“Kam një vit këtu, tani më është bërë njëjtë”, thotë Dragica Gashiq, pjesëtarja e parë nga komuniteti serb e kthyer në Gjakovë – qytet rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Ajo u kthye në vendlindjen e saj dy dekada pas zhvendosjes prej aty. Por, kthimi në një mjedis ku gjatë luftës së viteve 1998/99 u vranë më shumë se 1 mijë bashkëqytetarë të saj shqiptarë, u bë shkak për rezistencë dhe protesta, vitin e kaluar.
Sot, Gashiq thotë se beson se qytetarët e Gjakovës e kanë pranuar kthimin e saj dhe se nuk ka më probleme.
“Mbijetova në kohën më të keqe, kështu që do ta mbijetoj edhe këtë”, thotë ajo.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me të pasi Avokati i Popullit i Kosovës kërkoi nga autoritetet lokale që të sqarojnë se çfarë kanë ndërmarrë lidhur me kërkesën e Gashiqit për t’i lejuar asaj të rinovojë banesën.
“Në banesë rrjedh shiu, çatia ka nevojë për riparim dhe më pas të lyhet dhe të gëlqeroset. E tërë banesa, në përgjithësi, duhet të rinovohet”, thotë Gashiq dhe shton se me durim është duke pritur lejen nga komuna.
Komuna e Gjakovës ka afat prej 30 ditësh për t’i kthyer përgjigje Zyrës së Avokatit të Popullit në pyetjen se çfarë hapash ka ndërmarrë për zbatimin e rekomandimit të saj, që të kthyerës Dragica Gashiq t’i lejohet “shfrytëzimi i lirë dhe i papenguar i banesës”, si dhe rinovimi i saj
Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë Marija Radulloviq, zëvendëse e Avokatit të Popullit në Kosovë.
Megjithatë, ajo thekson se rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë obliguese, përkatësisht nuk kanë funksion ekzekutiv.
“Çdo institucion kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në rastin konkret Avokati i Popullit, jep rekomandime. Por, kur lëshohet një raport, në të cilin konstatohet shkelja e të drejtave të njeriut, institucioni i caktuar është i detyruar të informojë brenda 30 ditësh për masat konkrete që ka ndërmarrë. Ky është hapi i radhës”, thotë Radulloviq.
Dragica Gashiq u kthye në banesën e saj në fillim të qershorit të vitit 2021, pasi ajo i ishte liruar nga Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës.
Që atëherë, Gashiq thotë se përpiqet të marrë leje për rinovim, por pa sukses./Media Ndërtimi.