Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, megjithatë, duket se ka një Kusht me “K” të madhe, dhe që ka lidhje me Toka, edhe këto me “T” të madhe. Ambasadori gjerman, Jorn Rohde deklaroi që s’e sheh vendin tonë në këtë institucion pa u respektuar vendimi për Manastirin e Deçanit dhe kjo temë, është përmendur me kërkesa mjaftë të qarta edhe në dy raportet e fundit të eksperëve të KiE-së. Çfarë thuhej aty?
Se anëtarësimi i Kosovës në KiE mund të ndërlidhet me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, nuk po e themi ne.
Këtë e deklaroi mjaft qartë ambsadori Rohde, ku e përmendi se asnjë Qeveri e Kosovës, jo vetëm ajo e drejtuar nga Albin Kurti, s’e ka zbatuar këtë vendim.
“Tash për tash çdo qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet.” – tha ai për “Kosovo-Online”.
2022
Ekspertët e Këshillit të Evropës në raportet e përpiluara gjatë dy viteve të fundit pas vizitave të tyre në Kosovë, kanë ngritur pikëpyetje se “a respektohet ligji” në vendin tonë, duke e ndërlidhur me vendimin e Kushtetuese.
Në raportin e vitit 2022, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq kishte publikuar të gjeturat e saj rreth Manastirit të Deçanit përmes tri pikave.
Fillimisht, përmendej vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, ku konfirmohej pronësia e Manastirit për mbi 24 hektarë tokë përreth, derisa më pas, bëhej thirrje që të zbatohej i njëjti.
“Siç u diskutua me autoritetet, Komisionerja konsideron se moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast shtron pyetje të rëndësishme në lidhje me respektimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejshme.” – thuhej ndërkaq në pikën 61 të raportit.
2023
Çështja e Manastirit të Deçanit u përmend me një qasje të njëjtë edhe në raportin e vitit 2023.
Ekspertët e KiE-së aty kërkuan nga autoritet në Kosovë që pa asnjë vonesë të implementojnë vendimin për Manastirin e Deçanit.
“…gjykata vendosi që 24 hektarë të tokës përreth i takojnë Manasitirit të Deçanit. Një vendim i tillë ishte kritikuar nga politikanë, dhe pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, nuk u implementua. Kjo është qartë shkelje e ligjit.” – thuhet aty.
Në fund sa i përket kësaj pjese, thuhej: “Autoritet e Kosovës duhet që pa vonesa ta implementojnë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit”.
Vlen të përmendet se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar në vazhdimësi nga qeveritë në vendin tonë që ta respektojnë këtë vendim.
Mbi këtë, ka folur disa herë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ishte shprehur:
“Nga këndvështrimi ynë, siç kemi bërë thirrje publikisht gjatë së kaluares, vendimi duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që duhet të negociohet apo diskutohet në këtë moment. Kjo ka ndodhur më herët, por gjykata ka vendosur. Në demokraci, duhet t’i ndiqni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Ndërkaq, më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati ndërprerë sagën 16 vite të gjatë, të një kontesti ligjor, në mes ndërmarjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” në njërën anë, dhe Manastirit mesjetar të Deçanit në anën tjetër.
Kushtetuesja pati vendosur se 24 hektarët e kontestuara i takojnë Manastrit./Media Ndërtimi