Connect with us

Op/Ed

Arkitektura hermafrodite

Published

on

Na ishte njëherë një Pallat i Shtypit. Ishte i lartë, i fortë, i punuar me “natyrë” betoni. Dukjen e kishte me kanelura, kurse forma drejtkëndëshe reflektonte tektonikën arkaike të arkitekturës klasike të këtij nënqielli.

Ishte hijerëndë. Arkitektura i buronte në lashtësitë tona, kalonte nëpër periudhën e ndërtimit të kullave dhe vinte deri në ditët tona – si objekt i fortë, i qëndrueshëm e bashkëkohor, me një potencë mashkullore çfarë ishin kullat tona dhe historitë rreth tyre.

Në aspektin strukturor, ishte objekt i qëndrueshëm, tërësisht i realizuar nga betonarmeja, kurse pamjen e kishte në harmoni me materialin me të cilin ishte punuar dhe me funksionin që kryente.

Dukja e tij pak e zymtë, ishte lehtësuar me shtyllëza të bardha në mes të modujve konstruktiv, që ishin reminishencë e së bardhës, e gëlqeres që ne sot e kësaj dite e vendosim përreth dritareve. Ato njëkohësisht shërbenin edhe si mbrojtje nga dielli, meqë ishin të futura në thellësi të perimetrit të objektit. Funksionalisht e fragmentonin dritaren në shirita të ngushtë, që kishin për qëllim arritjen e efektit psikologjik në brendi të objektit. Ato lejonin depërtimin e dritës, lejonin pamjen jashtë të dozuar në sekuenca të domosdoshme për njeriun e punës, por nuk lejonin mundësinë e “kullotjes” së syve në gjithëkahnajë. E fokusonin shikimin në tavolinën e punës ku duhej të “ktheheshe”, meqë dritaret ta impononin një gjë të tillë.

Ai objekt ishte “kulla” e fjalës së shkruar shqipe. Aty botoheshin librat për shkollat fillore, të mesme dhe ato universitare; botoheshin periodikët e ndryshëm kulturor e mbi të gjitha përgatitej dhe shtypej gazeta e përditshme “Rilindja”. Kjo gazetë në përvjetorin e vet të 40-të pat nxjerrë në publik numrin festiv në tirazh prej 500 mijë kopjeve (s`di sa kohë do të lypet që të gjitha gazetat e përditshme që dalin sot, që së bashka ta arrijnë këtë shifër).

Sot ai objekt është ridestinuar në objekt qeveritar. Riprojektimi u bë pa asnjë debat, pa asnjë diskutim rreth mënyrës, konceptit, pamjes së re eventuale të kryeqytetit tonë. E gjitha u bë sikur kjo të ndodhte diku në një vend që nuk ka fare të bëjë me ne. U bë si në një vend ku nuk ekziston faktorit të mbamendjes individuale e grupore.

Sot mund ta shohim si dukët. Duket si një burrë i veshur me fustan. Si një qenie që i ka të dy gjinitë. Mashkulloren brenda dhe femëroren jashtë. Objekt hermafrodit. Epo, mirë, çfarë ka të keqe hermafroditizmin? Hermafroditët janë qenie të vetëmjaftueshme në aspektin emocional. Bile thuhet – sipas legjendës së vjetër – se hermafroditëve zotat ua patën smirën dhe urdhëruan që të ndaheshin, veç burri e veç gruaja. Por, ja që ai urdhër, edhe pse i dhënë nga zotat, nuk u zbatua me përpikëri. Edhe sot kjo dukuri gjendet në natyrë te qeniet e gjalla, mirëpo ato e mbajnë me vete mallkimin e perëndive. Llojit që iu ndalua të jenë hermafroditë, kurrizorëve, ua hoqi mundësinë të jenë të vetëmjaftueshëm. Këtë mundësi ua la pakurrizorëve. Butakëve!

Çfarë arkitekture po kultivojmë? Të vetëmjaftueshme, me mundësi të shumimit? Apo tjetrën? Duke pasë parasysh trajtimin e objekteve, të riprojektuara apo të projektuara rishtas, që të gjithat e kanë një frymë: të njëtrajtshme, pa potencë shprehëse estetike, maskuese, zhbërëse dhe si të tilla jofrymëzuese për gjeneratat e së ardhmes.

Çka na duhen objektet e tilla, që veç për mbrojtje nga ndikimet atmosferike nuk ofrojnë gjë tjetër? Çka na duhen objektet që pamjen e jashtme e kanë si kurtizanet, kurse brendinë plotë me “elemente” arkitektonike, hollësi strukturore, funksionale, që janë si rraçet në çantën e tyre? Çfarë porosie po ua dërgojmë fëmijëve tanë? Çfarë rruge po trasojmë për të ardhmen e qytetit. Ku e kemi vënë shigjetën e kaheve tona? A mund të identifikohet ajo? Jo!

“Përjetësinë e fitojnë njerëzit që i respektojnë prindërit e vet”, thotë një fjalë e urtë (prindërit në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe në atë të përgjithshëm). Nëse s’duam t’i respektojmë, të tregojmë së paku një mirësjellje. Mos t’i fyejmë, siç po bëjmë sot. Si shenjë mirësjelljeje, do të mundnim së paku që reklamën e dikurshme ta ripunojmë që të ndriçojë; që të këtë një pozitë të respektueshme, si simbol së paku. Mos ta lëmë ashtu të katandisur, të shpërfillur e të strukur nën reklamën e njëfarë kafeneje. Mos ta lemë si relike në mëshirën e kohës. Lë të dihet e kemi lënë aty, sepse duhet të jetë aty; apo thjeshtë ka mbetur aty e nuk i hynë kujt në punë – është apo s`është?!

/Autor: Xhelal Llonçari

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Op/Ed

“Ne nuk duhet të lejojmë shkatërrimin për edukimin arkitektonik”

Published

on

Ekspozimi i abuzimit të supozuar në Bartlett nuk duhet të bëhet një justifikim për të çmontuar mënyrën se si ne mësojmë arkitekturën, thotë Sean Griffiths.

Arsimi është sërish objekt debati intensiv. Tre vjet më parë, unë shkrova një mbrojtje të edukimit arkitektonik në këto faqe në përgjigje të kritikave të bëra ndaj modelit të saj të “shkollës së artit” nga kreu i Zaha Hadid Architects, Patrik Schumacher.

Që nga publikimi i artikullit tim, një sërë ngjarjesh të rëndësishme kanë ndikuar në arkitekturën dhe arsimin, duke përfshirë urgjencën në rritje të emergjencës klimatike dhe efektet e pandemisë Covid. Por edukimi arkitektonik, në veçanti, është tronditur nga një raport që zbulon abuzime në një nga institucionet kryesore të tij.

Reputacioni i praktikave mësimore shumë të njohura dhe të imituara të Bartlett tani është në gërmadha

Reputacioni i praktikave të mësimdhënies shumë të njohura dhe të imituara të Bartlett, shkollës së famshme të arkitekturës së UCL, tani është rrënuar për shkak të një sërë akuzash nga ish-studentët që detajojnë rastet e ngacmimit, racizmit dhe seksizmit.

Si kundërpërgjigje, stafi i profilit të lartë është pezulluar dhe drejtuesi i shkollës ka dhënë dorëheqjen. Ujërat e turbullta që atëherë janë trazuar më tej nga publikimi i një letre, të nënshkruar nga disa gazetarë të njohur arkitekturë, praktikues dhe akademikë, duke akuzuar UCL për provokimin e një gjueti shtrigash kundër stafit të Bartlett.

Ai citon ekzistencën e një llogarie në Instagram që emërton dhe turpëron një listë të gjatë të tutorëve të dyshuar abuzues. Ajo u ndoq nga afër, në atë që gjithnjë e më shumë duket si një shtrirje e luftërave kulturore në edukimin arkitektonik, nga një artikull i shkruar nga një prej nënshkruesve të letrës, Paul Finch, që duket se nënkupton se rrëfimet e abuzimit janë të ekzagjeruara.

Studentët duhet të kenë të drejtë për drejtësi dhe personat e akuzuar për padrejtësi duhet të kenë të drejtën e një procesi të rregullt ligjor

Toni i letrës është, për të thënë të paktën, për të ardhur keq. Duhet të jetë e mundur të pranohet se ka ndodhur abuzim dhe se studentët që kanë folur në fakt, nëpërmjet veprimeve të tyre të guximshme, kanë hedhur dritë mbi disa aspekte të pakëndshme të praktikës arsimore, duke kritikuar në të njëjtën kohë denoncimin e plotë të tutorëve për media sociale – një modus operandi që, si përfaqësues sindikal në një universitet, sigurisht që nuk mund ta mbështes.

Sigurisht që nuk është e diskutueshme që studentët që janë viktimizuar duhet të kenë të drejtën për drejtësi dhe që personat e akuzuar për kryerjen e padrejtësive duhet të kenë të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Pse dyshoj se abuzimet e raportuara nuk janë të ekzagjeruara? Epo, sepse unë vetë i jam nënshtruar kësaj lloj gjëje. Por jo në Bartlett.

Kur fillova një diplomë të arkitekturës në Politeknikun jo shumë elitar të Mançesterit në vitet 1980, një arkitekt më këshilloi të prisja të rrija zgjuar gjithë natën në këmbim të nderit për t’u pjekur i gjallë në kriza në një gjendje të rraskapitur.

Ai paralajmëroi se duhet të parashikoja që të ndërpritesha vazhdimisht nga marrja në pyetje armiqësore e motiveve të mia dhe një gjykim tallës për dështimet e mia, një sprovë që nuk ngjante me një marrje në pyetje të Stasit.

Këto qasje jo vetëm që do të reformojnë arsimin, ato do të ofrojnë gjithashtu aftësitë e nevojshme konceptuale, organizative dhe praktike që kërkojmë për t’u marrë me ndryshimet klimatike, pabarazitë sociale dhe shndërrimin e arkitekturës në një profesion ekonomikisht të qëndrueshëm për njerëzit nga të gjitha prejardhjet.

Në shumë raste, studentët dhe praktikuesit e rinj po tregojnë rrugën përpara me grupe si ACAN që udhëheqin akuzat në ndryshimet klimatike dhe FAF sfidojnë praktikat shfrytëzuese që për një kohë të gjatë janë trajtuar si normë në profesion. Në Muyiwa Oki, ka një kandidat kryengritës për president të RIBA-s, i cili përfaqëson pikërisht këto interesa.

Sistemi i studios dhe crit mund të jenë mjete të shkëlqyera për zhvillimin e formave të reja të edukimit dhe praktikës bashkëpunuese, diskursive dhe të politizuar. Por në trajtimin e padrejtësisë, ne nuk duhet të lejojmë shkatërrimin e asaj që është ende e madhe për edukimin arkitektonik. Dhe sigurisht të mos ua hapim derën atyre në institucionet arsimore të cilët do të ishin shumë të lumtur ta bënin këtë për ne.

Sean Griffiths është një artist, arkitekt dhe akademik. Ai praktikon arkitekturën si Arkitekt Modern, është profesor i arkitekturës në Universitetin e Westminsterit dhe profesor vizitor i arkitekturës në Universitetin e Yale. Ai ishte drejtor themelues i praktikës së artit/arkitekturës FAT (Fashion Architecture Taste) midis 1991 dhe 2014./Media Ndërtimi

Continue Reading

Op/Ed

Siguria dhe shëndeti në punë, obligimet e punëdhënësit dhe të punësuarit

Published

on

Si rrjedhojë, Punëdhënësi kosovar është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin e të punësuarve të tij.

Duhet që për secilin të punësuar të ketë raport mjekësor që dëshmon aftësitë e tij punuese. Këto kontrollime shëndetësore realizohen në Institucionet e Mjekësisë së Punës, të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Të tilla, në vendin tonë janë dy: Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë, dhe ai në Obiliq.

Rëndësia e realizimit të kontrollimeve shëndetësore konsiston në atë se secili i punësuar duhet që ta ketë një kronologji të shëndetit të tij, dhe në varësi të rezultateve të marra, bëhet sistemimi i të punësuarit në vendin e punës. Në lidhje me atë se në çfarë afatesh duhet të realizohen këto kontrolle, është i vlefshëm parimi se një vend pune i konstatuar me risk të lartë, duhet që çdo vit të realizoj kontrollimin shëndetësor, ndërsa një vend tjetër i punës, i konstatuar me risk të mesëm, apo të ulët, duhet që çdo tri vite të bëhet kontrollimi.

E gjithë kjo, me qëllimin që të punësuarit të realizojnë të drejtën që të jenë në dijeni për ndikimin që vendi i tyre i punës ka në shëndetin e tyre.

Vlerësimi i riskut – rrezikut për secilin vend pune

Një tjetër obligim i Punëdhënësit është ai që për çdo vend pune duhet që ta ketë të hartuar Aktin e Vlerësimit të Riskut (Risku nënkupton gjasën për me ndodh një lëndim, apo aksident në vendin e punës…). Ky dokument që në menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë është një manual veprimi, përpilohet nga persona dhe institucione të specializuara. Akti i Vlerësimit të Riskut përbëhet nga disa etapa – secila prej tyre e rëndësisë së veçantë.

Fillimisht bëhet identifikimi i rreziqeve, dëmtuesve, ngarkesave dhe konstatohet prania e tyre në vendin e punës; pastaj bëhet konstatimi i mundësisë dhe pasojës për dhe ndaj rrezikut, krejt në fund rekomandohen masa për ngritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, përkitazi me të gjetjet që dalin nga vlerësimi i riskut.

Me miratimin e këtij dokumenti, Punëdhënësi obligohet që t`i njoftoj të punësuarit në lidhje me atë që është e dokumentuar – pra me rreziqet, dëmtuesit, ngarkesat. Krahas njoftimit, i njëjti është i obliguar që masat mbrojtëse dhe ato parandaluese të paraqitura në Aktin e Vlerësimit të Riskut të implementohen.Përgjegjësitë e të punësuarve për punë të sigurtëLigjvënësi kosovar ka paraparë përgjegjësi edhe për të punësuarit:

“Çdo i punësuar ka përgjegjësi të përkujdeset për sigurinë dhe shëndetin e vet dhe të personave të tjerë në punë, në përputhje me trajnimin dhe udhëzimet që i janë dhënë nga punëdhënësi…“.

Kështu për të gjitha masat mbrojtëse, përfshirë këshillat, njoftimet, të cilat i ka ndërmarrë punëdhënësi, të punësuarit janë të obliguar që t`i zbatojnë. Të punësuarit, gjithashtu kanë për obligim që t’i bartin Pajisjet Personale Mbrojtëse (PPM), dhe Pajisjet Kolektive Mbrojtëse (PKM). Përveç përdorimit të tyre ata obligohen që t’i mirëmbajnë këto pajisje dhe për përdorimin apo jo të tyre ata janë përgjegjës vetë.

Në fund, do të duhet të përçohej mesazhi i qartë se kemi të bëjmë me një nga hallkat më humane të shoqërisë. Siguria dhe shëndeti janë të drejta natyrore për njeriun, si të tilla ato duhet të mbrohen në të gjithë akterët: Punëdhënësit, Profesionistët, Institucionet.Shkruajnë: Naim Bajraktari, Ekspert i Sigurisë dhe shëndetit në punë & Lirik Veselaj, Jurist. Autorët janë të angazhuar në trajnimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për siguri dhe shëndet në punë.

Shkruajnë: Naim Bajraktari, Ekspert i Sigurisë dhe shëndetit në punë & Lirik Veselaj, Jurist. Autorët janë të angazhuar në trajnimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për siguri dhe shëndet në punë.

Continue Reading

Op/Ed

Vrulli i ndërtimit në Tiranë: progres apo spastrim?

Published

on

Planet më të vogla pasuese të “Tirana 2030” të quajtura PDV – Plane të Detyruara Vendore, ndryshe masterplane – ndërhyjnë drastikisht në realitetin urban të këtyre zonave duke fshirë komunitetet ekzistuese. Aplikimi i planeve në zonën e “5 Majit” dhe në Kombinat po bëhet shpejt dhe dhunshëm duke shfrytëzuar edhe urgjencën e strehimit të banorëve të ngelur të pastrehë nga termeti. Me moton Churchilliane “asnjëherë mos e lër një krizë të të shkojë dëm” udhëheqja po e shfrytëzon rindërtimin nga tërmeti si mundësi për të ndërhyrë shpejt, duke kapërcyer gjithë hallkat që parashikon një procedurë e ligjshme e e logjikshme, përfshirë këtu edhe diskutimin publik.

Zhvillimi i këtyre planeve u është besuar përsëri dy stararkitektëve italianë të afërt me Ramën. Stefano Boeri, përpilues i planit të përgjithshëm “Tirana 2030”, e ka dizajnuar edhe masterplanin për zonën e “5 Majit”. Këtë zonë ai e riemëron nga zona e Bregut të Lumit, siç njihet gjerësisht, në “Tirana Riverside”.

***

Masterplani parasheh prishje masive dhe rindërtim të pothuajse gjithë lagjes. Prishjet kanë filluar. Një grup banorësh në zonën residenciale janë organizuar duke çuar çështjet në gjykatë dhe duke fituar disa prej këtyre çështjeve të hapura.

Ndërkohë, prishje masive po bëhen edhe në objektet ish-industriale, ku prej gati tri dekadash janë vendosur qindra familje të ardhura kryesisht nga veriu i Shqipërisë. Ata janë konsideruar gjithë këto vite si zaptues. Banorët tregojnë se si fillimisht strukturat gjigande u shërbyen si strehë për të futur kokën, po iu desh shumë kohë të bëheshin të banueshme.

***

Zonat e vetë-ndërtuara kanë një shtrirje të tillë në territor që nuk mund të injorohet më. Në gjenezën e tyre janë formëzuar jashtë logjikës së shtetit dhe tregut. Futja e shtetit duke përdorur instrumentat e disiplinës së arkitekturës bie natyrshëm ndesh me karakterin autonom të këtyre zonave. Arkitektura, në evolucionin e saj deri më sot, njihet si një disiplinë eurocentriste, higjenizuese dhe është në fazat e para të vënies në dyshim të metodave të saj dominuese në territor, pavarësisht që shqetësimin për karakterin determinist të saj e kanë ngritur shumë autorë nga brenda dhe jashtë disiplinës duke reflektuar efektet e modernizmit.

Lind nevoja që arkitektura të bashkëpunojë me disiplina të tjera si antropologjia, sociologjia, gjeografia urbane për të kuptuar kulturën e vendit ku ndërhyn. Nëse, siç po e shohim, modeli i pallatizimit është e vetmja formë zhvillimi që riterritorializon vrullshëm Tiranën, atëherë e kemi humbur shansin për një qytet divers.

Sociologia amerikane Sharon Zukin vë në pah tendencën e shkollës bashkëkohore të dizajnit urban dhe arkitekturës për të projektuar kryesisht për klasën e mesme të lartë, atë që shërben si nxitëse e gentrifikimit, që është në gjendje të paguajë në treg për banesën. Kritika që ajo bën ndaj këtij fenomeni është që arkitektura përqendrohet vetëm tek një mënyrë jetese duke prodhuar një lloj dizajni universal e homogjenizues, duke rezultuar në një sterilizim të formave të tjera të krijimit të hapësirave.

Në këtë kuptim, një udhëheqje që pretendon të jetë e majtë do duhej të ishte, në mos krenare, të paktën më empatike për karakterin popullor e komunitar të zonave të krijuara nga vetë njerëzit në komunitet, duke i vlerësuar për atë që janë, e jo duke i asgjësuar dhunshëm, aq më pak duke riprodhuar e përforcuar stigmën që ekziston ndaj tyre. Shteti i pas viteve të ‘90-ta, në fillim anarkik e më pas i korruptuar, sot shfaqet si armiku që u kërcënon banorëve ekzistencën, që i sulmon e i zvogëlon në kapacitetet e tyre.

Për një fëmijë që sheh prindin të pashpresë nën dhunë shtetërore është një dramë shumë e fortë për t’u procesuar. Ai ka mësuar tashmë që shteti dhe polici janë armiku. Është rritur duke parë se si streha merrte formë vit pas viti, si të gjithë familjarët përfshirë vetë ai, ishin të angazhuar në një formë a në një tjetër për ta lartësuar shtëpinë, për ta mirëmbajtur, me shpresën edhe për ta legalizuar.

Kurajo e krenari lexohet në gjithë qenien e nanës Lizë në ditët e saj më të vështira kur e nxorrën nën qiell të hapur. Rezistencë e guxim tek gratë e “5 Maji” të lidhura krah për krah përballë policisë e buldozerëve. Mijëra zemra ngriti peshë e i bëri bashkë rezistenca për mbrojtjen e teatrit. Kjo është Tirana që i reziston dhunës e kulturës së dominimit, por jo progresit. Ky i fundit nuk mund të vijë kështu.

Progresi vjen së pari nga politika të pranimit e kuptimit të tjetrit, nga ndërtimi i një kulture komunikimi, empatie e fryme negocimi.

Por ata nxitojnë. Nuk kanë kohë për të humbur.

Ky artikull është shkruar nga nga Dorina Pllumbi dhe është publikuar në Kosovotwopointzero.com.

Artikulli është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending