Connect with us

Arkitekturë

Gafurri: Objektet shëndetësore në Kosovë kanë nevojë për një riformatim të menjëhershëm

Published

on

Uran Haxha dhe Toska Gjikolli

Genc Gafurri është magjistër i arkitekturës, të lokalizuar me një master në objektet shëndetësore. Ai është nga Peja dhe punon prej kohësh si arkitekt. Në një intervistë për Ndërtimi.info ai flet gjerësisht në lidhje me gjendjen e objekteve shëndetësore, ndërtimin e tyre, vazhdën e anekseve të ndërtuara dhe shumë të tjera.

Sipas Gafurrit, në Kosovë duhet të ketë reformim i plotë i objekteve shëndetësore në Kosovë, pasi sipas tij kushtet brenda spitaleve nuk i plotësojnë kushtet minimale krahasuar me ligjet edhe standardet.

Genc Gafurri është nga Peja dhe ka përfunduar Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në vitin 2008. Tri vjet më vonë ka marrë titullin magjistër i arkitekturës në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Ka punuar që nga viti 2004 në punë arkitektonike, teksa është edhe ligjërues në një universitet privat. Në projektet e objekteve shëndetësore ka projektuar Spitali specialistik akusherik-gjinekologjik “Sirona” në Prishtinë;  Riprojektimi i Dhomës së Zgjimit, Barnatoren Qendrore dhe projektimi i Njësisë të përkujdesit intenziv neonatal ne Spitalin Regjional te Prizrenit;  Spitali i Krahërorit në Pejë dhe dy klinika dentare. Përkrah kësaj pune me objekte shëndetësore, ai projekton edhe objekte banimi, afariste dhe projektim të enterierit.

Më poshtë lexoni intervistën:

 

Cilat janë disa nga specifikat e ndërtimit në objektet e shëndetit? Ku dallojnë ato nga ndërtimet e zakonshme?

Objektet shëndetësorë në përgjithësi duhet të jenë të afta t’i adaptohen ndryshimeve. Hyjnë në radhën e objekteve komplekse, disa lloje të objekteve hyn në kategorinë e pestë të saj që i përket kompleksitetit të organizimit të objektit. Këto objekte kanë kërkesa të larta funksionale ku zona e stafit duhet të ndahet strik nga zona e pacientëve dhe zonës së vizitorëve. Gjithashtu duhet të ketë filtra dhe kontakti mes zonave të jetë në mënyrë të kontrolluar gjë që e rrit kompleksitetin dhe kategorinë e lartë të objektit. Meqenëse teknologjia e spitaleve është në ndryshim atëherë fleksibiliteti është një prej fjalëve kyqe në projektimin e objekteve shëndetësore. Kjo rezulton me module konstruktive më të mëdha, lartësi të kateve më të mëdha qysh reflektohet fizikisht në përfundim.

Cilat janë disa nga standardet evropiane që duhet patjetër të aplikohen gjatë ndërtimit të objekteve të destinuara shëndetësore?

Disa rekomandime lidhur me organizimin e objektit shëndetësor. Objektet nuk duhet të jenë të veçanta po të jenë pjesë e sistemit. Tendencë botërore është forcimi i sistemit primar shëndetësor që të mos ngarkohet sistemi sekondar. Për të qartësuar sistemet primare janë qendrat e mjekësisë familjare ndërsa sistemi sekondar janë spitalet rajonale. Me forcimin e sistemit primar zvogëlohen ngarkesat në sistemin sekondar, pastaj aplikimi i spitaleve ditore që të mos kemi pacientë me qëndrim të gjatë në spitalet regjionale e që rezulton me uljen e ngarkesës në spitalet rajonale që paraqet një organizim më të thjeshtë të objektit.

Për secilën prej reparteve që inkorporohen në spital ka standarde në detaje si në organizim ashtu edhe në materiale finale. Si rast konkret mund të përmendim bllokun kirurgjik ku duhet strikt të jetë e ndarë rruga e pacientit në hyrje dhe rruga e pacientit në dalje ku tendencë është të ndalet kontaminimi i kryqëzuar pasi që nuk mund të kthehesh në rrugën e njëjtë në të cilën edhe ke hy në sallën e kirurgjisë,  po ashtu rruga e kirurgëve është specifike ku duhet të kalohet në zhveshtore dhe prapë duhet të ndahen në korridorin e pastër edhe atë të papastër. Si dhe po ashtu rruga e instrumenteve të sterilizuara dhe të pa sterilizuara ku e gjithë kjo e bën zgjidhjen funksionale mjaft komplekse. Pastaj kemi sistemin e ajrimit ku patjetër duhet të përdoren HEPA-filtra dhe më pas edhe grila tjera të vendosura më poshtë ku patjetër duhet të bëhet lëvizja e ajrit në mënyrë të kontrolluar. Dyshemetë janë joporoze deri në nivelin 1.80 totalishtë rezistente ndaj tretësirave të pastrimit dhe të tjera.

Si ndërtohen spitalet publike në Kosovë sot? Sa respektohen këto rregulla në ndërtimet e sotme?

Nuk mund të gjeneralizohet sepse secili projekt i ka karakteristikat e veta. Në përgjithësi çka i mungon sistemit publik shëndetësorë publike është skema e përgjithshme. Punohet në pika të caktuara pa e ditur vendin në sistemin e përgjithshëm. Procesi i projektimit në përgjithësi është proces deduktiv. Fillon prej të përgjithshmes dhe vazhdon në detaje, kurse tek ne është tendenca e kundërt së pari zgjidhet detaji e pastaj qysh do të integrohet ai detal në kuadër të përgjithshmes nuk analizohet shumë. Kanë dallime mes veti objektet por si mungesë kryesore është skema e përgjithshme. Nëse e merr projektimin e spitaleve preferohet qasja e bazuar në fakte. Statistikat për Kosovë ekzistojnë dhe duhet të analizohet demografia, struktura e popullsisë, sëmundjet më të shpeshta thjeshtë të definohen kërkesat e popullatës ndaj sistemit shëndetësor.

Sa janë respektuar rregullat në adaptimin e anekseve të reja në spitalet tona?

Në spitalet regjionale nuk kemi pas ndërtime të reja, por vetëm adaptime ose anekse që nuk korrespondojnë me strukturat tjera. Këtu vjen në shprehje edhe racionalizimi i sistemit p.sh. blloku diagnostikues mund të përdoret prej shumë reparteve njëkohësisht. Janë dy mënyra të sistemeve të organizimit të spitalit, varësisht prej madhësisë së spitaleve dhe shërbimeve që ofrohen brenda është sistemi i centralizuar që është shumë më racional sepse shumë reparte gravitojnë rreth një qendre diagnostike dhe koeficienti i shfrytëzimit është shumë më i madh në ato raste. QKUK-ja sa i përket funksionit nuk është mirë e definuar nëse është sistem terciar apo sekondar, ku i vetmi kusht që e plotëson si sistem terciar është fakti që universiteti është i integruar aty por që nuk ka hulumtime që janë natyrë e sistemit terciar, prandaj duhet të diferencohet saktë.

Çka është problem me ndërtesën e qendrës emergjente?

Qendra emergjente në ndërtim është në lokacion jo të përshtatshëm në raport me objektet tjera. Për emergjencë duhet me qenë linja e veçantë dhe shumë lehtë e çasshme. Emergjenca patjetër duhet ta ketë bllokun diagnostik dhe bllokun kirurgjik dhe në lokacionin ku është duke u ndërtuar nuk ka komunikim të mirë me objektet e tjera.

Sa i kushtojnë rëndësi investitorët investimit në enterierin e spitaleve? Spitalet private sa ndërtohen në bazë të standardeve?

Në sistemin shëndetësor privat ka një përkushtim më të madh që të ofrojnë shërbime më cilësore. Kryesisht në Kosovë kemi spitale specialistike në përjashtim të disa rasteve të rralla.

Ka përkushtim më të madh saj përket detajeve dhe enterierit të objekteve. Tendencat bashkohore janë që spitalet të mos kenë karakterin rigjid të objekteve shëndetësore që gjithmonë e kanë pas. Tendencat janë që enterieri të jetë sa më mirëpritës sa më shtëpiak që në disa raste përmendet trajtimi si në hotele në hapësirat ku veprojmë. Kjo është një sfidë që kërkesat teknike të kthehen në diçka të bukur që kënaqin syrin e pacientëve.

Cilat janë disa nga karakteristikat kryesore të enterierit të një ambulance? (Ngjyrat, realizimi i hapësirave, lidhja e tyre)

Objektet shëndetësore janë trajtuar në aspektin teknik. Ngjyrën shëndetësore e kemi të gjelbrën të katërtën ose të ngjashme. Për më ikë nga klishet dhe asaj ndjenjës së përgjithshme mbi spitalet e sidomos tek vendet ku kemi qëndrim më të gjatë tentohet me apliku sa më shumë gjelbërim, materiale të ngrohta p.sh. tekstura të drurit edhe ngjyrat mos me qenë ato standarde spitalore kështu që tentohet që me elemente të vogla të ndërtohet ndjenja e ambientit të shtëpisë.

Spitalet që kemi tani varësisht kohës së ndërtimit a janë ndërtuar mirë?

Konkluzioni i përgjithshëm është se kanë qenë mirë të ndërtuara në bazë të rrethanave të kohës, dhe kushteve që janë dashtë të plotësohen, atëherë por siç e potencova objektet duhet me qenë të afta t’i adaptohen kërkesave të reja, e që deri në një masë të caktuar mund t’i akomodojnë ato ndryshime. Kështu një vlerësim i përgjithshëm është që deri në një masë të caktuar janë mirë. Kushtet brenda spitaleve nuk i plotësojnë kushtet minimale krahasuar me ligjet edhe standardet dhe ka nevojë për një reformatim të të gjitha objekteve në të gjithë nivelin shëndetësor.

Sa janë të ndërtuara spitalet në pikat strategjike ?

Natyrisht zgjerimi i qytetit në atë kohë është menduar më detalisht se sa që po ndodh tash, por edhe fleksibiliteti ka qenë më i madh sepse qytet kanë qenë në fillim të zhvillimit të tyre. Prizreni dhe Peja kanë spitalet në pozita të volitshme. Vendi i parcelës që shfrytëzohet për spitale shikohet qe të kenë një parking, largim nga pjesë të zhurmshme por të gjitha këto lehtë mund te mbulohen me izolim të duhur akustik dhe masa tjera teknike por gjithsesi shumë më e preferushme është në një vend më të qetë më të gjelbëruar jashtë dinamikes së qytetit. Një gjë tjetër është edhe qasja deri tek spitalet, p.sh. në Prizren duhet të kalohet në rrugët tradicionalisht të ngushta për të arritur tek spitali rajonal që paraqet barrierë në veti, e sidomos për rastet emergjente. Prandaj gjithçka nuk duhet të analizohet në një pikë të caktuar dhe që kalon edhe në probleme urbanistike të qytetit.

Si duhet të adaptohet enterieri i një objekti afarist për shftytëzim shëndetsor (ambulancë, radiologji etj).

Lidhur me radiologjinë dhe kontaminimin me rreze X ka masa mbrojtëse teknike ku bëhet mbështjella me plumb. Aktualisht ka shumë masa që mund të merren për mbrojtje prej rrezeve X. Prandaj edhe në një ambient ku banohet ka mbrojtje, për shkak të karakteristikave të rrezeve X që zhvillohen deri në lartësinë 120cm me izolim adekuat të hapësirës dhe me ventilim mund të arrijmë sigurimin. Në Kosovë kemi një udhëzim administrativ për mbrojte nga rrezet X dhe me zbatimin e saj jemi në zonë të sigurisë.

Cilat mund të jenë pasojat e shfrytëzimit të një objekti që gjatë ndërtimi nuk ka pasur destinim shfrytëzimin e saj si objekt shëndetësorë?

Kjo paraqet një sfidë në vete, këtu vjen në shprehje fleksibiliteti, objektet ekzistuese në shumicën e rasteve nuk munden të ofrojnë fleksibilitetin për adaptim. Si rekomandim nëse dikush mendon të adaptoj një objekt ekzistues në objekt shëndetësor të konsultohet më profesionistë përpara së më vendos për hapësirën ku do t’i zhvillojë aktivitetet.

A mungon një interesim i institucioneve që përpara krijimit të anekseve të konsultohen me profesionistë ?

Në Kosovë jemi 5 profesionistë që kemi ketë specializim në Itali, dhe ideja ka qenë që të bashkohemi dhe të japim kontributin tonë por që nga Ministria nuk ka pasur gatishmëri më i përfshi profesionistët për të dhënë një kontribut në sistemin e organizimit shëndetësor ose sistemit në përgjithësi. Jam ithtar i asaj që të fillojmë prej të përgjithshëm dhe detajet të jenë pjesë përmbushëse e një skeme ma të gjatë. Ditët të mira për shëndetësinë do të vijnë, por tendenca qëndron se si të shkurtojmë kohën që ditë e mira të vijnë më shpejt.

1 Comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Arkitekturë

Çfarë është arkitektura kinetike?

Published

on

Dizajni kinetik është bërë një pjesë thelbësore e zhvillimit arkitektonik, nga shpikja e urave të lëvizshme në Egjiptin e lashtë deri te dhomat rrotulluese në shtëpinë e Sharifi-ha. Megjithatë, si arritëm nga kjo në këtë? Për të kuptuar konceptin e arkitekturës kinetike, le të hedhim një vështrim më të thellë në origjinën e saj.

“Kinetic” rrjedh nga fjala greke kinētikos, që do të thotë “lidhur me lëvizjen muskulare”, ndërsa përkufizimi arkitektonik është koncepti “lejimi i pjesëve të një strukture të lëvizin, pa zvogëluar integritetin strukturor”. me fjalë të tjera, është arkitekturë në formën e një trupi në lëvizje.

Një nga format më të hershme të arkitekturës kinetike është tenda e beduinëve, e përdorur në Afrikën e lashtë. Kjo strukturë elastike ftohëse është e adaptueshme ndaj klimës së shkretëtirës dhe urës së lëvizshme, një mekanizëm mbrojtës i zhvilluar në Egjipt dhe më vonë i përdorur zakonisht në shekullin e 15-të.

Megjithatë, arkitektët filluan të pranojnë konceptin e Arkitekturës Kinetike vetëm në fillim të shekullit të 20-të. Shembuj janë vizatimet e Yakov Chernikhov në Fantazitë arkitekturore dhe koncepti i pandërtuar i Thomas Gaynor për Ndërtesën Rotary në 1908, megjithatë këto botime ishin ende thjesht teorike.

Një projekt që u ndërtua ishte Villa Girasole nga inxhinieri i Marinës Angelo Invernizzi. E ndërtuar në vitin 1935, ajo është një shtëpi rrotulluese që ndjek lëvizjen e diellit për të maksimizuar nxehtësinë dhe dritën në brendësi. Girasole, e cila në italisht përkthehet në Luledielli, ndodhet në një bazë rrethore me diametër 44 metra dhe është një vepër e jashtëzakonshme arkitekturore e ndërtuar gjatë epokave të arkitekturës funksionaliste dhe futuriste.

Më vonë në shekullin e 20-të, arkitektët e zhvendosën fokusin e tyre në arkitekturën kinetike. Teori të tilla si Manifesti i Arkitekturës Mobile të Yona Friedman dhe Planifikimi Hapësinor i Qytetit, Pallati i Argëtimit të Cedric Price dhe Qyteti Plug-in i Peter Cooke u botuan. Megjithatë koncepti i arkitekturës kinetike u prezantua për herë të parë në vitin 1970 nga William Zuk, i cili botoi librin Kinetic Architecture. Kjo tërhoqi më tej interesin për konceptin kinetik ndërsa u zhvilluan shkenca kompjuterike dhe teknologjitë e ndërtimit.

Shembuj të tjerë përfshijnë shtëpinë Sharifi-Ha, e cila siguron vëllime banimi që rrotullohen për t’u kthyer në tarraca në verë dhe mbyllen në dimër, dhe Muzeu i Artit Milwaukee, me mburojën e tij të lëvizshme të diellit, i përbërë nga 72 pendë çeliku që palosen dhe shpalosen. sipas kohës së ditës, dhe Kulla Al Bahar, me një fasadë që ndjek lëvizjen e diellit për të çuar panelet e tekstilit me fije qelqi në formë ylli të hapen dhe mbyllen, duke mbrojtur banorët nga nxehtësia dhe shkëlqimi diellor.

Ka shumë shembuj të tjerë që shfaqin mundësitë e pafundme të arkitekturës kinetike, por në fund të fundit, dizajni kinetik ka ndikuar në ndërtesa në parametra të tillë si koha, moti, energjia dhe nevojat njerëzore që nuk janë statike, por më tepër dinamike. Si rezultat, dizajni kinetik i lejon ndërtesat të zhvillojnë sisteme komplekse që u përgjigjen nevojave të tyre të veçanta./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Rizhvillimi “i shëmtuar” në Liverpool, fiton çmimin për ndërtesën më të keqe të Britanisë

Published

on

Rizhvillimi i Lime Street në Liverpool nga studio britanike Broadway Malyan është emëruar ndërtesa e re më e keqe në vend në Kupën Carbuncle të këtij viti.

Organizuar nga revista e Mbretërisë së Bashkuar The Fence, gjyqtarët zgjodhën rizhvillimin e Lime Street si “ndërtesën e re shumë të keqe në Britani”, që kur konkursi u zhvillua për herë të fundit në 2018.

“Që nga shikimi i parë, dy nga paneli ynë e kishin këtë si përzgjedhjen e tyre numër një, dhe ndërsa lista e gjatë u ngushtua në një listë të ngushtë, kjo pjesë e tmerrshme e fatkeqësisë arkitekturore vazhdoi të qëndronte jashtë,” tha The Fence në njoftimin e çmimit.

Përfunduar në vitin 2019, dizajni i rizhvillimit të Broadway Malyan përmban panele metalike të gdhendura që përfshijnë një fasadë të rrugës që çon nga stacioni i trenit Liverpool Lime Street.

Panelet e gdhendura përshkruajnë ndërtesat shekullore që u shkatërruan për t’i hapur rrugë rizhvillimit, i cili tani përmban një hotel dhe strehim studentësh.

I ringjallur nga The Fence për vitin 2024, Carbuncle Cup synon të identifikojë ndërtesat më të këqija të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u drejtua çdo vit midis 2006 dhe 2018 nga revista e arkitekturës Building Design (BD)./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Arkitektura e kontrollit: Peizazhet e çuditshme postmoderne të Koresë së Veriut

Published

on

Rrokaqiejt postmodern bashkëjetojnë me monumente socialiste në shtetin e izoluar. Shumë prej fotografive janë të publikuara nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve dhe nuk kanë datë se kur janë bërë.

Ndërtesat e larta e shumëngjyrëshe shihen përreth një monumenti të vjetër në Phenian në Korenë e Veriut, 11 shtator 2018, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pamje gjatë natës e distriktit Songhua në lindje të Phenianit, në Korenë e Veriut. Fotoja është publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), por nuk ka datë se kur është bërë.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në një zonë të zhvilluar banimi në rrethin Huaseong në Korenë e Veriut, në këtë foto të publikuar më 6 prill 2024 nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, KCNA.

Pamje e përgjithshme gjatë ceremonisë së hapjes së Fermës së Serës Ryonpho për të shënuar përvjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet, në Korenë e Veriut, në këtë foto pa datë, e cila u publikua më 11 tetor 2022 nga KCNA-ja./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending