Connect with us

Aktuale

Rama: Gjendja urbane e Prishtinës u sulmua nga mungesa e vizionit dhe padituria e vendimmarrësve

Published

on

 

UranHaxha

Pas pjesës së parë të intervistës me arkitektin shqiptar me veprimtari në Londër, Përparim Rama sot mund të lexoni pjesën e dyë të intervistës ku ai flet për kaosin e Prishtinës, për ‘renovimin’ e objekteve të kohës së socializmit në Kosovë dhe për punët që po bën tash për tash.

KËTU MUND TË LEXONI PJESËN E PARË TË INTERVISTËS

Më poshtë mund të lexoni pjesën e dytë të intervistës:

Nga ajo që keni mundur të shihni dhe të analizoni, ku qëndron problemi i kaosit në Prishtinë?

Prishtina ka kaluar nëpër një tranzicion Turbo Urban nga koha prej pas luftës e deri më tash. Kemi qenë në një gjendje shumë të vështirë të pasluftës, ku ligji nuk ka ekzistuar apo nuk është marrë parasysh fare. Kemi pasur mungesë të organeve ligjore për të mbrojtur qytetin, ka pasur mungesë të masterplanit për qytetin si dhe të planeve rregullative të zhvillimit të qytetit, e në të njëjtën kohë ka pasë një vullnet dhe mundësi të hatashme financiare që të investohet dhe ndërtohet në Prishtinë, si nga vendasit e po ashtu edhe nga diaspora.

Mungesa e një vizioni për qytetin dhe padituria e vendimmarrësve të kohës se pasluftës ka bërë që gjendja urbane në Prishtinë të sulmohet në çdo anë nga shumë ndërtime të egra duke mos marrë parasysh thuajse as kushtet bazike për ndërtim.

Kemi kaluar nëpër një kohë ku na kanë munguar kuadro të edukuar, si dhe në të njëjtën kohë kemi pasë edhe problemin tjetër fondamental, mos respektimin e ligjit, apo tek jo ekzistimi i ligjit, apo tek paaftësia e organeve gjegjëse të implementojnë ligjin.

Mendoj se gjithçka sillet tek Ligji. Mos-respektimi i tij shkakton kaos, duke iu bashkangjitur kësaj edhe paedukate dhe kuadro të papërgatitur, atëherë shkalla e kaosit është ngritur edhe më lartë.

Edhe nëpër vendet e zhvilluara mund të ndodhë e njëjta gjë sikurse në Kosovë nëse për çfarëdo arsye do të fillojë neglizhenca i ligjit.

Mendoj se viteve të fundit ka pasë një zhvillim pozitiv në ringjalljen urbane, sado e ngadalshme ajo është, mirëpo besoj se është duke shuar në anën pozitive, mirëpo kërkohen kuadro shumë më profesionale dhe mundësi që idetë të zbatohen në realitet pa pengesa partiake e politike, mirëpo duke kuptuar se zhvillimet e mira, te mirë analizuara, mirë kuptuara dhe mirë zbatuara janë në të mirën e të gjithë shoqërisë.

Na mungon ende edhe edukimi adekuat. Mendoj se kemi një rrugë paksa të vështirë deri sa t’i ngrinim standardet edukative nëpër institucionet tona. Prej sa kam pasë rast të kuptoj personalisht, mendimi kritik pothuajse është jo ekzistues nëpër institucionet tona. Kjo na paraqet pengesa të mëdha në të gjitha lëmitë e posaçërisht në arkitekturë e urbanizëm, lëmi këto që kanë impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e secilit.

A është dashur që ndërtesat e socializmit, sikur ndërtesa e Rilindjes dhe një pjesë e Grandit të merrnin këtë pamje të “metalizuar” sikur e kanë tash?

Assesi jo. Këto vepra janë krim kundër trashëgimisë tonë urbane, arkitektonike e kulturore. Janë krim ndaj një pjese të historisë sonë, çfarëdo që ajo të ketë qenë. Ne kemi kaluar nëpër të dhe nëse nuk i kemi këto lidhje arkitektonike me të kaluarën atëherë ne fshijmë një pjesë të identitetit tonë dhe kjo ka impakt negativ në të gjithë shoqërinë për arsye se fshirja apo mosrespektimi i një pjese të identitetit tonë shoqëror krijon destabilizim në konfidencën tonë si shoqëri, si qytetarë të këtyre trojeve.

Andaj duhet qe me çdo kusht te mbrojmë historinë, trashëgiminë tonë arkitektonike, sepse këto janë treguese e procesit tone zhvillues si shoqëri.

A punoni projekte edhe në Kosovë dhe cilat janë kërkesat më të mëdha prej kosovarëve?

Po, gjithsesi. Kemi edhe studion tonë në Prishtinë. Në Kosovë mundohemi që çdoherë të sjellim risi në të menduarit urbanistik e arkitektonik, e po ashtu të paletës së materialeve të cilat përdorim. Mundohemi që dizajnet tona të jenë unike dhe të kenë impakt pozitiv në njeriun pa pasur rëndësi se a ka të bëjë me interier, arkitekturë apo zgjedhje urbane. Çdo herë e marrim parasysh impaktin që hapësirat të cilat ne krijojmë kanë tek njerëzit dhe ambientin ku ndërtohen. Kohët e fundit po shijojmë një sensibilitet shumë më të ngritur tek klientët tonë në Kosove. Ata janë të hapur ndaj ideve të cilat ndërlidhin njeriun me natyrën nëpërmjet arkitekturës, materialeve dhe hapësirat të cilat krijojmë.

Klientët vijnë tek ne sepse e dinë që dizajnët tona do të jenë të projektuara posaçërisht për ta dhe vendi ku zhvillohet ndërtimi. Mirëqenia njerëzore është parakushti kryesor më të cilin ne fillojmë.

Ne trojet shqiptare jemi duke punuar në disa projekte rezidenciale private: një projekt multifunksional të madh në Prishtine, si dhe një tjetër të madh në Tiranë e Drimadhas. E shumë shpejt po fillojmë edhe në nj projekt shumë interesant në Shkup.

Në vazhdën e karrierës suaj, cili është materiali të cilin shqiptarët në përgjithësi e kanë përzemër dhe e kërkojnë në idetë e tyre?

Nuk kam hasur në ndonjë material specifik të cilin e kërkojnë shqiptarët. Më shumë mund të them se janë të hapur shumë e më shumë në diskutim rreth paletës se materialeve të cilat duam t’i përdorim për të krijuar një koreografi hapësirash që stimulojnë një jetë të mirëfilltë dhe një ndjenjë të mirëqenies holistike.

Cili është aktiviteti juaj në Angli tash për tash?

Në Angli jemi duke kaluar nëpër një kohe paksa të vështirë ekonomike e politike për arsye të Brexit-it, dhe një numër i madh i klientelës kanë vendosur që të pushojnë pak deri sa të kalon kjo gjendje paksa kaotike. Monedha e Mbretërisë së Bashkuar, £-Funta, ka humbur vlerën dhe patundshmërive u ka rënë çmimi prej 10-15%.

Mirëpo nëpër secilin kaos krijohen edhe mundësi të shumta. Si rezultat i kësaj ka ndodhur që tash kemi shumë më shumë investitorë nga jashtë. Ne kryejmë edhe shërbime të konsulencës rreth investimeve. Për momentin jemi në “shopping spree” për disa nga klientët e rinj nga vende të ndryshme të botës të cilët janë të interesuar të shfrytëzojnë këtë rast dhe të investojnë në prona nëpër Mbretërinë e Bashkuar e posaçërisht në zonën e qendrore të Londrës.

Ne u mundësojmë platforma të ndryshme investuese dhe numri i klientëve të rinj nga jashtë është në rritje.

Në shumicën e këtyre projekteve jemi partnerë në zhvillim dhe kontrollojmë dizajnin dhe ndërtimin. Kemi krijuar një formulë në bazë të cilës të gjithë janë të kënaqur dhe fitues.

Projektet me të cilat merremi tash janë shtëpi private në zonat luksoze nëpër Londër, si Notting Hill, Chelsea, Holland Park e Mayfair. Po ashtu ndertesa me apartmente, në Lancaster Gate dhe Leatherhead, duke mos përjashtuar edhe disa Bar/Restaurante.

Ndërlidhshmëria me studion tonë në Kosovë na ka mundësuar që të jemi me garues në tregun botëror. Si rezultat tani operojmë edhe në pjesë të ndryshme të botës dhe nuk jemi të varur vetëm nga tregu i Anglisë. Shpresoj që studio jonë në Kosovë të rritet edhe më shumë si rezultat i projekteve tona të reja nëpër pjesë të ndryshme të botës.

A keni ndonjë projekt të cilin po e punoni e që pritet të jetë risi?

Po, patjetër. Mundohemi që secili nga projektet tona të reja të sjellim risi në dizajn dhe mënyren se si ato shfrytëzohen apo implementohen.

Ndoshta për lexuesit tuaj më interesante do të jenë projektet tona në rajon, si ato në Prishtine e Tiranë.

Secila do të ketë elementet të reja dhe inspiruese për shfrytëzuesit e këtyre ambienteve e po ashtu edhe për industrinë në pëegjithësi. Procesi i hulumtimit të risisë është ajo që na eksiton dhe jemi rob të saj çdoherë.

 

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending