Aktuale
Prerjet masive, Kosova rrezikon të mbetet pa pyje
Pyjet në Kosovë po shkatërrohen. Të dhënat zyrtare tregojnë për degradim të pyjeve në nivele alarmante.
Vetëm brenda një viti, Agjencia Pyjore e Kosovës pranon mijëra fletëparaqitje të ngritura kundërvajtëse dhe penale për prerje ilegale të pyjeve.
Zyrtarët e Agjencisë Pyjore të Kosovës, tregojnë se vetëm gjatë periudhës janar-qershor kanë pranuar 2 mijë e 115 fletëparaqitje të ngritura kundërvajtëse dhe penale nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
Prej tyre, vetëm 1 mijë e 781 gjyqësori është treguar efikas ne realizimin e tyre.
Ndërkohë, nga dëmtimi i pyjeve vetëm për periudhën janar-qershor buxheti i Kosovës është dëmtuar gjysmë milioni euro.
Kjo bëhet e ditur nga raporti i përgjithshëm i fletëparaqitjeve për periudhën janar-qershor 2017 nga Agjencia Pyjore e Kosovës, e të cilin e ka siguruar Gazeta Fjala.
Ferizaji e Gjilani prin sa i përket dëmtimit të pyjeve
Sipas këtij raporti, qytetarët e Ferizajt del të jenë shkatërruesit më të mëdhenj të pyjeve. Në periudhën janar-qershor, rreth 1 mijë e 296 metër kub është dëmtuar hapësira pyjore në këtë komunë me një humbje prej 169 mijë euro.
Angazhimi i qytetarëve dhe institucioneve për mbrojtjen e pyjeve duket të jetë më i zbehtë, përkundër interesimit për degradimin e tyre në çdo cep.
Edhe në Gjilan zona pyjore është përkeqësuar. Nga janari në qershor janë ngritur 357 mijë fletëparaqitje me dëme prej 101 mijë euro.
Por as komuna e Prishtinës nuk qëndron më mirë. Rreth 354 mijë fletëparaqitje janë paraqitur me humbje prej 90 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala.
Vërehet se intensitet pak a shumë i njëjtë i prerjeve jo të rregullta të pyjeve ka qenë edhe në komunën e Mitrovicës, Pejës e Prizrenit.
Ministria e Bujqësisë e hedh fajin të komunat
Ndërkohë nga Ministria e Bujqësisë fajin e hedhin tek komunat.
Sipas Leonora Behluli-Arifi, nga kjo ministri, Agjencia Pyjore e Kosovës, realizon kontrolla, vizita dhe aktivitete të shumta, bëjnë edhe konfiskimin e masës drunore të prerë në mënyrë ilegale, si dhe marrin masa ligjore kundrejt dëmtuesve të ndryshëm.
“Në korrik të vitit 2010, është nënshkruar Memorandimi i Mirëkuptimit nga MBPHR-ja – AKP-ja, MAPL-ja dhe 37 komunat e Kosovës, ku përmes këtij Memorandumi, MBPZhR ua ka deleguar komunave përgjegjësitë që ndërlidhen me mbrojtjen e pyjeve dhe dhënien e lejeve për prerjen e trungjeve në nivel lokal”.
Sipas saj, komunat duhet t’u binden kompetencave të caktuara për përmbushjen e përgjegjësive, lidhur me mbrojtjen e pyjeve.
“MBPZHR është organi përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin qendror me pyjet, bënë politikat për një zhvillim të qëndrueshëm të pyjeve, me kusht që komunat të ushtrojnë kompetencat e deleguara për përmbushjen e përgjegjësive të kërkuara konform legjislacionit në fuqi”.
Krahas dëmit që po i bëhet pyjeve nga faktori njeri edhe temperaturat e larta në vend kanë ndikuar që të përhapen zjarre në pyjet e Kosovës, por MBPZHR thotë se deri më tani nuk kanë një raport të përgjithshëm për sipërfaqet e dëmtuara.
You must be logged in to post a comment Login