Prodhuesi gjerman ka shitur më shumë se 1.3 milionë vetura në Kontinentin e Vjetër vitin e kaluar. VW udhëhoqi bindshëm listën e brendeve më të shitura përpara Toyota dhe Audi. Nga brendet kineze, numri më i madh i automjeteve është shitur nga MG.
Sipas të dhënave të fundit nga JATO Dynamics, në Evropë në vitin 2023 janë shitur pothuajse 12.8 milionë automjete të reja, që është në nivelin e tregut të 10 viteve më parë. Volkswagen ishte sërish marka më e shitur në tregun evropian vitin e kaluar, dhe gjigandi gjerman shiti më shumë se 1.34 milionë autojete dhe në të njëjtën kohë arriti një rritje prej 12 për qind krahasuar me rezultatin e arritur në 2022.
Pas Volkswagen, në listën e brendeve më të shitura është Toyota me 819,544 njësi të shitura, ndërsa pozita e tretë i takoi Audi, e cila dorëzoi më shumë se 730,000 automjete në vitin 2023.
Rritjen më të lartë në përqindje prej 196 për qind, kur bëhet fjalë për brendet “popullore”, e ka arritur kinezi BYD, por kinezët kanë shitur pak më pak se 16 mijë automjete, kështu që rritja nga ai këndvështrim është ende e papërfillshme.Më specifik ishte brendi dikur britanik, tashmë kinez MG.
Ky brend ka shitur më shumë se 230,000 automjete në Evropë me një rritje rekord prej 105 për qind.Nga kjo shifër, MG regjistroi më shumë se 90,000 dërgesa të modelit kompakt SUV ZS, i cili mund të gjendet në disa tregje të BE-së me një çmim nën 15,000 euro. Rezultate të mira të shitjeve shënuan edhe: Tesla (56 përqind rritje), Suzuki (+43%), Cupra (+41%), Mazda (+30%), Škoda (+26%), etj.
Modeli më i shitur në Evropë vitin e kaluar ishte Tesla Model Y me më shumë se 250,000 njësi të dorëzuara, përpara Dacia Sandero (234,000) dhe Volkswagen T-Roc (204,000). Duke marrë parasysh trendin në rënie të shitjeve të automjeteve elektrike, Tesla do ta kujtojë mirë vitin 2023, i cili do të jetë i vështirë të përsëritet në të ardhmen e afërt./Media Ndërtimi