Në Karpatet rumune gjenden pyjet më të vjetër e më të pasur në Europë, sa i përket biodiversitetit. Por sipas ekspertëve 20 vitet e fundit vendi ka humbur mbi 700 mijë hektarë pyje. Saga e prerjeve të paligjshme vazhdon.
Kamionë të mëdhenj janë ngarkuar me stiva trungjesh në një sheshpushim të sajuar buzë rruge, në rajonin e Suceava-s në Rumani, skaji veri-lindor që kufizohet me Ukrainën dhe Moldavinë. Mjete të tonazhit të rëndë shkojnë e vijnë, herë të zbrazur dhe herë bosh. Kjo është një pamje që e has shpesh në këto anë. Për vendasit është e zakonshme. Prerja e pyjeve, e ligjshme apo e paligjshme qoftë, nuk u tërheq më vëmendjen. Megjithatë, në këtë udhëtim në terren së bashku me kolegë rumunë jam e vetëdijshme se të jesh gazetare dhe të raportosh mbi shpyllëzimin në Rumani, do të thotë të mos mirëpritesh këtejpari.
Këtë e vërtetojmë më së miri tek ky sheshpushim, ku fotografojmë shpejt e shpejt dhe largohemi, në drejtim të qendrës së fshatit. Kur makina jonë bën ndalesën e radhës dhe shoferi, i vetmi mashkull i ekipit, largohet për pak çaste, kolegen time Maria e ndalon një burrë i ri në moshë dhe i kërkon llogari se pse fotografuam biznesin e tij pak çaste më parë. Pas një bisede të shkurtër mes tyre, nga mimikat e të cilëve kuptohet herë acarim dhe herë qetësim i situatës, Maria më shpjegon në mënyrë të përmbledhur se pronari i atij biznesni është pikërisht ai, dhe pretendon se çdo gjë është e licensuar dhe po kryhet sipas ligjit.
Pasi jemi ndarë prej tij dhe vazhdojmë rrugën, kontrollojmë në sistem targën që mbajtëm mend nga vendngjarja, për të kuptuar më shumë rreth historikut të kompanisë. Asnjë denoncim zyrtar ndaj tij, por nga një tjetër kërkim zbulojmë për lidhje familjare të pronarit me një nga politikanët e asaj zone.
Që nga viti 2021, Rumania ka vënë në dispozicion të qytetarëve një databazë online të quajtur “SUMAL 2.0”, që u vjen në ndihmë të denoncojnë abuzuesit. “Me zhvillimin e sistemit ‘Forest Radar’ (Radari i Pyjeve), sistem i cili gjurmon në kohë reale masën drusore, fenomeni i prerjes së paligjshme ka rënë ndjeshëm. Nëse në vitin 2014 në rang kombëtar, prerja e paligjshme arrinte deri në 292 mijë metër kub, në vitin 2023 kishim shifrën prej 72.970 metër kub” – thotë për Deutsche Welle Ministria rumune e Mjedisit, e Ujërave dhe e Pyjeve.
Rreziku i shfarosjes së pyjeve qindra-vjeçarë
Ciprian Galusca nga organizata mjedisore “Green Peace”, ka nisur të hulumtojë fenomenin e shpyllëzimit që prej vitit 2016. “Menaxhimin e pyjeve në Rumani do ta përshkruaja si një akullnajë. Ne shohim sot majën e saj, sepse janë bërë shumë përpjekje nga organizatat, aktivistët, pylltarët madje dhe gazetarët, që kanë kontribuar për ekspozimin e prerjeve të paligjshme. Por realiteti është që ka një tjetër pjesë nën ujë të kësaj akullnaje, që është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme. Sepse ajo lidhet me pyjet e virgjër dhe vlera të rralla, të vetmit të mbetur në Europë” – pohon Galusca për DW.
Sipas tij, rajoni më problematik për prerjet masive dhe të paligjshme të pyjeve është Suceava. “Në 20 vitet e fundit, në të gjithë zonën e Karpateve ne kemi humbur rreth 4 hektarë për orë” – thekson Galusca, vlerë e cila përllogaritet në mbi 700 mijë hektarë gjatë dy dekadave. Dhe bashkë me pyjet, rrezikohet i gjithë zinxhiri i biodiversitetit, në veçanti ariu i murrmë.
“Në Rumani gjendet ende popullata e fundit e mishngrënësve të mëdhenj, çka do të thotë se vendi mbetet ende një habitat i mirë për këto specie. Por realiteti është që ato kërcënohen seriozisht si pasojë e ndërhyrjes agresive në pyje. Ne shohim një pakësim të këtyre specieve sepse po shkatërrohen pyjet qindra-vjeçarë”.
Ligje që mungojnë apo ligje që nuk zbatohen?
Tri vite më parë, Komisioni Europian ndërmori hapa ligjorë ndaj Rumanisë – vend anëtar i Bashkimit Europian që prej vitit 2007 – për mosmbrojtjen e pyjeve të fundit natyralë në rajon, pas lobimit të pandërprerë të organizatave ndërkombëtare mjedisore “Agent Green”, “ClientEarth” dhe “EuroNatur”. Shkak për këtë masë ekstreme ishte prerja e paligjshme ndër vite edhe brenda zonave të mbrojtura. Në fakt, sitet e “Natura 2000” kanë qenë për shumë dekada “zona të nxehta” të masakrës pyjore në Rumani.
“Në letër Rumania ka legjislacionin më të gjelbër në Europë. Tashmë ka dhe legjislacionin e gjurmimit, me vendosje sistemi GPS në kamionë, databazë elektronike etj. Por është shumë e vështirë të ndjekësh këtë legjislacion me një ekip shumë të vogël njerëzish që punojnë në policinë pyjore apo institucionet e tjera. Nuk ka mjaftueshëm njerëz që të kuptojnë të gjithë atë çka po ndodh në pyje. Ndërsa për sa u përket parqeve kombëtare, ka mbrojtje strikte që po zbatohet. A jemi ne të kënaqur me këtë mbrojtje? Jo, nuk mjafton. Sepse ne shohim që ka shumë prerje edhe brenda këtyre zonave të mbrojtura. Menaxherët e këtyre parqeve nuk kanë ambicie dhe vendosmëri për të mbrojtur vërtet këto parqe. Dhe ka dhe mungesë interesi nga ana e ministrisë së Mjedisit, sepse tekefundit, është ai institucioni që duhet të vendosë për mbrojtjen e këtyre zonave” – përfundon përfaqësuesi i “Green Peace”.
Vetë ministria thotë se ka një plan konkret për prerjet e paligjshme, duke zbatuar politikat për marrjen në zotërim edhe të fondeve pyjore me pronësi private, madje edhe në rastet kur pronari nuk dihet.
Ky hulumtim u mbështet nga German-South Eastern Programme 2023, International Journalists’ Programme (IJP)./Media Ndërtimi