Më 19 tetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi qytetarët të cilët furnizohen me ujë nga liqeni akumulues i Badovcit, që të mos e përdorin për pije këtë ujë për shkak se nga rezultatet e analizave fiziko-kimike, del se ka vlera të rritura të manganit.
“IKSHPK ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë. IKSHPK apelon te qytetaret të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e rrodhes”- thuhej ndër tjerash në njoftim.
Instituti ka vazhduar me komunikata për të njoftuar qytetarët rreth monitorimit të ujit të pijshëm në liqenin e Badovcit.
”Kryeshefi i KRU Prishtina, Arsim Fetahu ka thënë se mënyra e ndërtimit të digës së liqenit të Badovcit në vitet e ’60-a kur edhe u ndërtua ky liqe, ka qenë sipas standardeve të asaj kohe dhe tash është vjetruar.Ai ka shtuar se niveli i ujit që mund të merret nga ky liqe është i kufizuar.
“Për dallim nga liqeni i Batllavës, i cili i ka tri nivele të caktuara me një distancë nga 7-8 metra njëra me tjetrën, po të kishim këtë mundësi edhe tek liqeni i Badocit momentalisht ne do të merrnim ujin nga nivelet më të larta për arsye se s’do kishim problemin e manganit”- tha Fetahu në Kallxo Përnime.
Fetahu thotë se liqenet asnjëherë nuk janë pastruar.
“Ajo çka është pastruar, mund të themi që në liqenin e Batllavës gjatë këtij viti ka qenë i mbushur plotë dhe ne e kemi vendosur shkarkuesin fundor, i cili pastaj edhe krejt ato mbeturina, bashkë me ujin janë larguar nga liqeni. Mirëpo në kuptimin institucional nuk është bërë asnjëherë një pastrim i liqeneve”- tha ai.
Fetahu gjithashtu ka thënë se mënyra e zgjidhjes së problemit të paktën për një kohë është të ngritet niveli i veprës së marrjes së ujit.
“Nuk është lehtë e realizueshme kjo. Uji nga gypi që merret në liqen jemi t`u provu me ngrit në një nivel më të lartë, nuk bëhet për 1-2 ditë na merr kohë por jemi vetëm si KRU që jemi duke provuar ta zgjidhim dhe besoj e shpresoj që shumë shpejt kemi me e bo”- tha Fetahu.
Edhe Qeveria e Kosovës ishte e njoftuar lidhur me vlerat e shtuara të manganit në ujin e Badovcit.Afrim Lajçi nga Këshilli ndërministror për ujëra, ka thënë se kanë vendosur së bashku me IKSHPK-në që të ndalohet uji për pije si dhe të njoftohen qytetarët.
“Jemi dakorduar që të njoftohen qytetarët por që mos të krijohet panik, meqenëse nuk ka arsye për panik, mangani në standardet e cilësisë së ujit në Europë por edhe tek ne, në parametër indikator, nuk është parametër obligativ, si i tillë nuk ka impakt direkt në shëndet. IKSHPK-ja ka vendosur që ta ndaloj për pije ujin për shkak të kategorisë së foshnjeve”- tha Lajçi
Planet e Qeverisë për ujin
Lajçi ka thënë se janë disa çështje teknike që do t`i caktoj kompania rajonale e ujësjellësit.
“Kompania e ujësjellësit e ka parasysh çfarë investime teknike duhet me u bo për me zgjidh problemin afatëgjatë ndërkaq në aspektin afatshkurt, problemi zgjidhet me rënien e temperaturave, me rënien e shiut zgjidhet si problem por edhe kështu siç është nuk ka shqetësim shëndetësor”- tha Lajçi.
Arsim Fetahu, kryeshef i KRU Prishtina ka thënë se në listën e prioriteteve e ka vendos çështjen e furnizimit me ujë të pijes nga liqeni i Badovcit.
Lulzim Fushtica, drejtor për Emergjenca në komunën e Prishtinës, ka thënë se kanë filluar ta rrisin numrin e autocisternave dhe autoboteve në mënyrë që të mos hasin më probleme të tilla.
“I kisha sugjeru edhe institucionet e tjera dhe komunat e tjera që të blejnë autobote dhe autocisterna në mënyrë që këto raste mos të përsëriten. KRU Prishtina e ka vetëm një ne nuk e kemi pasur asnjë deri më tani, por vitin e ardhshëm do ta blejmë një që në rast të nevojës, jo vetëm kur të rriten vlerat e manganit por mund të kemi vërshime mund të kemi lloj-lloj rasti, ne të jemi në gatishmëri t`u shërbejmë qytetarëve”- tha Fushtica.Fushtica ka konfirmuar se kryeqyteti është duke punuar për realizimin e protokollit për siguri.
“Jemi duke punuar në këtë drejtim, fatkeqësisht nuk i kemi të gjitha mjetet as kapacitetet por do t`i kemi në vitet në vijim, por edhe KRU edhe komunat e tjera duhet të investojnë në blerjen e pajisjeve e në infrastrukturë që në raste të tilla të jemi të gatshëm”- tha tutje Fushtica.Afrim Lajçi nga Këshilli ndërministror për ujëra, ka thënë se pa dashur ta zvogëloj rolin e komunave sa i përket menaxhimit të ujërave, të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë i kanë planet e veta si të veprohet në secilën situatë.
“Sa i përket emergjencave të ujit, apo kur uji komprometohet, kompanitë i kanë saktë planet se si të veprojnë”- tha Lajçi.
Ai ka shtuar se po punohet gjithashtu edhe për planin për sigurinë e ujit.
“Po punohet me kompanitë rajonale për hartimin e planeve të sigurisë së ujit, që është instrument që aplikohet në krejt botën, si instrumenti më i mirë për të garantuar cilësinë e ujit të pijshëm, ku analizohen të gjitha rrisqet e mundshme, në krejt ciklin e furnizimit me ujë dhe planifikohen masat, është një proces që e kemi filluar me IKSHPK-në me zbatu me të gjitha KRU-të. Proces ky që identifikon të gjitha rrisqet që e rrezikojnë furnizimin me ujë të pijes dhe me i parapa masat që duhet me u zbatu”- tha Lajçi.
Lajçi ka treguar që është themeluar komisioni për cilësinë e ujit të pijshëm që është i kërkuar edhe me udhëzimin administrativ për ujin.“Ky komision do të prodhoj udhëzues që afati është deri në fund të vitit 2025 sepse është një punë goxha voluminoze dhe kërkuese në kuptim të kohës dhe kapaciteteve. Pra deri në 2025 të gjitha KRU-të kanë me bo planin e sigurisë së ujit”- tha tutje Lajçi./Media Ndërtimi