Connect with us

Aktuale

Për çdo vit, nga 500 hektarë tokë bujqësore mbulohen me beton

Published

on

Në Kosovë për çdo vit humbin përafërsisht 400 deri në 500 hektarë tokë bujqësore në mënyrë të planifikuar apo të paplanifikuar. Kjo tokë kthehet në ndërtim.

Brenda çdo viti, rreth 500 hektarë të tokës bujqësore shndërrohet në tokë ndërtimi duke e dëmtuar në vijimësi bujqësinë në Kosovës. Asgjësimi i tokave bujqësore duke i shndërruar ato në zona industriale, objekte afariste e komerciale dhe banesa kolektive, kryesisht është bërë rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës.

Idriz Gashi është shef i Divizionit për Tokën Bujqësore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Ai tha se disa komuna ende nuk i kanë nxjerrë të dhënat se sa sipërfaqe të tokës bujqësore i ndërrohet destinimi për qëllime të tjera. Megjithatë, sipas tij, janë bërë disa hulumtime të cilat tregojnë se sa hektarëve tokë bujqësorë në vit iu ndërrohet destinimi.

“Në bazë të disa analizave që i kemi bërë më ndihmën e ekspertëve nga Evropa llogaritet se në Kosovë për çdo vit humbin përafërsisht 400 deri në 500 hektarë tokë bujqësore në mënyrë të planifikuar apo të paplanifikuar”, thekson Gashi.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë atë për qëllime jobujqësore. Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro, citon REL.

Imer Rusinovci profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se në Kosovë nuk po zbatohet legjislacioni në drejtim të ruajtjes së tokës bujqësore.

“Qeveritë nuk janë shumë të kujdesshme dhe fatkeqësisht ne kemi tjetërsime, keqpërdorime më barbare të tokës bujqësore, duke i keqpërdoruar ato që edhe ligji i sanksionon, sidomos klasën e parë dytë dhe të tretë bonitative të tokave, ku vërejmë ndërtime të egra, peizazhe më të zymta dhe krejt këto bëhen për qëllim të përfitimeve materiale në dëm të tokës më të pëlleshme bujqësore”, thekson Rusinovci.

Kjo gjendje e degradimit të tokës bujqësore, do të ketë kosto të papërballueshme për Kosovën në të ardhmen, thotë Rusinovci, sipas të cilit, Kosova do të përballet me mungesë të prodhimit të produkteve bujqësore dhe vendi do të mbetet i varur nga importi.

“Problem madhor dhe kombëtar është menaxhimi i drejtë dhe i mirëfilltë i shfrytëzimit të tokës bujqësore. Duhet të ruajmë këtë tërësi sepse deri më tani jemi treguar të pamëshirshëm ndaj saj”, thekson Rusinovci.

Ndërkohë, përfaqësues të Sindikatave të bujqve ngrehin shqetësim se nga degradimi i tokave bujqësore, Kosova nuk po arrin të plotësojë nevojat për ushqim nga rendimentet e grurit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, thotë se sipërfaqet e tokave bujqësore çdo vit po zvogëlohen dhe sipas tij, kjo po bëhet pa u vërejtur nga autoritetet kompetente.

“Toka jonë intensivisht po uzurpohet nga ndërtimet të cilat nuk janë të dedikuara për prodhimtari bujqësore dhe ne po humbim sipërfaqe çdo vit. Ne kemi edhe sipërfaqe të tokave të cilat janë lënë që nga pas lufta pa u punuara dhe aty mungon infrastruktura. Ne nuk po i rrisim sipërfaqet e tokave bujqësore por po i zvogëlojmë”, thekson Tahiri.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katrorë. Nga kjo sipërfaqe, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, llogaritet se 53 për qind e tokës në Kosovë është bujqësore, 41 për qind tokë pyjore, një për qind sipërfaqe ujore kurse pesë për qind është sipërfaqe tjetër: si tokë trafiku, urbane dhe të tjera.

1 Comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

Auditohet procesi i lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, për periudhë 2021-2023

Published

on

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore, nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

ZKA-ja vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Published

on

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut

Published

on

Pavijoni i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venedik të Italisë është hapur më 18.04.2024.

Kosova në edicionin e 60-të të Bienales së Venedikut prezantohet me instalacionin “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit me kuratore Erëmira Krasniqin.

Stafi i Pavijonit të Kosovës ka bërë të ditur se instalacioni shpalos pabarazitë në vendin e punës tek gratë dhe pasojat fizike të kësaj pune.

Instalacioni paraqet katër objekte skulpturore, dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e ëmbëlsirave dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjikale në gjunjë. Instalacioni shoqërohet nga një projekt zanor i kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.Në hapje të Pavijonit të Kosovës, përveç stafit prezantues nga Kosova, sipas njoftimit mori pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, e cila siç thuhet në njoftim, mbajti edhe një fjalë rasti.

Ndërsa komisionerja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Hana Halilaj, citohet të ketë thënë se sivjet Kosova prezantohet me një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati. “Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës shpërfaq hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore”- citohet të ketë thënë Halilaj.Nga një fjalë rasti mbajtën edhe autorja e instalacionit, Doruntina Kastrati dhe kuratorja Erëmira Krasniqi.

Sipas njoftimit të Pavijonit të Kosovës, me rastin e hapjes së Pavijonit është promovuar dhe është shpërndarë edhe një botim i bazuar në hulumtime, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjës të fabrikës së sallamit.

Pavijoni i Kosovës këtë vit është vendosur në “Museo Storico Navale della Marina Militare” në Venedik -Itali.

ienalja e Venediku do të qëndrojë e hapur deri më 24.11.2024.

Në vitin 2013, Kosova për herë të parë u prezantua në Bienalen e Venedikut me Petrit Halilajn, pastaj më 2015 me Flaka Halitin, më 2017 nga Sislej Xhafa, me Alban Mujën më 2019 dhe Jakup Ferrin më 2022./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending