Ka filluar zyrtarisht punimet në takimin e parë koordinues, Komiteti për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacion Hapësinor (IKIH) në Republikën e Kosovës.
Anëtaret e Komitetit janë caktuar mbi bazën e vendimit të Qeverisë së datës 24.08.2022 Nr.10/94. Anëtarë të Komitetit, janë përfaqësuesit e institucioneve nga ministritë e linjës në Republikën e Kosovës, si dhe përfaqësues nga Agjencitë Ekzekutive të Pavarura, të përcaktuara sipas vendimit qeveritar. Komiteti Ndërministror, kryesohet nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu..
Në hapje të punimeve të Komitetit, në fjalën e tij hyrëse ministri Aliu tha që Administrimi i tokës dhe i informacionit mbi tokën, realizohet përmes një sistemi funksional të gjeoinformacionit dhe informacionit hapësinor në tërë territorin e vendit, për të mundësuar planifikimin adekuat hapësinor si komponentë kyç në cilësinë dhe kushtet e jetesës, dhe matjes së progresit shoqëror të një vendi të zhvilluar demokratik. Tutje ai, përmendi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të Komitetit për funksionimin e plotë të tij në përputhje me mandatin ligjor.
“Ky takim shënon prioritizimin dhe qasjen serioze të qeverisë ndaj Administrimit të Tokës, krijimin e Infrastrukturës Kombëtare për Informacion Hapësinor, si dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Komitetin Ndërministror dhe entiteteve të tjera institucionale që përbëjnë strukturën koordinuese kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës” u shpreh ministri Aliu.
Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës- z. Avni Ahmeti, në fjalën e tij tha që Republika e Kosovës, është duke e implementuar një infrastrukturë moderne të Administrimit të Tokës, dhe po ndjekë praktikat më të mira të vendeve anëtare në Bashkimin Evropian. “ Deri më tani AKK ka ndërmarrë një sërë masash dhe veprime konkretë në avancimin e Infrastrukturës Kombëtare për Informacion Hapësinor, ku edhe organizimi i këtij komitetit përbën një nismë të rëndësishme.

Është përmirësuar dukshëm shpërndarja e shërbimeve në kohë, dhe lehtësimi i qasjes në rrjet.
Janë mbajtur takime ndërinstitucionale për verifikim të të dhënave dhe identifikim të mundësive për harmonizimin e të dhënave në vend, është krijuar korniza ligjore për menaxhimin e tokës dhe IKIH. AKK ka intensifikuar angazhimin në draftimin e UA që të krijojnë implementimin sa më efikas të Ligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor. Gjithashtu, është duke u përditësuar Strategjia Kombëtare për Informacion Hapësinor në vend, ku drafti fillestar cilës do të prezantohet gjatë takimit” u shpreh Ahmeti.
Komiteti, do të ushtroj veprimtarinë e tij në fushat e rëndësishëm si: identifikimi i politikave dhe çështjeve strategjike, ofrimin e propozimeve të reja lidhur me politikat e administrimit ë tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacion Hapësinor, si dhe koordinimin dhe monitorimin e të gjitha iniciativave brenda fushës së administrimit të tokës dhe IKIH-së.
Anëtarët e Komitetit, dhe të pranishmit e tjerë vazhduan punimet duke shqyrtuar draft rregulloren e punës së komitetit, draft Strategjinë Kombëtare për Informacion Hapësinor, dhe kornizën ligjore rregullative për IKIH. Në takim të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Bankës Botërore, USAID- Aktiviteti i Qeverisjes së Pronës, JICA, GIZ, OSCE, dhe Duch Kadaster.
Komiteti Ndërministror për Administrimin e Tokës, dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacionin Hapësinor në Republikën e Kosovës, do të vazhdoi aktivitetet të cilat do të prezantohen në sesionin vjeshtor të punimeve të Komitetit./Media Ndërtimi