Connect with us

Aktuale

Bashkimi i tregut të punës me Shqipërinë, vetëm në letër

Published

on

Xhorxhina Bami, nga Tirana, jeton në Prishtinë qysh në vitin 2015. Fillimisht ka studiuar, ndërsa në dy vjetët e fundit është e angazhuar si gazetare në një rrjet rajonal të lajmeve.

Për të punuar dhe qëndruar në Kosovë, 25-vjeçarja – si çdo qytetar tjetër që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës – duhet të pajiset me leje të përkohshme qëndrimi dhe leje të punës, ashtu siç e parasheh Ligji për të huajt në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Xhorxhina tregon se procedurat për sigurimin e këtyre lejeve janë më të thjeshta në dy vjetët e fundit, nëse krahasohen me periudhën e mëparshme.

“Unë, para një muaji, e kam bërë aplikimin për të marrë lejen e qëndrimit për pesë vjet dhe ma kanë aprovuar javën e kaluar. Në këtë rast më është dashur kontrata e punës dhe kontrata e banesës, ose një vërtetim që jam duke jetuar ligjërisht në Prishtinë ose në ndonjë qytet tjetër në Kosovë”, tregon Xhorxhina.

Sipas Ligjit në Kosovë, i huaji mund të punojë në bazë të lejes së dhënë për qëndrim, e cila përfshin edhe lejen për punë.

Xhorxhina thotë se, deri këtë vit, ka pasur leje njëvjeçare qëndrimi. Ajo tregon se procedura për sigurimin e saj deri në vitin 2020 ka qenë më e komplikuar, pasi janë kërkuar më shumë dokumente, përfshirë: dëshminë që posedon mjete të mjaftueshme për jetesë, që nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik ose shëndetin publik, sigurimin shëndetësor e të tjera.

Procedura duket se ka nisur të thjeshtëzohet nga koha kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkim të tregut të punës.

E njohur si Marrëveshja për Mobilitet në Punë, ajo parasheh që qytetarët e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë, nuk kanë nevojë të pajisen me leje qëndrimi, përkatësisht leje të punës dhe anasjelltas.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë vetëm lehtësimin e procedurave për pajisjen e shtetasve të Shqipërisë me leje qëndrimi, por nuk tregojnë se kur mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Mobilitet në Punë, e cila nuk kërkon fare leje qëndrimi.

“Për t’u pajisur me leje qëndrimi të përkohshme, shtetasit [e Shqipërisë] duhet të kenë vetëm dokumentin e udhëtimit të vlefshëm dhe adresën e saktë të qëndrimit në territorin e palës tjetër, e vërtetuar me dokumentin përkatës [kontratë qiraje, ose certifikatë e pronësisë, ose deklaratë noteriale]”, thuhet në deklaratën e MPB-së.

Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, thotë se për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Mobilitet në Punë nevojitet eliminimi edhe i disa procedurave të tjera, por nuk i specifikon ato.

“Ka lehtësim të procedurave, por ende ka punë… Sepse, krejt Marrëveshja e Mobilitetit nënkupton një bashkëpunim shumë të ngushtë në mes të Agjencisë së Punësimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë”, thotë Kalludra./Media Ndërtimi.

Aktuale

Festivali të Arkitekturës dhe Dizajnit ‘Concéntrico’, shënon edicionin jubilar në Spanjë

Published

on

Nga 25 prilli deri më 1 maj 2024, në qytetin spanjoll Logroño, Concéntrico përgatitet për edicionin e tij të 10-vjetorit. I parashikuar si një soditje e ndryshimit të mjediseve urbane dhe një mundësi për të ndarë njohuri rreth këtyre proceseve, Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës dhe Dizajnit të këtij viti përfshin formate të reja për të angazhuar një audiencë më të gjerë dhe për të eksploruar kohën si një katalizator për ndryshimin në dizajnin urban dhe social.

Festivali zgjeron programin e tij, duke shfaqur 21 instalime nga dizajnerë të 20 kombësive të ndryshme, përveç disa nismave dhe eksplorimeve të tjera.

Instalacionet urbane përfaqësojnë ndoshta aspektin më të dukshëm dhe më tërheqës të festivalit, duke eksploruar temën përmes dizajnit dhe duke synuar të gjenerojë ndërveprime midis arkitektëve dhe publikut më të gjerë. Që nga viti 2015, festivali ka krijuar mbi 120 instalime urbane.

Këtë vit, arkitektët dhe projektuesit e ftuar propozojnë një shumëllojshmëri të gjerë qasjesh, nga rinatyrëzimi i hapësirave publike, tek riinterpretimi i metodave popullore, ripërdorimi i materialeve nga botimet e mëparshme, krijimi i eksplorimeve përmes lëvizjes ose sfidimi i konceptit të strehimit. Eksploroni listën e plotë të instalimeve urbane të ardhshme të përgatitura për këtë edicion.

Edicionet e mëparshme të festivalit mirëpritën ndërhyrje nga dizajnerë të njohur dhe të ardhshëm, duke përfshirë Studio Ossidiana, Tudor Vlāsceanu Architect, Rintala Eggertsson Architects ose Piovenefabi. Duke hapur biseda rreth komunitetit dhe identiteteve lokale, si dhe çështjeve të përfshirjes, ndryshimit të përkufizimeve të familjeve apo sfidave të ekologjisë, festivali përfaqëson një mundësi për eksplorim përmes dizajnit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës për periudhën 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending