Connect with us

Aktuale

Si u zhvlerësuan toka dhe ndërtimet në Durrës nga vet shqiptarët

Published

on

Aty ku të gjithë duan të shesin! Durrësi është kthyer në një dëshmi të qartë, jo vetëm të shfryrjes së flluskës së pasurive të paluajtshme, por edhe të masakrës dhe zhvlerësimit, që i është bërë bregdetit, që dikur ishte një copëz parajsë me rërë të praruar dhe kurorë të gjelbër pishash. Në pak vjet, çmimet kanë rënë me 30-40%

“Shitet”, “Shitet ose jepet me qira”, “Okazion, shitet me ulje 20%”, “Apartament me hipotekë i mobiluar”, “Nxitoni, ulje e madhe çmimesh deri në shtator”. Njoftimet për shitje apartamentesh në bregdetin e Durrësit dhe të Golemit janë të pafundme, si në vijën e parë pranë detit, ashtu dhe në anën tjetër të rrugës, teksa çmimet kanë shënuar rënie të ndjeshme në krahasim me më se 10 vjet më parë, kur u bë në “modë” të kishe një shtëpi të dytë në bregdet.

Por, sot, pas 10 vitesh të gjithë po nxitojnë të shesin, ndërsa pallatet e reja, që për çudi vazhdojnë e mbijnë nga hiçi, e kanë shtuar shumë ofertën. Por ata që duan të blejnë tashmë janë shumë të paktë. Durrësi është kthyer në një dëshmi të qartë, jo vetëm të shfryrjes së flluskës së pasurive të paluajtshme, por edhe të masakrës që i është bërë bregdetit, që dikur ishte një copëz parajsë me rërë të praruar dhe kurorë të gjelbër pishash. Pa infrastrukturë, pa gjelbërim, me pallatet që janë ngjitur me njëri-tjetrin jashtë çdo standardi, zona nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait (pas saj ka më shumë hapësira të gjelbra dhe zona vilash) po shkon me shpejtësi drejt zhvlerësimit dhe degradimit.

Vetëm për 15 mijë euro mund të blesh një apartament 50 metra katrorë në krahun përtej rrugës, në një pallat në rrëzë të kodrës në zonën e Shkallnurit, me një çmim prej 300 euro për metër katror. “Dikur i kam shitur me 500 euro/m2”, thotë ndërtuesi. Çmimet kanë rënë fare, thotë ai. Kur e pyes nëse ka shitje, të përgjigjet “Po të kishim kërkesë, nuk do të kishte këto çmime”.

Në pallatin 100 metra më tutje, ndërtuesi i Kristi Konstruksion nuk lëshon pe. Ai nuk i shet më lirë se 450 euro për metër katror, me gjithë zbritjen prej 20% që në reklamë e ka shënuar si një okazion. “Pallati është me hipotekë e ashensor”, thotë ai. Kur i thua që 100 metra më tutje e gjen me 300 euro për metër katror të përgjigjet: “Mua vetëm kosto më shkon 350 euro për metër katror, interesohuni mirë se pallati tjetër mos nuk ka hipotekë”.

Ndërtimi i rrugës kryesore disa vite më parë, e ndau si me thikë zonën përtej shinave të trenit, pikërisht në momentin që këto pallate sapo kishin filluar të ndërtoheshin. Pamundësia e daljes në det, pas ndërtimit të rrugës së bllokuar në të dyja anët dhe me pak dalje në det përmes mbikalimeve me shkallë, e shoqëruar me mungesën e hapësirave para pallateve, i zhvlerësoi me shpejtësi këto investime, që pak vite më parë arrinin të shisnin apartamente edhe me 500-600 euro për metër katror.

Nuk janë vetëm ndërtuesit përtej rrugës, që duan të heqin qafe apartamente që u kanë mbetur në derë. Individë të shumtë, në anën e bregdetit, kanë nxjerrë tabelat, “Shitet, ose jepet me qira”. Nuk bëhet fjalë që ata të dalin me fitim nga investimi. Ata përpiqen që të paktën të mos dalin me humbje, ose ajo të jetë shumë e vogël. Një apartament nga ana e detit, me pamje nga rruga, 57 metra katrorë, afër Shkëmbit të Kavajës, pronari thotë se e shet për 25 mijë euro, apo me rreth 440 euro për metër katror. “Na ka vajtur më shumë”, thotë pronari, e kemi blerë 30 mijë euro. Kur e pyet pse po e shet, ai thotë se nuk e përdor më. Për sa kohë që nuk e ka shitur, në muajt e verës e jep me qira 2000 lekë në natë.

Sa më afër detit të jetë apartamenti, aq më të lartë tentojnë ta vënë çmimin ata që duan të shesin. Një apartament 50 metra katrorë mbi lokal Pampas, ngjitur me Hotel Dolce Vita, shitet 40 mijë euro, me një çmim prej 800 euro për metër katror. Pronari është i vendosur dhe nuk e shet nën çmimin që e ka blerë, edhe pse ti ngul këmbë që vlera e apartamenteve ka rënë dhe nuk është më shumë se 700 euro, një apartament përballë me detin.

Një pallat pranë Shkëmbit të Kavajës, me pamje nga deti, ka apartamente të shumta në shitje dhe një lokal të madh poshtë. Ndërtuesi thotë se çmimet e apartamenteve fillojnë nga 500 euro, në 700 euro për metër katror për hyrjet përballë me detin, ndërsa lokali ka një vlerë prej 2500 euro për metër katror.

Pallati monstër në mes të plazhit

I hodhi themelet e stërmëdha rreth 10 vjet më parë dhe çdo vit pallati monstër, i ndërtuar në rërë në mes të Golemit, shtonte kat pas kati. Për të arritur në ditët e sotme, ku ai është kthyer në objektin më të shëmtuar gjigant të bregdetit, me rreth 25 kate, ndërsa zona e plazhit përreth është pothuajse jashtë funksioni, teksa hija e tij bie gjatë gjithë ditës mbi zonën e çadrave, ku rëra është zëvendësuar me pluhurin e çimentos.

Askush nuk preferon të blejë në pallatin monstër. Grilat janë të ulura në mes të verës, ndërsa në mbrëmje mund të shohësh ndonjë dritë tek-tuk. Të vetmet që shfrytëzohen janë disa kate që përdoren si hotel. Një pallat që jo vetëm nuk i ka sjellë asnjë vlerë bregdetit, por përkundrazi është kthyer në kryesimbolin e manisë shkatërruese të tranzicionit.

Pallati ka disa njoftime për apartamente që shiten. Kur e marrim në telefon, zotëruesi i apartamentit thotë se çmimi është 650 euro për metër katror dhe acarohet kur i thua që ai pallat nuk vlen aq. Ndoshta kujtojnë kohët e “lumtura”, kur i sapondërtuar, çmimi për apartamentet me pamje nga deti ishte 950 euro për metër katror.

Çmimet në bregdet kanë rënë me 30-40%

Shumëkush nxitoi të blinte një shtëpi në bregdetin e Durrësit rreth 10 vjet më parë. Për sa kohë që nuk kishin filluar ndërtimet masive, ky ishte një investim që justifikohej. Afërsia nga Tirana (nga ishin blerësit kryesorë) mundësonte shfrytëzimin e apartamentit edhe në fundjavë përgjatë gjithë vitit.

Por, shumë shpejt, shtëpia në bregdet filloi të kthehej në një sport të vështirë. Çdo vit, ndërtesat rreth e rrotull mbinin si kërpudha pas shiut, shumëkush që dikur shihte detin e pishat, nisi të shihte vetëm beton, njësoj si në qytet, uji shpesh mungonte, ose ai i pusit nuk ishte i përshtatshëm, ndërsa një erë mbytëse vinte nga kanalizimet me puseta, që gërryenin tokën. Ndërkohë alternativa të tjera filluan të bëheshin më interesante, si shtëpitë në periferitë e Tiranës, apo në jug, ndërsa shumëkush nxitoi të nxirrte shtëpinë në shitje. E ndërkohë, ndërtimet vazhdonin pa fre.

Rritja e ofertës, ndërsa kërkesa sa vinte e zvogëlohej, çoi në një rënie të çmimeve me 30-40% vitet e fundit.

Pak vite më parë, një apartament në vijën e parë të detit e gjeje me 900-950 euro për metër katror. Tani, një hyrje me pamje nga deti e gjen maksimumi 700 euro metri katror. Në zonën e detit, hyrjet janë me 400-500 euro për metër katror, ndërsa matanë rrugës kanë zbritur deri në 300 euro për metër katror.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

UNOPS Kosova organizoi trajnim dy ditor për sigurinë në kantiere ndërtimi  

Published

on

UNOPS Kosova organizoi një Trajnim 2 ditor për Shëndetin, Sigurinë, Socialin dhe Mjedisin (HSSE) me pjesëmarrës nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Universiteti i Prishtinës.

Qëllimi kryesor i trajnimit ishte pajisja e pjesëmarrësve me konceptet kryesore të shëndetit dhe sigurisë në projektet e ndërtimit.

Vështrimet kryesore nga trajnimi:

Kuptimi gjithëpërfshirës dhe respektimi i rreptë i Rregullave të Artë të UNOPS për trajtimin e rreziqeve fatale ose të rëndësishme

Zbatimi i aftë i vlerësimeve dhe inspektimeve të plota të rrezikut në terren

Duke dhënë prioritet sigurinë dhe mirëqenien e çdo individi të përfshirë në projekt.

Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit për ndërtimin e objekteve të reja për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës dhe me mbështetjen e UNOPS HSSE Unit.

Siguria është prioriteti ynë kryesor dhe ne jemi të përkushtuar të krijojmë një mjedis të sigurt pune për të gjithë./Media Ndërtimi

 

Continue Reading

Aktuale

Rama paralajmëron se Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit

Published

on

Kryeministri Edi Rama i ftuar në një ceremoni në kryeqytet, foli për Tiranën dhe transformimin e saj ndër vite.

Rama tha se në 5-6 vitet e ardhshme, këto që shohim do të jenë një pjesë dhe jo shumica e asaj që do të shohim, duke theksuar se ka shumë projekte, dëshirë, ambicie dhe shpirti i sipërmarrjes është futur në një garë për ndërtuar ndërtesa jo vetëm të mira, por edhe të bukura.

Ai shton se Tirana kështu do të bëhet një destinacion edhe arkitektonik.

Sipas, Ramës gjatë viteve në vazhdim shqiptarët do të jenë banorë dhe qytetarë të njërit prej kryeqyteteve më të bukur të Evropës, duke specifikuar se Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti evropian i të gjithë Rajonit tonë.

“Kjo është historia e një qyteti që nuk i ka thënë të gjithë. Unë besoj që në 5-6 vitet e ardhshme, këto që shohim do të jenë një pjesë, jo shumica e atyre që do të shohim, sepse ka shumë akoma projekte, dëshirë, ambicie dhe një lloj gare që është futur në shpirtin e sipërmarrjes që të bëjmë ndërtesa jo thjeshtë të mira, por edhe të bukura, duke i dhënë Tiranës mundësinë që të bëhet një destinacion arkitektonik.

Një vend mes Ballkanit që do të disponojë një koleksion veprash të arkitekturës të mbledhura së bashku nga arkitektët më të mirë të kësaj kohe dhe do të krijojë një trashëgimi të denjë për gjeneratat e tjera.

Unë nuk dyshoj, që nëse sot në ndjejmë kënaqësinë që kemi dalë nga ai llum i tmerrshëm ku e hapëm shekullin e ri në Tiranë, nesër do të jemi banorë dhe qytetarë të njërit prej kryeqyteteve më të bukur të Evropës. Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti evropian i të gjithë Rajonit tonë.”, deklaroi kryeministri Rama./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

“Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës”

Published

on

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, në shtëpinë-muze qëndron Nëna Ferdonije. Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës. Shtëpia e familjes Qerkezi, në Gjakovë dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

Nga aty, 25 vite më parë, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen dhe zhdukën të katër djemtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Nga ajo shtëpi u rrëmbyen edhe Vegim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, Skender e Myrteza Dylhasi, dhe Shpend e Fatos Jetishi.

Në Dardaninë e Pejës, më 27 mars 1999 forcat e armatosura serbe, policë të njësive speciale dhe serb lokal, brenda tri orëve i masakruan 40 civilë shqiptarë të kësaj lagje.

Ne i kujtojmë çdoherë e nuk do t’i harrojmë kurrë.

Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë edhe 75 të vrarët në masakrën në Klladernicë të Skënderajt, 18 të vrarët në Mamushë, dhe 10 anëtarët e familjes Rama të vrarë në Obiliq. Sot, në Fushë Kosovë përkujtohen 168 shqiptarët e vrarë nga forcat e armatosura serbe.

Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia.

Sakrifica e popullit tonë është themeli i Republikës sonë të lirë.

Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës!

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Prishtinë, 27 mars 2024./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending