Shkalla e papunësisë në Kosovë pas përfundimit të pandemisë mund të shkojë në 50 për qind, nga rreth 30 për qind sa ka qenë në muajin mars, thotë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Hajdini.

Ajdini po ashtu thotë se qeveria duhet të ndihmojë bizneset, në mënyrë që të mund të mbajnë punëtorët në punë.“Ne jemi të vetëdijshëm në këtë drejtim se shumë vendet të punës do të humbin për arsye të pandemisë që ka kapluar, jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe globin. Për këtë arsye edhe ekonomia e Kosovës do këtë zvogëlim të rritjes ekonomike, kështu që edhe punëtorët do të humbin vendet e punës. Edhe pse në Kosovë përqindja e papunësisë është mbi 30 për qind, kjo do të ngrihet për fat të keq sepse nuk do të hapen vende të reja të punës, por do të mbyllen vendet e punës”, tha ai.

Sipas tij, kjo shifër mund të shkojë deri në 50 për qind sepse gllabërimi i punëtorëve të cilët i inkuadron në marrëdhënie pune është sektori privat, gjegjësisht është sektori i ndërtimtarisë, sektor ky që tashme po ballafaqohet më kriza të ndryshme.

“Pasojat për punëtorët do të jenë mjaft serioze. Punëtorët do të humbasin vendet e punës sikurse në kohën e privatizimit të egër të ndërmarrjeve shoqërore, kur shumë qytetarë kanë mbetur pa vende të punës. Përsëri do të jetë e njëjta situatë në tregun e punës”, tha kryetari i BSBK-së.

Ai tha se nuk të jap ndonjë vlerësim se si mund të realizohet një çështje mbi zhvillimin ekonomik, kur na ka kapluar një situatë e tillë sepse ekonomia zhvillohet duke punuar punëtori dhe jo me anë të politikanëve duke zhvatur buxhetin e shtetit, dhe duke mos dhënë asnjë llogari ndaj punëtorëve dhe duke mos i realizuar kërkesat e punëtorëve.

Se a kanë paraqitur ndonjë shqetësim bizneset se mund të mbesin të mbyllura për shkak të pandemisë, rrjedhimisht të ketë humbje të vendeve të punës, Ajdini u shpreh “Në disa raste po, por nuk mendoj se mbyllje të bizneseve do të ketë në numër të madh. Por, duhet që qeveria t’i ndihmojë bizneset më kredi të lehta bankare që të mund të rifillojnë punë, si kompanitë prodhuese apo edhe bizneset e ndryshme. Unë konsideroj që një program i tillë nga qeveria duhet të jetë i parashikuar edhe ndaj firmave që kanë numër më të madh të punëtorëve”.

Duke folur për Pakon Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria e Kosovës, kryetari i BSPK-së tha se “Prej të këqijave edhe kjo është e mirë edhe pse shuma është simbolike, sepse kanë mundur që mos të ndihmojnë fare duke aluduar se nuk ka fond për këtë çështje. Kështu që kjo pako është më shumë politike s sa një vlerë e konsiderueshme”, tha ai.
Por, se a ka vizituar BSPK-ja ndonjë kompani për t’u interesuar për punëtorët e ekspozuar ndaj rreziku, siç janë marketet, barnatoret dhe kompani tjera që punojnë, Ajdini theksoi se janë në bashkëpunim me kryetarët e Federatave.

“Javën e kaluar përmes sistemit online, kemi diskutuar me ta, ku kemi kërkuar që të monitorohen punëtorët dhe të shikohet se a janë punëtorët e sigurt në vendin e punës. Kështu që kemi i informata se janë duke zbatuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat e paraqitura nga autoritet shëndetësore”, u shpreh ai.