Ministria e Infrastrukturës i ka hequr lejen për ushtrimin e aktivitetit 6 muaj më parë, por dy gurore të “Gruppo Babasi”, vijojnë punën në shkelje të ligjit.
Të vendosura në vijë ajrore 200 metra larg njëra – tjetrës, në Postribë të Shkodrës, ato shfrytëzojnë mineralin gëlqeror që prej 2015-ës.
Pavarësisht kundërshtive ndër vite të komunitetit dhe revokimit të lejes, Citizens Channel konfirmoi në terren se puna e tyre vijon.
Subjektit “Gruppo Babasi”sh.p.k, i është hequr leja minerare nr.1740, në gusht të vitit të kaluar.
“Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka njoftuar subjektin për zbatimin e planit përfundimtar të mbylljes së aktivitetit, rehabilitimin e mjedisit për sipërfaqen e prekur nga aktiviteti minerar”- citohet në kërkesën e sjellë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) për “Citizens“.
Gurorja, sipas banorëve ndot ujin e burimit, i cila përdoret nga ujësjellësi i Postribës për të furnizuar shtatë fshatra, Milan, Rrasek, Boks, Dragoç, Kodërboks, Mes, Fshati i Ri.
“Gurorja dëmton ujësjellësin, në radhë të parë që furnizon mbi shtatë mijë frymë të zonës. Ka dëmtuar kanalin vaditës, që është mbi 350 – vjeçar, më tepër “- tregon për Citizens Channel Bashkim Ruçi.
Që prej fillimit të punës së gurores banorët shprehen se kanë shitur bagëtinë, pasi nuk mund të kullosin më.
“Sot bashkia na helmon me këtë ujë, edhe unë e quaj për vete një gjenocid“- shprehet një tjetër banor i zonës, Zamir Milani.
Më 30 prill 2018, Këshilli Bashkiak Shkodër ka dhënë pëlqimin për dhënien me qira të sipërfaqes kullosore prej një hektarë, me afat 10-vjeçar.
Gjithashtu banorët denoncojnë dëmtimin e trashëgimisë materiale në zonë./Media Ndërtimi