Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) ka njoftuar për padinë ndaj një shtetasit kinez dhe një banori në Kaliforni të cilët akuzohen për vjedhjen e informacioneve nga Google ndërsa punonin fshehurazi për dy kompani teknologjike me bazë në Kinë.
Linwei Ding i njohur ndryshe si Leon Ding, ish-inxhinier i Google i cili u arrestua më 6 mars të vitit 2024, “ka transferuar ndjeshëm sekrete dhe informacione konfindenciale nga Google në kompanitë me bazë në Kinë”.
I pandehuri thuhet se ka vjedhur nga gjiganti teknologjik mbi 500 dokumente konfidenciale që përmbajnë sekrete tregtare të Inteligjencës Artificiale (AI), me qëllim për t’ia transferuar ato dy kompanive kineze që kërkojnë avantazh në garën e vazhdueshme të industrisë me AI.
Bëhet e ditur se vjedhja ka ndodhur nga 21 maji i vitit 2022 deri më 2 maj të vitit 2023 nga një llogari personale e Google Cloud, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Për më tepër, Ding dyshohet se ka lejuar një tjetër punonjës të Google të përdorte distinktivin e tij për të skanuar hyrjen në një ndërtesë të kompanisë. Ai dha dorëheqje nga gjiganti teknologjik më 26 dhjetor të vitit 2023.
Nëse Leon shpallet fajtor për katër akuzat për vjedhje të sekreteve, ai do të përballet me një dënim maksimal prej 10 vitesh burg dhe deri në 250 mijë dollarë (mbi 200 mijë euro) gjobë për çdo akuzë.
Ky zhvillim vjen disa ditë pas arrestimit të punonjësit civil të Forcave Ajrore të SHBA-së, David Franklin Slater, nën akuzat për transmetimin e informacionit të klasifikuar në një platformë të huaj.
Informacioni përfshinte të dhëna të Mbrojtjes Kombëtare (NDI) në lidhje me objektivat dhe aftësitë ushtarake ruse gjatë pushtimit të Ukrainës./Media Ndërtimi