Xhorxhina Bami, nga Tirana, jeton në Prishtinë qysh në vitin 2015. Fillimisht ka studiuar, ndërsa në dy vjetët e fundit është e angazhuar si gazetare në një rrjet rajonal të lajmeve.
Për të punuar dhe qëndruar në Kosovë, 25-vjeçarja – si çdo qytetar tjetër që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës – duhet të pajiset me leje të përkohshme qëndrimi dhe leje të punës, ashtu siç e parasheh Ligji për të huajt në Kosovë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Xhorxhina tregon se procedurat për sigurimin e këtyre lejeve janë më të thjeshta në dy vjetët e fundit, nëse krahasohen me periudhën e mëparshme.
“Unë, para një muaji, e kam bërë aplikimin për të marrë lejen e qëndrimit për pesë vjet dhe ma kanë aprovuar javën e kaluar. Në këtë rast më është dashur kontrata e punës dhe kontrata e banesës, ose një vërtetim që jam duke jetuar ligjërisht në Prishtinë ose në ndonjë qytet tjetër në Kosovë”, tregon Xhorxhina.
Sipas Ligjit në Kosovë, i huaji mund të punojë në bazë të lejes së dhënë për qëndrim, e cila përfshin edhe lejen për punë.
Xhorxhina thotë se, deri këtë vit, ka pasur leje njëvjeçare qëndrimi. Ajo tregon se procedura për sigurimin e saj deri në vitin 2020 ka qenë më e komplikuar, pasi janë kërkuar më shumë dokumente, përfshirë: dëshminë që posedon mjete të mjaftueshme për jetesë, që nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik ose shëndetin publik, sigurimin shëndetësor e të tjera.
Procedura duket se ka nisur të thjeshtëzohet nga koha kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkim të tregut të punës.
E njohur si Marrëveshja për Mobilitet në Punë, ajo parasheh që qytetarët e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë, nuk kanë nevojë të pajisen me leje qëndrimi, përkatësisht leje të punës dhe anasjelltas.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë vetëm lehtësimin e procedurave për pajisjen e shtetasve të Shqipërisë me leje qëndrimi, por nuk tregojnë se kur mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Mobilitet në Punë, e cila nuk kërkon fare leje qëndrimi.
“Për t’u pajisur me leje qëndrimi të përkohshme, shtetasit [e Shqipërisë] duhet të kenë vetëm dokumentin e udhëtimit të vlefshëm dhe adresën e saktë të qëndrimit në territorin e palës tjetër, e vërtetuar me dokumentin përkatës [kontratë qiraje, ose certifikatë e pronësisë, ose deklaratë noteriale]”, thuhet në deklaratën e MPB-së.
Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, thotë se për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Mobilitet në Punë nevojitet eliminimi edhe i disa procedurave të tjera, por nuk i specifikon ato.
“Ka lehtësim të procedurave, por ende ka punë… Sepse, krejt Marrëveshja e Mobilitetit nënkupton një bashkëpunim shumë të ngushtë në mes të Agjencisë së Punësimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë”, thotë Kalludra./Media Ndërtimi.