Connect with us

Aktuale

“Arkitektura në botë, laboratorium futiristik i kulturës”, shkruan Ylber Vokshi Ylli

Published

on

Me rastin e vdekjes së arkitektit të madh Richard Rogers, arkitekti Ylber Vokshi Ylli na sjell një shkrim që e kishte dërguar nga Parisi për lexuesit shqiptarë sa ishte student i arkitekturës për Qendrën nacionale për kulturë dhe art “ ZhorzhPompidu”.

“Arkitektura në botë, laboratorium futiristik i kulturës”

Një objekt francez ende nuk ka shkaktuar interesime dhe reagime më kontradiktore në botën e artit, që nga viti 1889, kur është realizuar pyrgu i njohur i Ajfelit, i cili paralajmëroi  një drejtim të ri në arkitekturën botërore. Ky është pallati  “Beaubourg” (Bobur), në të cilin është vendosur Qendra nacionale për kulturë dhe art “ZhorzhPompidu”.

Lindi me iniciativën e një njeriu, emrin e të cilit e mbanë, e sipas projektit ideor të ekipit ndërkombëtar të arkitektëve. Ky “ laboratorium i kulturës” sot është në mes të Parisit të vjetër, duket pak ofensiv, por askush nuk mund t’ia mohojë ekzistencën, pasi ai, pas shume kohe, i bënë konkurrencë  “pirgut francez”

Pallati  “Beaubourg”është i vendosur në pjesën lindore të sheshit ( bulevardit) ”Sebastopol”, në zemrën e Parisit të vjetër, ku ndërtesat e ndërtuara para disa shekujsh janë të renditura në rrugë të ngushta. Aty, në një hapësirë  të vogël, është ngritur kjo “rafineri” me dimensione impozante: 168 metra e gjatë, 66 metra e gjerë dhe 44 metra e lartë. I tërë pallati ka nje sipërfaqe prej afro 100.000 m2, ku janë te vendosura katër institucione të rëndësishme kulturore, të cilat bashkëpunuan në realizimin e projekteve të ndryshme kulturore.

Biblioteka informative është e kompletuar me fond të pasur librash nga të gjithë lëmenjtë e jetës. Në institutin për modelime industriale punohet në gjurmimin e formave të reja të të shprehurit në art. Arkivi dhe biblioteka e Muzeut të Artit Bashkëkohës janë pajisur me teknikën më bashkëkohëse dhe vazhdimisht bashkëpunojnë me qendra të tjetra kulturore ne Francë. Ekspertët me eminentë janë tubuar në institutin për gjurmime muzikore, ku punojnë në zhdukjen e kufirit të improvizuar mes artit muzikor dhe shkencës, përkatësisht nëdefinimin  e ri të toneve muzikore. Idetë avangarde të punës së qendrës “Pompidu” dhe  programi ambicioz i paraparë në një tërësi funksionale, vetvetiu kanë kërkuar shprehje adekuate arkitektonike.

Duke u bazuar në këtë, në  konkursin ndërkombëtar, juria e përberë nga arkitektët mënjë projekt të tille, i cili ishte i çuditshëm për qarqet konservatore franceze.

Qendra “ ZhorzhPompidu” në tërësi është objekt i çuditshëm jo i rëndomtë, por në mënyrën e vet arkitektonike – e të njohur botërore vendosi te realizohet projekti i përbashkët arkitektonik i Renzo Pianos (italian) dhe Richard Rogers-Riçard Roxhersit (anglez), edhe pse ka pasur shumë kritika për guximin e jurisë pse e ka pranuar. Ajo është një “letër e pastër” vëllimi i lirë për çdo artist qe ta definojë me aftësitë e tij kreative. I tërë pallati është mbështjell me qelq të cilin e mban konstruksioni i shtyllave të çelikta, ngjashëm me skelet, prandaj pallati, edhe pse i përfunduar, duket se ende është duke u ndërtuar. Është kjo një tërësi kubistike e komponuar në qelq e çelik. Posaçërisht fascionon paraqitja origjinale e konstruksionit të çelikut e studiuar hollësisht. Arkitektët, pa ngurruar, në fasadën lindore kanë vendosur gypat e instalimeve për ujësjellës, për ajër dhe rrymë elektrike,të ngjyrosur me ngjyra primare dhe te komponuar në frymën e dizajnit bashkëkohës. Në këtë mënyrë është fituar një koloritet elegant, i cili në shikim të parë vë në dyshim vizitorin se mos gjendet para ndonjë vigani industrial.

E kundërta me këtë fasadë eksplozive, që tërë pallati i jep pamje futuriste, gjendet fasada kryesore, e qetë dhe elegante, ritmin e së cilës e ndërpresin shkallët e lëvizshme të vendosura në një tunel qelqi. Nga koloriteti i fasadës fqinje ka mbetur vetëm një shirit i kuq për të theksuar lëvizjen e dinamikën e kohës, në të cilën jetojmë. Me ndihmën e zgjidhjes interesante të konstruksionit është fituar një hapësirë e brendshme, e lirë dhe fleksibile, e cila mundëson zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore.

Me qindra vizitorë çdo ditë prej orës 10 në mëngjes deri në orën 22 në mbrëmje, kalojnë nëpër portalet e qelqit, qarkullojnë nëpër shkallët e lëvizshme, poshtë e lart, duke përjetuar asociacione të këndshme nga pamja e jashtme megalomane, gjer në befasi të shumta, për të arritur lart në restorant, prej nga shtrihen pamje të bukura të Parisit.

Ne brendinë e këtij tempulli të kulturës me të vërtet gjejmë gjithçka: libra, piktura, projekte, dizajn, muzikë, teatër, kino, me një fjalë tërë enciklopedinë aktuale të shprehur në qelq e çelik. Në ekspozitat, që ndërrohen në mënyrë kontinuale, njihemi me veprat origjinale të Pikasos, Shagalit, Matisit, Kandinskit e të shumë artistëve të tjerë  me famë botërore. Arkitektura e qendrës “ZhorzhPompidu” është shprehje e të arriturave teknologjike të kohës së sotme. Është ky një definim i përshtatshëm arkitektonik, i cili ka mundësuar realizimin e idesë për çka është planifikuar. Në mesin e shtëpive të vjetra te shekullit XVIII duket si një vajzë e bukur në mesin e veteranëve. Ky kontrast është i harmonizuar dhe freskon, pasi pallati e ka respektuar lartësinë e ndërtesave që e rrethojnë. Ajo është shkëputje stilistike me lagjen e vjetër, por materialisht është e lidhur me traditën e konstruksioneve franceze të çelikut.

Edhe pse e akuzuar për mbyllje ndaj masave të gjera, vetë zgjidhja arkitektonike e demanton atë, pasi muret e qelqta mundësojnë që i tërë pallati të jetë i hapur për të gjithë, si gjatë ditës ashtu edhe në mbrëmje, kur i tërë pallati ndriçon, duke simbolizuar votrën e re të kulturës në këtë pjesë të Parisit.

Ka kaluar më shumë se një vit qëkur kryetari Zhiskard’Esten solemnisht bëri inaugurimin e qendrës “Zhorzh Pompidu”. Kjo periodë e shkurtër plotësisht e demantoi shumë skeptik dhe kritikë te rrejshëm, duke afirmuar në mënyrë brilante qendrën, pasi vizitat e përditshme tejkaluan edhe parashikimet me optimiste. Njëherit, ky është inkurajim për vizitorët e artit bashkëkohës që të vazhdojnë me eksperimente të reja.

Ylber Vokshi Ylli, student i arkitekturës, Paris 1977.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending