Aktuale
Për mërgimtarët rriten çmimet e banesave në Kosovë
Shkendije Ahmeti
“Muajt e shacave”, kështu po i identifikojnë diasporën kosovare në vendlindjen e tyre. Si para luftës, ashtu edhe pas luftës shqiptarët në diasporë kanë ndihmuar Kosovën në zhvillim ekonomik, përmes donacioneve e ndërtimeve biznesore. Por megjithatë, diaspora kosovare nuk po merr trajtimin e duhur në Kosovë. Çmimet dyfish të larta është “mirëpritja” që po iu bëhet atyre në vendlindje. Kështu po pohojnë Organizata Jo-Qeveritare për disaporë “Germin” dhe Oda Ekonomike e Kosovës.
E viteve të fundit ka rënë interesimi i kosovarëve të diasporës për investim në ndërtime dhe blerjen e banesave në Kosovë, shkak i rritjes së çmimeve.
Kryetari i Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, për Ndërtimi.info ka thënë se mos interesimi i diasporës për të bërë ndërtime në Kosovë ka ardhur pasi që çmimet e tokave po janë më të shtrenjta. Gjithashtu çmimi i banesave po rritet në kohën kur mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, transmeton Ndertimi.info.
“Prandaj, duhet theksohet se interesimi i diasporës është shumë më tepër në blerje të banesave se sa në ndërtim të drejtpërdrejt. Arsyeje janë të thjeshta: Në rend të parë në Kosovë çmimi i tokave është shumë i shtrenjtë, është edhe struktura burokratike dhe një mundësi të tillë nuk kanë të gjithë. Këtë e bëjnë vetëm bizneset e diasporës që janë stabile. Por gjithashtu duhet theksohet që në sezonin e verës së diasporës çmimet kanë më tepër tendencë të rriten se sa tendencë për rënie”, tha Gërxhaliu.
Tutje Gërxhaliu është shprehur se edhe përkundër që diaspora kosovare është faktor kyç në stabilitet ekonomik e social, kontributi që ata japin Kosova nuk është duke e çmuar.
“Nëse mendohet në sektorin e ndërtimtarisë kish me qenë tipike që mendohet që Kosova këtë vlug të ndërtimeve pa interesimin dhe investimin e diasporës”, theksoi Gërxhaliu.
Që investitorët nga diaspora po përballen me sfida të ndryshme në Kosovë, e ka thënë për Ndërtimi.info, Fjolla Vukshinaj nga Organizata Jo-Qeveritare “Germin”.
“Në lidhje me investimet nga diaspora shqiptare, Ministria e Diasporës ka krijuar rrjetin e bizneseve shqiptare nëpër botë. Mirëpo, përkundër kësaj nisme, investitorët nga diaspora po përballen me shumë sfida qoftë: mos-sundimi i ligjit, burokracia si dhe mos efikasiteti nga ana e nëpunësve civil për t’i realizuar investimet/projektet e tyre. Ndërkohë, në Pakon e Parë fiskale janë futur disa lehtësime për investime nga jashtë, ndërsa premtimi i ish-Ministrit të Financave, Abdullahu Hoti, që do të krijohen letrat me vlerë për diasporën, nuk e dimë akoma ku ka mbetur”, tha Vukshinaj.
Më tej Vukshinaj ka treguar se interesimi i diasporës ka rënë edhe në blerje, kjo pasi që bazuar në të dhënat e Bankës Botërore çmimet e banesave po rriten çdo vit e më shumë.
“Sa i përket blerjeve të banesave nga ana e diasporës, dhe çmimeve se si ndryshojnë, vitin e kaluar, bazuar në raportimet e mediave, thuhet se ka pasur një ulje të kërkesave nga ana e diasporës për të blerë banesa. Sipas Agim Demukajt nga Banka Botërore çmimet e rritura për banesa ka qenë sepse kërkesat e diasporës ishin të larta viteve që i lamë pas”, tregoi Vukshinaj.
Ndryshe, investimet e diasporës në blerje të banesave, përkatësisht patundshmërive të tjera, sipas Bankës Botërore, përfshijnë rreth 60% të investimeve të huaja direkte në Kosovë.
Sipas buletinit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2016, qytetarët e Kosovës kanë pranuar afër 700 milionë euro mbështetje financiare nga të afërmit e tyre që jetojnë në vendet europiane dhe më gjerë. Kjo shifër, sipas këtyre të dhënave pritet që të rritet edhe për 2.8 për qind gjatë këtij viti.
You must be logged in to post a comment Login