencialet dhe resurset e kësaj ane deri tani nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, e që kjo deri tani ka qenë e pamundur të bëhet për shkak të problemeve pronësore që ka komuna me Manastirin e Deçanit.

“Neve na mbetet me pas në kujtesë, në vëmendje, në përkushtimin tonë ditor futjen në funksion të këtyre potencialeve. Kemi pas mjaft pengesa, ka mjaft telashe që janë të nivelit politik, nivelit ligjor e deri te niveli kushtetues që nuk është trajtuar mirë Deçani në këtë temë, sidomos prej vitit 2008 deri në vitin 2016, kur janë marrë gjashtë vendime tepër të këqija për Deçanin”, tha ai

Përfundimi i rrugës ka qenë premtim edhe i qeverive, por që ka mbetur pa u realizuar, për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të manastirit.

Deri në asfaltim të rrugës, shkuarja në këto bjeshkë do të vazhdojë të jetë e vështirë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

Mbahet dëgjim publik për restaurimin dhe ndërtimin e kompleksit memorial “Masakra e Reçakut”

Published

on

Nga Departamenti i Shpronësimit pranë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sot në Shtime u mbajt dëgjimi publik për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve në interes, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i cili tha se me vullnet të Qeverisë së Kosovës, dhe kërkesave të vazhdueshme nga Komuna e Shtimes ky projekt tanimë do të realizohet. “Do t’a nxjerim më të mirën e mundshme për këtë projekt dhe do të ecim para”, tha Aliu.

Ndërsa përfaqësuesit nga Departamenti i Shpronësimit-MMPHI dhe përfaqësuesit nga Agjensioni i Memorialeve të Kosovës, bënë të ditur pronat të cila do të shpronësohen e të cilat preken nga realizimi i Projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

Nga ana tjetër edhe qytetarët e pranishëm në këtë takim, që kryesisht ishin nga fshati Reçak patën kërkesat e tyre, të cilat i adresuan te përfaqësuesit e këtyre institucioneve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Skica e ndërtimit të Pallatit të Rinisë, tashmë edhe në versionin i BIM

Published

on

Ndërtuar mbi skicat dhe vizatimet origjinale, versioni i BIM-izuar (Building Information Modeling) i Pallatit të Rinisë e ka kthyer këtë ikonë të qytetit në ndërtesën e parë digjitale në vend.

Në këtë mënyrë, të gjitha informacionet e nevojshme mbi çfarëdo detaji konstruktiv, cilindo dimension dhe çdo të dhënë tjetër të rëndësishme, është e qasshme menjëherë dhe në çdo kohë, shkruan në njoftimin e Agjencisë këshillimore Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit.

Kjo bën të mundur që, për çfarëdo ndërhyrjeje të nevojshme, institucionet komunale dhe palët tjera të interesit, ta kenë informacionin e plotë dhe qind për qind të saktë.

Duke i digjitalizuar ndërtesat publike, të gjitha ndërhyrjet e nevojshme dhe kostot e tyre, mund të dihen në avans. Po ashtu, për çdonjërën ka një historik, i cili ruhet dhe nuk mund të tjetërsohet.

Kjo do të jetë Prishtina digjitale./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

‘Muret janë përgjigja e gabuar arkitekturore ndaj migrimit masiv’, thotë arkitektja meksikane Carrillo

Published

on

Muret janë përgjigja e gabuar arkitekturore ndaj migrimit masiv dhe dhunës në qytetet kufitare, thotë arkitektja meksikane Gabriela Carrillo.

“[Emigrantët] po ikin nga çështje shumë komplekse në vendet nga janë,” deklaroi në një intervistë për Dezeen, fituesja e Çmimit Dorfman të Akademisë Mbretërore 2023 Carrillo.

“Ne besojmë se ky fenomen ka ndikim në qytetet dhe arkitekturën dhe mënyrën e banimit.

Duhet të ketë burime që mund të lehtësojnë vërshimin e njerëzve që janë pjesë e botës sonë sot – jo vetëm në Meksikë, por kudo”, shtoi ajo.

Infrastruktura dhe shërbimet sociale në qytetet kufitare të Amerikës së Veriut janë nën presion të vazhdueshëm mes një rritjeje të dukshme të migrimit, veçanërisht nga Meksika në SHBA, me gati 2.5 milionë njerëz që përpiqen të kalojnë në vitin 2023.

Carrillo tha se meksikanët po ikin gjithnjë e më shumë “krizës humanitare të fatkeqësive natyrore dhe zhvendosjeve të detyruara për shkak të dhunës”.

Shumë nga emigrantët që tentojnë të kalojnë në SHBA janë nga vende të tjera përveç Meksikës dhe shpesh përfundojnë të mbërthyer dhe të varfër në qytetet kufitare meksikane pasi u larguan nga forcat amerikane të sigurisë.

Megjithatë, Carrillo vuri në dukje gjithashtu se projektet e mëdha arkitekturore nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë.

“Operimi, mirëmbajtja, organizimi i një projekti në shkallë më të gjerë kërkon logjistikë më komplekse,” tha ajo.

Ajo beson se një pjesë e instinktit për të përdorur muret si masë sigurie është më shumë një çështje zakoni sesa e rrënjosur në idetë për arkitekturën apo urbanizmin.

“Problemi është se ne jemi mësuar dhe përsërisim veprime; ne e përsërisim atë arkitekturë dhe ne përsërisim atë mënyrë të të bërit arkitekturë. Kjo ide e ndërtimit të madh është gjithashtu ideja e një bote kapitaliste dhe perëndimore, por ne kemi një mundësi për të rikrijuar veten. Ka shumë optimizëm pas punës sonë.”, tha Carrillo./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending