Connect with us

Infrastrukturë

Vërshimet ende e zënë Kosovën në befasi

Published

on

Ndryshimi klimatik, degradimi i shtretërve të lumenjve e betonizimi rrezikojnë komunat e papërgatitura.

Në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, lajmet për vërshime janë bërë tashmë të zakonshme, sidomos gjatë fillimit të vitit dhe muajve të verës.

Ende pa mbaruar viti, qytetet e Kosovës janë vërshuar dy herë. Në janar 2023, qytetet e Skenderajt, Mitrovicës, Podujevës, Istogut e Klinës patën dëme të konsiderueshme materiale. Vetëm në Skenderaj, dëmet nga vërshimet u vlerësuan afër 12 milionë euro teksa u dëmtuan 300 shtëpi banimi.

Pas disa muajsh, në qershor, u vërshuan sërish disa qytete, ndër të cilat Peja e pësoi më së rëndi. Një grua dhe djali i saj 5-vjeçar humbën jetën pasi oborri i shtëpisë në lagjen “Asllan Qeshme” iu vërshua me vrull. Trupi i gruas u gjet pas disa orësh kërkimi, larg oborrit shtëpisë, nga ku e kishte bartur rrjedha e ujit.

Vërshimet, që s’janë të panatyrshme, janë shpeshtuar për shkak të ndryshimeve klimatike. Që nga viti 1981, temperaturat mesatare globale janë rritur për 0.18 gradë për çdo dekadë. Sot, toka është 1.2 gradë më e nxehtë në krahasim me epokën para-industriale. Ndryshimi i temperaturave ka çrregulluar ekosistemin duke shpeshtuar motin ekstrem si duke rritur thatësirat dhe sasinë e reshjeve. Shpeshtimi i vërshimeve si pasojë e ndryshimeve klimatike përmendet edhe në Planin e Veprimit të Strategjisë për Ndryshime Klimatike 2019-2021 të hartuar nga qeveria e Kosovës. Plani i Veprimit thotë se ndryshimet klimatike tashmë vihen re në Kosovë.

Ndryshimi klimatik e ka vështirësuar edhe parashikimin e katastrofave natyrore. Për shembull, në hidrologji, shkencë që merret me ciklin e ujërave, njihen periudhat përsëritëse që llogarisin se sa shpesh mund të ndodhin vërshimet e njëjta në vendin e njëjtë. Sipas studimeve në këtë fushë, vërshimet e njëjta mund të ndodhin prej pas 10 deri 1,000 vitesh. Në Kosovë, vërshimet e janarit të vitit 2021, u vlerësuan të njëjta me ato të vitit 1979 — pra u përsëritën pas 42 vitesh. Por, pakkush mund ta parashikonte përsëritjen e vërshimeve të njëjta pas dy vitesh, siç ndodhi me vërshimet e këtij viti.

Në Kosovë, faktor rreziku për vërshime nuk janë vetëm ndryshimet klimatike. Rrezikshmërinë e shtojnë degradimi i vazhdueshëm i shtretërve të lumenjve dhe infrastruktura e dobët, si pasojë e betonizimit të hapësirave të gjelbërta dhe ndërtimit në pellgje lumore.

Ekzistojnë disa adresa institucionale, në nivel qendror e lokal për vërshime. Përgjegjësia për t’i parashikuar, ngritur alarmin dhe menaxhuar vërshimet bie te dy institucione në nivel vendi — Instituti Hidrometeologjik i Kosovë (IHMK) dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).

Ndërkohë, për ta ditur nivelin e rrezikshmërisë në nivel vendi, Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, brenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka përgjegjësinë t’i hartojë Hartat e Rrezikshmërisë dhe Rrezikut nga Vërshimet për pellgjet lumore të Kosovës. Por, asnjëra s’është gati.

Harta e fundit, ajo e vlerësimit paraprak të rrezikut nga vërshimet, që është hartuar nga ministria daton në vitin 2021 dhe paraqet vlerësimin të rrezikut nga vërshimet për të gjitha pellgjet lumore. Ndërkohë, ajo e Rrezikshmërisë dhe Rrezikut nga Vërshimet, sipas MMPHI, është në proces dhe mund të përfundohet deri në fund të vitit. Kjo hartë pritet të mbledhë të dhënat ndër vite nga të gjitha institucionet relevante dhe do të paraqesë qartë se cili rajon rrezikon të vërshohet nëse ka reshje të shumta.

Pas vërshimeve në Pejë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar një strategji të re për t’iu kundërpërgjigjur ndryshimeve klimatike — e fundit kap periudhën 2019 – 2021. Kurti, në mbledhjen e qeverisë pas vërshimeve, tha se duhen 1.3 miliardë euro investime në infrastrukturë që të përshtatemi me ndryshimet klimatike.

Por përpara të gjitha institucioneve qendrore, përgjegjësia fillimisht i bie secilës komunë për t’i përgatitur dokumentet të cilat i parasheh Ligji për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, të cilat duhet ta ofrojnë vlerësimin e rrezikut dhe planet e reagimit emergjent dhe t’i realizojnë ato.

Megjithëse institucionet përgjegjëse janë të qarta, vërshimet e papritura në janar dhe në qershor të këtij viti treguan se ato nuk janë në krye të detyrës.

Imazhi i ballinës: Sefer Aliqkaj

Përmbajtja e këtij artikulli të shkruar nga gazetari Uran Haxha është përgjegjësi vetëm e K2.0./Media Ndërtimi

Infrastrukturë

212 mijë euro për asfaltimin e rrugës Poterq-Dugajevë të Klinës

Published

on

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me zëvendësministrin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi për asfaltimin e rrugës Poterq-Dugajevë.

Vlera e projektit të planifikuar është 212 000 euro, ku 50 000 euro do të paguhen nga buxheti i komunës, ndërsa pjesa tjetër nga ministria.

“Kam paraqitur kërkesat edhe për investime të tjera për të cilat ka nevojë Komuna e Klinës, si asfaltimi i transitit në Klinë, rehabilitimi i rrugëve rajonale që janë në përgjegjësi të ministrisë si rruga “17 Shkurti” në Caravik dhe rrugë të tjera. Investimet në rregullimin e infrastrukturës rrugore janë një ndër kërkesat më të mëdha të qytetarëve e ndër prioritetet tona si qeverisje komunale.”, deklaroi kryetari Elezaj.

“Me qëllim që të krijojmë kushte më të mira infrastrukturore, ne në vazhdimësi kemi investuar, si me buxhetin e komunës ashtu edhe me bashkëpunime të ndryshme” – ka thënë Elezaj./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Diskutohet metodat për ndërtimin e digës së Pollatës në Podujevë   

Published

on

Në teatrin e qytetit “Avdush Hasani”, është mbajtur dëgjim publik me qytetarë për ndërtimin e Digës së Pollatës e cila është në fazën finale të hartimit të projektit.

Draft projektin e Digës e prezantoi kompania e kontraktuar e cila ka hartuar projektin, e ku të pranishëm ishin edhe drejtori i Urbanizimit, Leutrim Krasniqi, drejtoresha e Bujqësisë, Lirie Hoti, zyrtarë kompetentë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, zyrtarë komunalë dhe banorë nga fshati Pollatë, Zhiti, Murgull, Brecë dhe Sllatinë.

Gjatë prezantimit të draftit u diskutua për metodat e ndërtimit i digës së Pollates sipas moduleve dhe skenarëve të ndryshëm, impiantin e trajtimit të ujit, studimin e Fizibilitetit (FS) dhe vlerësimin e ndikimit Social Mjedisor (ESIA), si dhe çështje të tjera të ngritura nga qytetarët pjesëmarrës në debat.

Në fund të dëgjimit ekspertët e projektit falënderuan qytetarët për pjesëmarrjen, sygjerimet dhe komentet e tyre për një projekt kaq të rëndësishëm, gjithashtu theksuan që për proceset tjera rreth projektit dhe takimeve me qytetarë do të njoftohen më kohë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

SHAK: Zgjidhja e problematikave dhe rimendimi i qytetit, angazhim për të ardhmen

Published

on

Shërbimi i Arkitekturës së Kryeqytetit (SHAK) është i angazhuar në projekte të rëndësishme për ta transformuar qytetin, duke reflektuar një qasje moderne ndaj zhvillimit që shkon përtej aspektit fizik për të përfshirë elementët socialë, kulturorë dhe mjedisorë.

Ky projekt përqendrohet te ideja e qytetit si një hapësirë dinamike dhe e gjallë, ku planifikimi urban transcendon ndërtimin tradicional për të promovuar një ambjent socio-kulturor të pasur.

Në qendër të përpjekjeve të SHAK qëndron sfida e trajtimit të një serie problematikash urbane që kanë kufizuar potencialin e qytetit, duke përfshirë problemet e trafikut, infrastrukturën e brishtë, mungesën e zonave të gjelbra dhe rekreative, dhe mungesën në planifikimin e hollësishëm urban.

Përmes një plani strategjik, SHAK kërkon të transformojë Prishtinën në një vend që jo vetëm i plotëson kërkesat funksionale të banorëve, por gjithashtu rrit cilësinë e jetës dhe ndjenjën e përkatsisë brenda komunitetit.

SHAK aktualisht po punon në projekte të ndryshme të zhvillimit urban si mbikalimi i Arbërisë, tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, nënkalimi pranë “Gorenje”, dhe plani më i gjerë për Fshatin Olimpik. Këto projekte janë gati për zbatim dhe tregojnë një qasje holistike ndaj zhvillimit urban, duke përfshirë edhe përdorimin e teknologjisë digjitale për lehtësimin e proceseve të ndërtimit dhe planifikimit.

Përveç kësaj, SHAK ka hapur konkurse ndërkombëtare për dizajn, si ato në Mati 1 dhe Kolovicë, për të cilat janë përzgjedhur fituesit, por edhe konkursi për sheshin monumental “Adem Jashari”, duke theksuar angazhimin për hapësira urbane të larta cilësore dhe të përfshira, që fton pjesëmarrjen e komunitetit dhe promovon zhvillimin e qëndrueshëm.

Këto iniciativa dëshmojnë se si entitetet e planifikimit urban mund të lidhin trashëgiminë e tyre arkitektonike me nevojat moderne, duke krijuar një zhvillim të qytetit që respekton të kaluarën dhe në të njëjtën kohë, adreson sfidat e ardhshme në një mënyrë inovative.

Përmes projekteve që rregullojnë trafikun, duke përfshirë zhvillimin e nënkalimeve dhe mbikalimeve në pika kyçe, SHAK synon një ndryshim në mënyrën se si perceptohet dhe jetohet në mjedisin urban, duke iu përgjigjur nevojave aktuale dhe të ardhshme me një vizion që shikon Prishtinën si një model të zhvillimit urban qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Nismat e SHAK-ut, janë qenësore për realizimin e kësaj vizioni, duke siguruar që Prishtina të evoluojë si një qytet që pasqyron aspiratat dhe ëndrrat e banorëve të saj./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending