Është trashëgimi që ia la i ati, por ka tre vjet që këmba e tij nuk ka shkelur në pjesën e poshtme të shtëpisë së tij, ku gjendet lokali i tij.
Ky fakt bën që Admir Paliçko të ndjehet i huaj në pronën e tij, pasi qiramarrësi i tij ia ka uzurpuar pronën tash e tre vjet, raporton Kiks Kosova.
Lokali që gjendet në përdhesen e shtëpisë së Admirit u ndërtua 58 vjet më parë nga të parët e familjes Paliçko.
Madje ende e ka të freskët kohën kur si fëmijë, Admiri, tash 43-vjeçar, bashkë me gjyshërit e tij, punonte për të ndërtuar trashëgiminë, të cilën mendonte që do ta gëzonte një ditë.
15 vjet më parë, familja Paliçko vendosi që këtë pjesë të shtëpisë, të shndërruar në lokal, ta lëshonte me qira dhe gjithçka po shkonte mirë deri para 3 vjetësh, kur qiramarrësi vendosi të luante lojën e uzurpatorit.
Në vitin 2021, Admiri vendosi të mos ia vazhdonte kontratën e qiradhënies dhe kërkoi nga ai t’ua lëshonte pronën, por qiramarrësi rezistoi dhe assesi nuk po pranon të largohet nga ky lokal, i cili është në emër të Admir Paliçkos.
I ndodhur përballë një sfide që duket sa e çuditshme edhe e pazakontë, Admiri vendosi të kërkojë ndihmën nga institucionet gjegjëse në Komunën e Prizrenit, por as aty nuk gjeti zgjidhje për hallin e tij.
Përpjekjet e 43-vjeçarit që çekani i drejtësisë për të ta godasë tavolinën, zhurma e së cilës do t’i mundësonte atij që të zhvillojë biznesin e tij personal në lokalin që e ka trashëgimi nga i ati, po hasin sa në një pengesë, në tjetrën.
Mirëpo, sipas tij, të gjitha pengesat kanë vetëm një emërues të përbashkët – faktin që ai është minoritet dhe nuk i përket komunitetit shumicë.
Ky fakt e ka dëshpëruar Admir Paliçkon dhe e ka shtyrë atë që drejtësinë ta kërkojë përmes mediave. Ai për Kiks Kosovën ka rrëfyer se t’i përkasësh një komuniteti në Kosovë është tejet e rëndë, pasi ndjehesh i lënë anash nga çdo nen, ligj e institucion që vepron në këtë vend.
Zhgënjimi i tij u rrit në natën e 27 nëntorit të vitit të kaluar, kur policia do ta telefononte atë në lidhje me një ankesë për ujë, të cilën ia kishte bërë qiramarrësi i tij.
Admiri u dëshpërua, pasi një reagim të njëjtë nuk e mori kurrë nga institucionet, kur ky u ankua.
Duke qenë dëshmitar i neglizhencës së organeve të drejtësisë, kur në pyetje janë minoritetet dhe vetë rasti i tij, Paliçko pyet se çfarë duhet të bëjë ai që të merret seriozisht nga organet e rendit./Media Ndërtimi