Connect with us

Infrastrukturë

Kina synon të shtrijë ndikimin në Maqedoninë e Veriut përmes infrastrukturës

Published

on

“Tregtia, investimet në biznes dhe kreditë për infrastrukturë janë tri shtylla kryesore, sipas të cilave Maqedonia e Veriut mbetet e varur nga Kina”, thuhet në analizën e organizatës joqeveritare Estima, që në fokus ka analizimin e politikave të Kinës, përfshirë këtu dhe qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

Borxhi i jashtëm i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës, sipas kësaj analize, deri në fund të vitit 2022, kishte arritur vlerën e 479 milionë dollarëve, që përbën 8.7 për qind të totalit të borxhit të jashtëm publik, përkatësisht tre për qind të Bruto Prodhimit Vendor të shtetit.

Analiza e kësaj organizate nxjerr në pah se Maqedonia e Veriut vitin 2022 e ka mbyllur me 2.6 për qind investime kineze kundrejt kapitalit të përgjithshëm që ka hyrë në Maqedoninë e Veriut nga investimet e huaja.

Hulumtimi “Shpresoni për më të mirën përgatituni për më të keqen: A është Maqedonia e Veriut e ndjeshme ndaj presionit ekonomik nga Kina”, është përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit.

Ana Kristinovska, e cila drejton organizatën joqeveritare, Estima, dhe autore e hulumtimit, thotë se borxhi i Maqedonisë së Veriut ndaj Kinës është akumuluar për shkak të kredive financiare nga bankat kineze për ndërtimin e dy projekteve infrastrukturore – hidrocentralit Kozjak dhe autostradës Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër.

“Projekti me autostradën duhet të mbyllet sa më shpejt, pasi vetë shtyrja e afateve na vendos në një situatë të vështirë duke kërkuar kredi të reja nga Kina, kështu na rritet borxhi i jashtëm publik”, thotë Kristinovska. Ajo shton se Kina mund të vendosë embargo në eksportin apo importin e prodhimeve të caktuara.

Nga ana tjetër, Pranvera Kasami, drejtuese e Institutit për Lidership dhe Politika Publike thotë se bizneset e caktuara preferojnë bashkëpunimin me Kinën, pasi nuk detyrohen t’i nënshtrohen transparencës.

“Nga ajo që është diskutuar deri tani, diskursi i konkludimeve shkon nga ajo se, sado joshëse mund të duken ndërhyrjet ekonomike nga Kina, ato duhet shikuar me një qëndrim shumë kritik, në veçanti sa i përket nivelit të jotransparencës, me të cilin zhvillohen dhe që i karakterizon, krahasuar me transparencën dhe monitorimet e strukturuara që zbatohen sa u përket investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike me vendet e perëndimit”, thotë ajo.

Sipas Kasamit, kjo paraqet një indikator të theksuar për rrezikshmërinë nga rritja e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, prandaj thotë se kjo kërkon më shumë vëmendje:

“Një vëmendje e shtuar i duhet kushtuar çdo lloji të marrëveshjeve dhe shkëmbimeve ekonomike, për të arritur shmangien e një sërë efekteve negative zinxhirore, në veçanti në një kohë si kjo, kritike, për Maqedoninë e Veriut – qoftë në aspektin politik, atë diplomatik, madje edhe atë ekonomik”.

Ndikimi ekonomik i Kinës lehtësisht mund të shtrihet edhe në politikë./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

A kanë të ardhme veturat elektrike në Kosovë?

Published

on

Importi i veturave elektrike në Kosovë nuk është në ritmin e importit të veturave me djegie të brendshme. Destinacioni kryesor prej nga vijnë këto vetura me djegie të brendshme është Gjermania. Janë me qindra autosallone që shesin vetura të përdorura, së paku 10 vjet më të vjetra sesa data e importit.

Ligji për Automjete ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Ky ligj po ashtu ndalon importimin e makinave që nuk plotësojnë standardin Euro 4, për mbrojtje të ambientit nga lirimi i gazrave dhe grimcave PM. Euro 4 është një nga standardet, që kategorizon veturat që janë të prodhuara nga viti 2006 dhe gjatë lëvizjes me naftë nuk liron më shumë se 0.25g/km okside të azotit, teksa në lëvizje me benzinë nuk liron më shumë se 0.08g/km okside të azotit.

Përkundër neneve të këtij ligji që synojnë ta parandalojnë emetimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë, nuk ka asnjë nen që bën dallimin për importin e automjeteve “të gjelbra”. Ato i nënshtrohen procedurave sikur automjetet me djegie. Veç një dipozitë përmendet aty, ku thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mundet që të ndryshojë procedurat e regjistrimit dhe kostove për mjetet motorike elektrike dhe hibrid.

Momentalisht, në Kosovë, importi i një veture elektrike është i njëjtë me importin e një veture që djeg naftë dizel apo benzinë.

Nëse importohet veturë elektrike e re, dogana do të kushtojë 10% e vlerës totale të produktit, në këtë rast të veturës. Këtu përjashtohen vendet e origjinës që janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) , Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian (MSA)  dhe që vijnë nga Britaninë e Madhe, teksa për Turqi vlen 2%, pasi Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë. Kurse TVSH është 18%. Në rastin kur importohen veturat elektrike të përdorura, obligimet janë të njëjta sikur me vetura të reja, përpos që shtohet taksa e akcizës. Akciza është tatim, i cili vendoset pasi ai produkt ka kosto shtesë për qytetarët dhe nuk është esencial, sikur mund të ketë kosto shtesë në dëmtim të ambientit. Por, veturat elektrike, edhe pse nuk lirojnë asnjë gaz dhe asnjë grimcë në ajër, në Kosovë duhet të paguajnë.

Akciza ppër automjete deri tetë vjet të vjetra paguhet 400 euro për njësi, deri nëntë vjet paguhet 600 euro dhe deri në 10 vjet paguhet 700 euro.

MPB s’ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e K2.0 në lidhje me ndonjë nismë për ndryshime. Njëjtë, përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MIT), që ka në supe ndryshimin e këtij ligji.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku futet edhe transporti rrugor, është diskutuar që veturat elektrike të trajtohen më ndryshe nga veturat me djegie të brendshme.

“Ministria e Infrastrukturës është duke punuar që të rregullojë një ambient ligjor më të mirë për importim të veturave elektrike, që me i stimulu qytetarët. Janë duke pa çka ka bërë rajoni dhe si ta bëjmë ne më mirë”, tha për K2.0 deputetja Fitore Pacolli, e cila udhëheq këtë komision parlamentar.

Rajoni në këtë pikë ka ecur shumë kohë më përpara. Në vitin 2020, Shqipëria vendosi ta hiqte pagesën e TVSH për import të veturave elektrike. Në vitin 2017, në Maqedoninë e Veriut pati një zvogëlim nga 18% në 5% të TVSH për veturat elektrike që importohen. Në Serbi, qytetarët që do të blejnë vetura elektrike do të subvencionohen deri në një masë të çmimit të përgjithshëm të veturës, duke ua bërë më tërheqëse heqjen dorë nga veturat me djegie të brendshme.

Veturat elektrike janë të qëndrueshme për mjedis

Synimi i qeverisë së Kosovës është që deri në vitin 2031 ta ulë emetimin e gazrave serrë për 32%.

Por, si në rastin e burokracisë në instalimin e paneleve diellore të energjisë, edhe në mbështetjen e importit të veturave elektrike, sjellja dhe përshtatja e kornizës së duhur ligjore stagnon. Përdorimi i veturave elektrike, ndonëse mund të ketë kosto të lartë investimi, ka ndikim të madh në uljen e ndotjes së ajrit dhe emetimin e gazrave serë në atmosferë. Ndryshe prej makinave që përdorin lëndë djegëse si nafta dhe benzina.

Numri i mjeteve motorike të regjistruara në Kosovë — nga veturat e deri tek kamionët me rimorkio — ka pasur trend rritës vazhdimisht. Përderisa në vitin 2016 numroheshin afro 320,000 mjete motorike, prej të cilave mbi 260,000 vetëm vetura, në vitin 2023 sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës numërohen mbi 460,000 mjete motorike, prej të cilave afro 369,000 vetura.

Një publikim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2023, thotë se transporti ka një rritje vjetore prej 4.4% në ndotje të ajrit në Kosovë dhe rritja në motorizim shënohej 80% në periudhën 2010-2020.

Për 100 kilometra në qytet, një makinë që djeg naftë shpenzon mesatarisht 8 litra. Nga kjo djegie lirohen 21.4 kg CO2. Ndërkohë një makinë që djeg benzinë, për 100 kilometra në qytet shpenzon mesatarisht 10 litra benzinë. Nga kjo djegie, lirohen 19.36 kg CO2.

Por, makinat elektrike nuk emetojnë gazra serë gjatë lëvizjes. Tek veturat elektrike llogariten vetëm emetimet që i shkakton gjenerimi i energjisë, që në Kosovë, në mbi 90%, është nga termocentralet. Si rrjedhojë termocentralet llogariten të emetojnë 1 ton dioksid karboni për prodhimin e 1 MWh energji elektrike. Në një përllogaritje të tillë del se për 15 kwh mbushje, në termocentral lirohen 15kg CO2.

Autor: Uran Haxha
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

Continue Reading

Infrastrukturë

Durmishi: Punimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë po realizohen me ritme të shpejta

Published

on

Zëvëndësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka publikuar pamje nga punimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.

Durmishi ka thënë se po ecin me ritëm të shpejt.

“Punimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, po ecin me ritme të shpejta, ku po punohet çdo ditë.

Kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë pasi është rrugë e cila përballon një fluks të lartë lëvizjeje, dhe ka rëndësi të veçantë pasi është rrugë që lidh qytete e fshatra të vendin tonë” shkruan zëvëndësministri në njoftim./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Barcelona shpallet nga UNESCO kryeqyteti Botëror i Arkitekturës për vitin 2026

Published

on

Duke iu bashkuar Kopenhagës dhe Rio de Zhaneiros, Barcelona është emëruar Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës i UIA-s për vitin 2026 nga UNESCO.

Ky titull njeh angazhimin e qytetit për të promovuar vlerat e arkitekturës, planifikimit urban dhe qëndrueshmërisë. Duke kaluar Pekinin si pretendenti tjetër për titullin e vitit 2026, Barcelona fitoi ofertën me propozimin e saj të titulluar “Një sot, një nesër”, me një plan për të pritur një seri ngjarjesh transformuese në të gjitha rrethet e saj dhe për t’u bërë një laborator kërkimor që analizon kapacitetin e arkitektura për të transformuar realitetin me kalimin e kohës.

Për dhjetë muaj, nga festivali i Santa Eluàlia në shkurt në Santa Llúcia në dhjetor, qyteti planifikon të jetë i gjallë me një gamë të gjerë aktivitetesh që synojnë angazhimin e publikut. Sipas përditësimit të fundit të qytetit, kalendari do të përfshijë ekspozita, rrugë arkitekturore të drejtuara, seminare, dyer të hapura për ndërtesa të rëndësishme, instalime dhe konferenca të nivelit të lartë.

Kryetari i bashkisë, Juame Collboni dhe UNESCO-UIA kanë paraqitur një qasje gjithëpërfshirëse për edukimin dhe përfshirjen e qytetarëve në ligjërimin arkitektonik. Kryebashkiaku Callboni theksoi qëllimet e dyfishta të këtyre nismave: thellimin e të kuptuarit publik të rolit të arkitekturës në përmirësimin shoqëror dhe nxitjen e një vlerësimi të ri për peizazhin ekzistues urban. Nisma planifikon gjithashtu një ceremoni hapëse dhe mbyllëse me ndikim, duke shfaqur ndriçimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në të gjithë qytetin, duke shtuar një festë vizuale të trashëgimisë arkitekturore të Barcelonës.

Në lajme të tjera të ngjashme në Barcelonë, përfundimi i shumëpritur i Sagrada Familia pritet të bëhet në vitin 2026, që përkon me 100 vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudi. Këtë vit, Bienalja Evropiane Nomadike, Manifesta 15 Barcelona Metropolitana ka zbuluar një program të decentralizuar që përfshin peizazhin e qytetit nga 8 shtatori deri më 24 nëntor.

Themeluar në vitin 1948, Unioni Ndërkombëtar i Arkitektëve (UIA) është një organizatë joqeveritare e mbështetur nga UNESCO dhe synon të nxjerrë në pah rolin e arkitekturës dhe planifikimit urban në formësimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe trajtimin e sfidave globale. I caktuar çdo tre vjet, Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës së qytetit do të bëhet një forum ndërkombëtar për debat rreth çështjeve që lidhen me mjedisin urban./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending