Ambienti
Mbi 654 hektarë pyje janë të prera ilegalisht çdo vit në Kosovë
Published
9 months agoon
Sipas një raporti të realizuar nga organizata Sustainability Leadership Kosova (SLK), shumë hektarë të pyjeve u dëmtuan edhe në vitet e fundit.
“15.980 hektarë pyje të humbura gjatë periudhës 2001-2021 në Kosovë, mbi 2 hektarë në ditë baras me 3.5 fusha futbolli në ditë. Mbi 654 hektarë pyje të prera ilegalisht çdo vit. Mbi 70 hektarë pyje të djegura çdo vit, mbi 20 hektarë pyje të shndërruar në toka bujqësore”, thuhet ndër të tjera në raportin e SLK-së.
Raporti thekson edhe vitet paraprake kur edhe u bënë dëmet më të mëdha ndaj pyjeve të Kosovës.
“Një rritje e dukshme e shpyllëzimit ka ndodhur në vitin 2007, me 675.97 hektarë të humbur, që përfaqëson 4.23% të sipërfaqes totale pyjore. Ky trend rritës vazhdoi, duke arritur kulmin në 2012, kur u humbën 1817,74 hektarë”, thuhet në raport, shkruan https://preportr.cohu.org/sq/hulumtime/Malet-pa-zot-407?fbclid=IwAR3VUyqbI0wuyfJeicH1S2Zy7wyfWlPR-GpMxr3ov-SWmwI-M7926E2p2AI
SLK këto të dhëna i ka gjeneruar përmes teknologjisë së GIS (Sistemit të Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing (RS, teknologji që përdoret për të hulumtuar dukuri pa qenë në kontakt fizik me objektin, dukurinë apo procesin) është arritur që të kalkulohet norma e humbjeve vjetore të pyjeve.
Janë përdorur instrumente si dronët, imazhet satelitore ose teknologji të tjera të sensorit në distancë për të kapur imazhe ose të dhëna nga sipërfaqja e tokës, duke ofruar një perspektivë më të gjerë mbi modelet e shpyllëzimit dhe ndryshimet me kalimin e kohës.
Gjithashtu, studiuesit kanë vizituar vende specifike për të vëzhguar dhe dokumentuar karakteristikat fizike të zonës si: dendësia e pemëve, përbërja e specieve dhe dëshmitë e shpyllëzimit.
Preportr pati realizuar një hulumtim lidhur me këtë çështje në vitin 2017, ku është paraqitur gjendja e pyjeve në nivel vendi, ndërkaq tani hulumtimi është fokusuar në Komunën e Podujevës, Ferizajt dhe Skënderajt.
Të dhënat nga terreni tregojnë për dëmtim të vazhdueshëm të pyjeve edhe në këto tri komuna. Siç mund të shihet edhe në fotografitë e realizuara gjatë daljes në terren, shumë pyje janë prerë dhe vendet në ato pjesë kanë mbetur të degraduara. Në disa nga ato vende ku janë prerë drutë, tashmë janë hedhur mbeturina të ndryshme.
Në zonat malore të këtyre tri komunave janë vërejtur edhe dëmtime të mëhershme të shkaktuara nga zjarri, por edhe dëme që janë bërë rishtas. Para disa javësh është djegur një mal në Skënderaj, përkatësisht në vendin e quajtur Zhitovc, i cili gjendët mes fshatrave Kllodernicës, Vitakut dhe Çubrelit. Dëmet që janë shkaktuar nga kjo djegie janë të mëdha. Ky mal tregon për dy llojeve të dëmeve që i janë bërë maleve ndër vite. Në njërën anë është prerë, ndërsa në anën tjetër është djegur.
Në Agjencinë Pyjore të Kosovës shprehen të pakënaqur lidhur me ndëshkimet e lehta dhe parashkrimin e lëndëve.
“Me politikat e dënimeve që aplikohen nga Gjykatat nuk jemi të kënaqur, sepse në shumicën e aktgjykimeve nuk shqiptohen madje as gjobat e parapara me minimumin ligjor dhe detyrohemi që të ushtrojmë ankesa në Gjykatën e Apelit”, thuhet në përgjigjen e APK-së.
Preportr ka marrë të dhënat nga kjo agjenci për aktgjykimet dhe aktvendimet që ka pranuar nga gjykatat e Kosovës, por edhe numrin e fletëparaqitjeve që ka bërë kjo agjenci për periudhën 2015 – 25.10.2023
Në Agjencinë Pyjore ankohen për sfida të ndryshme të cilat po ndikojnë në mosruajtjen e pyjeve si duhet. Sipas agjencisë, numri i inspektorëve dhe i rojave të pyllit është i vogël. Aktualisht ka njëmbëdhjetë inspektorë, të cilët mbulojnë gjashtë rajone me nga dy inspektorë.
Në nivel komunal janë gjithsej 171 roje pylli, prej tyre 13 operojnë në komunën e Podujevës, 7 në Ferizaj dhe 6 në Skënderaj.
Ky numër i inspektorëve dhe rojave është i vogël sipas APK-së, sepse për një roje, terreni i përgjegjësisë është nga 500 deri në 1500 hektarë pyje.
Në këto rrethana kjo agjenci e pranon se nuk po mund t’i mbrojë pyjet e Kosovës nga prerësit ilegal. Edhe pse viteve të fundit thonë se ka një përmirësim, prerja ilegale e pyjeve po vazhdon.
Orvatje të zbehta për ta ndalur “gjahun” e pyjeve
Siç mund të shihet edhe gjatë trajtimit të këtij hulumtimi, pyjet në masë të madhe janë dëmtuar në sy të institucioneve përkatëse, të cilat përveç që nuk kanë reaguar, ka pasur shumë raste që e kanë ndihmuar prerjen ilegale. Në një hulumtim të mëhershëm Preportr ka raportuar se rreth gjysma e rojave të pyllit janë proceduar në organet e ndjekjes për shkak të kanë abuzuar me detyrën zyrtare, duke lejuar prerjen ilegale të pyjeve.
Në anën tjetër, derisa ndër vite ka pasur bartje të kompetencave, hartime të ligjeve dhe të dokumenteve tjera, gjendja në terren ka mbetur pothuajse e njëjtë. Ende ka shumë njerëz që dëmtojnë pyjet. Siç duket rastet të cilat po procedohen në organet e drejtësisë nuk po trajtohen siç duhet, duke u parashkruar dhe duke u shqiptuar ndëshkime të lehta, kjo mbase ka ndikuar që veprimet ilegale në pyje veç të shtohen.
Agjencia e Pyjeve duket të ketë ende probleme me stafin dhe rregullimin e brendshëm nga bartja e kompetencave të nivelit lokal. Ata ankohen edhe për kushte të vështira të punës, sidomos për stafin që dalin në terren. Edhe nga agjencia janë të pakënaqur me trajtimin e rasteve të dëmtimeve të cilat po trajtohen me neglizhencë, duke u gjobitur në shuma të vogla parash.
Njohësit e kësaj fushe u bëjnë thirrje institucioneve kompetente për mbrojtjen e pyjeve që të angazhohen më shumë në këtë drejtim, ndërkaq thonë se edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen më shumë për rëndësinë e pyjeve dhe ruajtjen e tyre.
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe u mbështet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë./Media Ndërtimi
You may like
-
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
-
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
-
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
-
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
-
Një autostradë dixhitale do të ndërtohet mes Tokës dhe Hënës
-
Develon prezanton ekskavatorin tunelues DX235RTF-7
Ambienti
Raportimi në media për ndryshimet klimatike duhet të kthehet në prioritet
Published
4 months agoon
July 24, 2024Raportimi në media për ndryshimet klimatike nuk është një prioritet në median shqiptare, por fenomenet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi në jetën e qytetarëve i bëjnë këto probleme gjithnjë e më të prekshme. Kjo ishte tema e takimit të zhvilluar më 21 qershor me gazetarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në populizmin shkencor, uljen e besimit te shkenca dhe besimin e rritur në teori konspirative? Ekspertët sqaruan disa nga taktikat e përdorura për të diskretituar shkencën dhe shkencëtarët, por edhe për të prodhuar konsensus publik për çështje të caktuara, të cilat jo gjithnjë bazohen te e vërteta shkencore.
Po kështu, nëpërmjet rasteve konkrete të TEC-eve u paraqitën disa nga sfidat e raportimit të problemeve mjedisore në Shqipëri dhe përpjekjet e gazetarëve për të arritur transparencë në këtë aspekt përballë autoriteteve. Përdorimi i teknikave të propagandës shpesh bën që të anashkalohen ose të lihen jashtë vëmendjes publike edhe tema që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.
Një tjetër temë me interes ishte lufta kundër dezinformimit për ndryshimet klimatike, duke diskutuar prirjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat online dhe rrjetet sociale. U diskutua edhe për sfidat që hasin gazetarët, cilësimin dhe vlerësimin e burimeve të informacionit, si dhe mënyra për ta kthyer raportimin e fenomeneve shkencore në artikuj dhe histori me interes publik.
Si do të ndryshojë raportimi në media përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale? Sfidë mbetet detektimi i lajmeve dhe imazheve të prodhuara artificialisht, por edhe roli që algoritmet luajnë në përhapjen e informacionit që jo patjetër është prioritar apo i verifikuar për publikun.
Nga ana tjetër, mjetet teknologjike e bëjnë më të qartë ilustrimin e ndryshimeve klimatike, si për shembull duke konstatuar trendin e shpyllëzimit, krijimit të hartave live për rritjen e temperaturave, treguesve live mbi shkrirjen e akullnajave; njoftimie në kohë reale mbi katastrofa si uraganet, përmbytjet, etj.
Takimi është pjesë e projektit rajonal “Forcimi i rolit të medias në adresimin e emergjencës klimatike,” të mbështetur nga Smart Balkans, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, dhe koordinuar në nivel rajonal nga Shkolla e Gazetarisë Novi Sad./Media Ndërtimi
Ambienti
Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës!
Published
5 months agoon
July 12, 2024Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës dhe sistemet e saj ujore janë nën stres në rritje. Mungesa e ujit prek 30% të evropianëve dhe 20% të tokës çdo vit. Në fakt, 70% e qytetarëve evropianë kanë shprehur shqetësimin për ndotjen e ujit dhe mungesën e ujit, e megjithatë pothuajse gjysma e tyre nuk ndihen mirë të informuar për problemet që lidhen me ujin në vendin e tyre.
Kjo është arsyeja pse fushata #WaterWiseEU u prezantua së fundmi, një nismë që do të kontribuojë drejt një Evrope elastike ndaj ujit deri në vitin 2050.
Cikli ynë i ujit, procesi me të cilin uji lëviz nëpër tokën, detet dhe atmosferën e Tokës, është i ndërprerë dhe duhet të rregullohet. Aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike po dëmtojnë ekosistemet dhe po çojnë në më shumë avullim, më shumë përmbytje, më shumë thatësirë – dhe më pak ujë për ne dhe gjithë jetën tjetër që varet prej tij.
Fushata e komunikimit #WaterWiseEU, e cila do të zgjasë deri në vjeshtë, synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth kësaj dhe të ndriçojë në qendër të vëmendjes zgjidhjet e shumta të disponueshme. Zgjidhje të tilla si rritja e ruajtjes natyrore të ujit, rimbushja e ujit nëntokësor dhe rindërtimi i shëndetit të tokës, por edhe menaxhimi i zgjuar i ujit, efikasiteti i ujit dhe ripërdorimi.
Duke punuar së bashku, ne mund të ndryshojmë perceptimet ekzistuese për ujin dhe ‘Shiko ujin ndryshe’, siç thuhet në sloganin zyrtar të fushatës.
Fushata ka zhvilluar një sërë asetesh, duke përfshirë pamje të gatshme dhe mesazhe, të cilat po i vë në dispozicion të partnerëve të fushatës për t’i përdorur. Partnerët inkurajohen t’i përdorin këto mjete për të ndezur një bisedë, për të organizuar ngjarje dhe për t’u lidhur me veprimet e tyre të komunikimit./Media Ndërtim
Ambienti
Zgjerohen shtigjet në Parkun e Gërmisë drejt Gollakut
Published
5 months agoon
July 1, 2024Projekti i zgjerimit të shtigjeve në Parkun e Gërmisë është një iniciativë e rëndësishme që ka mundësuar ndërlidhjen e zonave të banimeve përreth Parkut të Gërmisë me rrjetin qendror të shtigjeve. Ky projekt përfshiu katër shtigje të reja të cilat u inkorporuan në hartën e përgjithshme turistike të Parkut të Gërmisë, të plotësuar me:
Harta të Detajuara: Sigurimi i hartave të reja dhe të azhurnuara për vizitorët.
Digjitalizim: Përfshirja e shtigjeve në platforma digjitale për lehtësimin e aksesit dhe navigimit.
Shenjëzim: Vendosja e shenjave orientuese dhe informative për të drejtuar vizitorët në shtigje të ndryshme.
Kioska Informative Malore: Krijimi i kioskeve që ofrojnë informacione të nevojshme për vizitorët.
Kryeqyteti Prishtina vazhdon të avancojë drejt konceptit shëndetësor, rekreativ dhe turistik të shtigjeve. Ky projekt ka vendosur këtë zonë në hartën turistike dhe kulturore të rajonit, duke promovuar:
Turizmi i Qëndrueshëm: Përqendrimi në aktivitete që nuk dëmtojnë mjedisin dhe që mbështesin ruajtjen e tij.
Ambientalizmi: Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.
Gjithëpërfshirja: Përfshirja e banorëve të Prishtinës në proceset vendimmarrëse dhe aktivitete mjedisore./Media Ndërtimi