Po konsiderohet zbulimi më i madh arkeologjik në Kosovë për nga pesha historike. Një mbishkrim i zbuluar në lokalitetin arkeologjik Ulpiana tregon përkushtimin e Perandorit Justinian ndaj vendit të tij të origjinës. Mbishkrimi latin është gjetur në strukturat e një prej kishave më të mëdha të zbuluara deri tani në Ballkan, e që është ndërtuar nga perandori me prejardhje dardane.
Kështu thonë arkeologët, sipas së cilëve mbishkrimi i zbuluar tregon rëndësinë që perandori i kishte kushtuar qytetit të Ulpianës, gjë e cila nuk dihej më parë, shkruan Kosova Press.
Zbulimi qartëson se ishte perandori Justinian, dhe gruaja e tij Teodora, që kishin inicuar ndërtimin e qytetit të quajtur Justiniana Secunda.
E sipas mbishkrimit të zbuluar, përveç ndërtimit të qytetit, perandori Justinian dhe gruaja e tij kishin ndërtuar disa kisha, një prej të cilave bën pjesë në zbulimin e fundit të arkeologëve në Kosovë.
Zbulimi është arritur pas bashkëpunimit në mes të institucioneve franceze, Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Christophe J.Goddard, përfaqësues i “Ecole Normale Superieure” nga Parisi, dhe i cili drejton laboratorin “Aoroc”, thotë se për herë të parë mund të shihet me sy përkushtimi i perandorit Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.
E profesori universitar i arkeologjisë, Arben Hajdari, i cili është edhe bashkëdrejtues i projektit, tregon detaje se si kanë arritur deri të ky zbulim.
“Kemi filluar gërmimet arkeologjike të cilat kanë konfirmuar rezultatet e incizimeve gjeofizike dhe ne kemi arritur me zbulu mbetjet e një bazilike madhështore, ndër më të mëdha që është zbuluar ndonjëherë në Ballkan, ndërtuar nga perandori Justinian në shekullin e gjashtë. Gjatë këtij viti kemi vazhduar kampanjën e radhës dhe ideja ka qenë që të ndjekim planimetrinë e bazilikës dhe pastaj kemi zbuluar edhe një mbishkrim i cili ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, historike, dhe sipas meje për nga pesha historike paraqet zbulimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë ose në arkeologjinë kosovare”, thotë ai.
Zbulimi i një mbishkrim latin nga perandori Justinian i cili dëshmon lidhjen e tij me Dardaninë është bërë i ditur dy ditë më parë.
Nga institucionet e shtetit të Kosovës ky është konsideruar zbulim që formëson historinë dhe si një dedikim i fuqishëm nga perandori Justinian./Media Ndërtimi