Aktuale
Gërmia kur ishte ujë e baltë deri në ditët e sotme [video+arkiv]
Po të krahasosh Gërminë e vitit 1976 me atë të vitit 2017 pa dyshim se ndryshimet janë të mëdha. Pamja sot është krejt tjetër. Gërmia ka ndryshuar ndër vite. Mbase ndryshimet të cilat kanë ndodhur nuk kanë qenë të menjëhershme, por, e mira gjithë kësaj pune është që sot kjo hapësirë e qytetit funksionon për mrekulli pasi që është e vetmja pjesë ku qytetarët e Prishtinës mund të relaksohen dhe frymojnë lirshëm.
Pishina e Gërmisë është ndërtuar në vitin 1989 ndërsa në vitin 1990 ajo ka qenë në dispozicion për gjithë qytetarët e Prishtinës. Fillimisht, thellësia e pishinës ishte 4 metra, gjë që paraqiste rrezik për qytetarët. E sot kjo thellësi arrijnë vetëm deri në 1.90 cm gjë që paraqet shumë më pak rrezik dhe fatmirësisht më pak punë për grupin e shpëtimtarëve.
Lidhur me sigurinë, punën dhe evoluimin e pishinës së Gërmisë për Ndertimi. Info ka folur menaxheri i kësaj pishine Emrush Hyseni
“ Është bërë ndryshimi pozitiv, ka qenë 4 metra thellësia në fillim. Tash në vitin 2014 e kemi bërë renovimin ku thellësia tani është vetëm 1.90cm që do të thotë është zvogëlu sasia e ujit, është ma e lehtë mirëmbajtja, ma pak kimikate, ma pak rrymë, por mbi të gjitha është siguria e njerëzve shumë më e madhe se që ka qenë”, ka thënë Hyseni.
Mirëpo, edhe përkundër ndryshimeve të cilat janë bërë projektet për rregullim të kësaj pishine edhe më tutje nuk mungojnë. Emrush Hyseni sqaron gjerësisht se ku duhet të intervenohet dhe të bëhen ndryshimet me qëllim që kjo pishinë të jetë krah për krah me pishinat e tjera rajonale me standard moderne.
“ Po, ne si staf po edhe unë si punëtor më i vjetër që punoj këtu që 37 vite kisha dashtë me bo modernizimin e kësaj pishine. Duke nisë pikësëpari nga tushat e banjave për vizitorët, patinazhin me rregullu, si dhe një pishinë olimpike e cila është në projekt”, ka shtuar më tutje Hyseni.
Sipas tij të gjitha këto plane do të ndodhin shumë shpejt, kjo për arsye të kapaciteteve turistike që ka vendi jonë duke përfshi këtu malet, bjeshkët, liqejtë etj.
Pishina e Gërmisë hapet prej 12 -17 qershor varësisht prej kushteve atmosferike dhe mbyllet më 31 gusht, teksa numri më i madh për një ditë i vizitorëve është shënuar me 6000 vizitorë
Në kuadër të pishinës së Gërmisë, për të gjithë fëmijët e qytetit të Prishtinës por edhe më gjerë është “Shkolla e Notit për Fëmijë”.
*Pamjet nga arkivi janë shfrytëzuar nga Emisioni “Arkivi” – RTK
You must be logged in to post a comment Login