Valët e migrimit në vitet e fundit kanë çuar në një tjetërsim të familjes shqiptare, duke kapërcyer nga familje të mëdha në ato më të vogla me vetëm prindër të moshuar. Të mësuar me familje të madhe për shoqërinë është zor e përballueshme, përderisa për politikat sociale, gjendje e re.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Qeveritar i Migracionit, nga viti 2018 deri në vitin 2020, nga Kosova kanë emigruar 71.799 banorë.
Pra, projeksioni i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, për vitet 2011-2061 tregon se viti 2034 do të jetë viti kur Kosova do të fillojë të përballet me shpopullimin si problem demografik, i cili do të thellohet dekadë pas dekade. Për ta përballuar një ndryshim të tillë duhen mekanizma shtetërorë që e adresojnë ikjen e fuqisë punëtore dhe ndryshimet demografike që tjetëtërsojnë strukturat shoqërore.
Shoqëria kosovare përballet me vështirësi për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve për shkak të normave të rrënjosura thellë kulturore dhe institucioneve u mungojnë mekanizmat e nevojshëm social për të mbushur boshllëkun e kujdesit.
Kapitalizmi, faktori kryesor i ndryshimeve familjare
Ndryshimet e shpejta në strukturat familjare në Kosovë mund të mos jenë befasuese në rrethana normale. Megjithatë, duke pasur parasysh mbizotërimin tradicional të familjeve të mëdha shqiptare, këto transformime i kanë habitur njerëzit.
Sead Zimeri, filozof, i cilëson këto ndryshime si të pritshme, madje si të vonuara.
Zimeri ia atribuon ndryshimet në strukturat familjare në Kosovë tendencave më të gjera që ndodhin në vendet postkomuniste, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, këto ndryshime ndikohen nga ndryshimet në strukturat politike dhe ekonomike të vendit.
“Por kjo nuk do të thotë se këto ndryshime janë domosdoshmërisht të mira për ne në momentin që po ndodhin, duke pasur parasysh se ende nuk jemi të përgatitur siç duhet për të përballuar pasojat e ndryshimit që po ndodh” – tregoi Zimeri në një intevristë për BIRN.
Në vitet 1990, strukturat familjare në Kosovë përbëheshin nga gjyshërit, prindërit dhe fëmijët. Megjithatë, pas luftës, pati një kalim drejt një sistemi familjar me dy breza. Në vitet 2000, valët e migrimit në vendet perëndimore çuan në një transformim të shpejtë te familjet me vetëm të moshuar.
Ndërmjet viteve 2013 dhe 2017, mbi 170,000 qytetarë janë larguar nga Kosova, siç raporton ASK – të dhënat përfshijnë emigrim të rregullt dhe të parregullt, me një numër të konsiderueshëm që kërkojnë azil.
Ndryshe nga modelet e migrimit gjatë dhe para luftës, ku anëtarët e familjes migruan në Perëndim kryesisht për të mbështetur familjet e tyre në Kosovë, trendi aktual është i shtyrë nga kërkimi i pagave më të mira dhe mundësive të punës.
Zimeri beson se ky transformim po shkakton dhimbje për shqiptarët, pasi po ndodh pa pëlqimin e tyre dhe kundër dëshirës së tyre. Ndryshimi nuk është nën kontrollin e tyre; përkundrazi, u imponohet atyre nga rrethanat.
Ai thekson pashmangshmërinë e këtij ndryshimi dhe këshillon përshtatjen sa më mirë me të. Përgatitja për transformimin mund të ndihmojë në zbutjen e pasojave të tij negative.
Megjithatë, besimi tradicional se prindërit ‘nuk duhet të lihen vetë’ ka ndryshuar, shkas ndryshimet ekonomike.
Zimeri ia atribuon këto ndryshime sistemit ekonomik kapitalist, i cili jo vetëm ndikon në ekonomi, por edhe formëson stilin e jetesës dhe mënyrën e jetesës së njerëzve.
Për paradoks, përgjithësisht në Ballkanin Perëndimor, vitet e fundit, vizat e punës kanë mundësuar që shumë të rinj shkojnë në Gjermani për t’u kujdesur për të moshuarit atje, përderisa në Kosovë zvogëlohet numri i fuqisë punëtore.
Për shkak të rritjes së numrit të të moshuarve, jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Evropën, politikat e qeverisë dhe udhëzimet, si dhe i gjithë sistemet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore po kalojnë aktualisht ndryshimet dhe reformat për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të pensionistëve dhe kërkesës së ndryshuar për shëndetësore të lidhura me këtë ndryshim demografik, gjetje që theksohet në një raport për politikat e plakjes nga Parlamenti Evropian, me fokus Gjermania.
Nisur nga trendi, kjo lloj familjeje shumë shpejt do të bëhet sfidë e madhe në Kosovë, ndaj është e nevojshme që të merren masa sa më parë. Shtetet e zhvilluara i kanë tejkaluar këto pengesa përmes politikave sociale.
Gjermania vazhdimisht punon për modernizimin dhe zhvillimin e profesioneve të kujdesit infermieror në mënyrë që të plotësojë nevojën në rritje për staf infermieror. Rregullimi i politikave sociale në këtë kontekst nënkupton solidaritet dhe barazi ndërmjet brezave, për shkak të ndryshimeve demografike që janë të pashmangshme. Mosha mesatare e popullsisë së Kosovës prej 1.7 milion banorëve është 30 vjet, dhe vetëm 6.2% janë të moshës 65 apo mbi 65 vjeç. Për këtë arsye, nevojiten hapa proaktivë për të siguruar mirëqenien e popullatës së moshuar në Kosovë.
Duke nxjerrë krahasime nga vendet e zhvilluara, Kosova duhet të analizojë strukturën e saj demografike për të kuptuar në mënyrë efektive dinamikën e ndryshimit të popullsisë. Duke vepruar kështu, vendi mund të zhvillojë politika sociale gjithëpërfshirëse që adresojnë nevojat dhe sfidat në zhvillim të popullsisë së tij./Media Ndërtimi