Aktuale
Mbyllja e derës, e vetmja “masë” për mbrojtjen e objektit ikonik të “Hivzi Sylejmanit”
Objekti i vjetër i Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet që nga viti 2016 është i zbrazët dhe nën mëshirë të fatit. Nga mos-kujdesi institucional objekti i vitit 1930 është në shkatërrim e sipër, e natyra është duke e “përpirë” me bimët e shumta që janë rritur në oborrin e saj. Ky objekt që nga viti 2016 është shfrytëzuar vetëm nga narkomanët, të cilët kanë lënë gjurmë aty përmes shiringave.
Në lidhje me këtë gjendje të objektit, i cili është nën mbrojtje si trashëgimi e vendit, ka raportuar ditë më parë Ndërtimi.info. E disa ditë më vonë institucionet e vendit kanë marrë “masa” për mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij objekti. E vetmja masë e marrë është vetëm mbyllja e derës së oborrit të këtij objekti.
Në qershor të 2018-s, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi në mes të Komunës së Prishtinës dhe Fondacionit “Ibrahim Kodra”, që ndërtesa e vjetër e bibliotekës në “Tophane”, të shndërrohet në Muze për shfaqjen e veprave të mjeshtrit shqiptar Ibrahim Kodra, të cilat aktualisht gjenden në Zvicër e Itali.
E gjitha kjo pasi, Fondacioni “Ibrahim Kodra”, që udhëhiqet nga bashkëshortja e ministrit në largim të Punëve të Jashtme dhe miliarderit Behgjet Pacolli, Marije Pacolli, ka në pronësi shumicën e veprave të artistit të madh shqiptar Ibrahim Kodra. Atëbotë u bë lajm, madje edhe i madh kjo gjë.
Sipas Komunës së Prishtinës, përveç fondit të mbledhur të veprave, Fondacioni “Ibrahim Kodra”, në memorandumin e nënshkruar parashihet që të financojë edhe renovimin e objektit të trashëgimisë kulturore.
Në kohën kur u nënshkruar ky bashkëpunim, u shpresua që do të përfundojë deri në fund të atij viti, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Në lidhje me projektin ideor të muzeut, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, nuk ka dhënë përgjigje. Drejtori i këtij Instituti, Ismet Hajrullahu, ka referuar tek Valbona Saliuka, për të marrë përgjigje, meqenëse sipas tij, ai ishte në pushim vjetor deri më 15 nëntor. Por, Saliuka ka thënë se ai nuk është në pushim, është në punë dhe gjendej në zyrën e tij. Më pas Hajrullahu nuk gjeti as kohën më të shkurtër për përgjigje.
Është ky institut në të cilin që më 20 Qershor të këtij viti u thye një pitos i ruajtur për shekuj, që duhej të ishte në vendin ku duhet mbrojtur në mënyrë profesionale.
E nga Komuna e Prishtinës, për Ndërtimi.info, thonë se marrëveshja është shkëputur në tetor të këtij viti. Për këtë, kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, i ka dërguar një shkresë fondacionit, për të treguar arsyet e kësaj shkëputjeje.
“Arsyet e shkëputjes së memorandumit janë si vijon:
– Mos përmbushja e obligimeve të Fondacionit Ibrahim Kodra siç është paraqitur në Nenin 5 të memorandumit;
– Ndërprerje të komunikimit për më shumë se 1 vjet ndaj iniciativave të Komunës së Prishtinës për të vënë, mbajtur kontakt me përfaqësuesit e Fondacionit Ibrahim Kodra dhe fillimit të investimeve;
– Sipas afatit kohor të përcaktuar me nenin 8, pika 2, kjo marrëveshje bashkëpunimi shkëputet prej datës 01.02.2020;“, shkruhet në shkresën e Komunës së Prishtinës.